Qëllimi i SHIK-ut ndaj familjes Jashari

Politika

Qëllimi i SHIK-ut ndaj familjes Jashari

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 gusht 2018 Në ora: 17:47
Bekim Jashari

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka propozuar kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, që t’i prijë delegacionit të Kosovës në fazën e fundit të bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Por, këtë ide, e kundërshtojnë haptas opozita dhe shoqëria civile. Nga Lëvizja Vetëvendosje deklarojnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka qëllim vetëm që fajin t’i vejë familjes emblematike - Jashari. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike në vend, propozimin e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, po e konsiderojnë të bërë për poena politikë.

Se kush duhet t’i prijë delegacionit të Kosovës për fazën finale të dialogut me Serbinë, kjo çështje është bërë temë diskutimi që një kohë të gjatë.

Derisa AAK-ja e Ramush Haradinajt haptas është shprehur se këtij procesi duhet t’i prijë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tash nga PDK-ja e Kadri Veselit kanë dalë më një propozim tejet interesant, e që ndoshta për dikë edhe befasues.

Një deputet nga ky subjekt, ka propozuar kryetarin e Skenderajt. Bëhet fjalë për Bekim Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, vëllait të komandantit legjendar Adem Jasharit, të cilin partia e Veselit e sheh si personin më adekuat për të përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë.

Por, këtë ide, e kundërshtojnë haptas opozita dhe shoqëria civile. Nga Lëvizja Vetëvendosje deklarojnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka qëllim vetëm që fajin t’i vejë familjes emblematike - Jashari.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike në vend, propozimin e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, po e konsiderojnë të bërë për poena politikë.

Propozimi i deputetit të PDK-së

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka propozuar kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, që t’i prijë delegacionit të Kosovës në fazën e fundit të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

“E propozoj Bekim Jasharin, sepse Familja Jashari na ka bashkuar në ditët më të vështira. Tash kemi nevojë për një udhëheqës që na unifikon dhe nuk lejon të bëhen pazare në kurriz të vendit”, ka thënë ai.

“Procesi i dialogut është shndërruar në procesin më të rëndësishëm të vendit edhe pse aty do të duhej të ishin zhvillimi ekonomik, arsimi dhe shëndetësia. Është momenti i fundit që si klasë politike të reflektojmë. Nëse nuk arrijmë të pajtohemi mes vete atëherë si do të mund të pajtoheshim me Serbinë”, ka potencuar Haxhiu ndër të tjera.

Deputetja e Vetëvendosjes: Ky është qëllimi i SHIK-ut për familjen Jashari

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar këtë propozim, thotë se, qëllimi i vetëm është që të largohet Bekim Jashari nga udhëheqja e Komunës së Skenderajt dhe t’i mbetet faji familjes së këtij të fundit.

“Mendoj se qëllimi i SHIK-ut është që ta largojnë Bekim Jasharin nga udhëheqja e Komunës së Skenderajt dhe ta fusin atë në një proces që SHIK-u, PDK-ja dhe Hashim Thaçi e kanë vu në binare të gabuar dhe faji t’i mbetet familjes me emblematike në historinë e re shqiptare. Pra, qëllimi është djallëzor në tërë dimensionin e saj”, shprehet Millaku.

Tutje, ajo thekson se, nuk duhet që të ngarkohet me temat e mbarësuara nga Hashim Thaçi familja Jashari.

“Nuk mendoj se duhet që t’i ngarkohen temat e mbarësuara nga Hashim Thaçi familjes Jashari”, përfundoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

“Thaçi po kërkon argat mbështetje”

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, thotë se, ky më shumë mund të konsiderohet si propozim patriotikë, pasi që, sipas tij, puna e prijësit është e kryer.

Image
Blerim Burjani

Ai mendon se tani Hashim Thaçi po kërkon më shumë argat mbështetje për dialog nga opozita.

“Propozim patriotikë mund të vlerësohet, por, në këto bisedime kërkohet unitet i partive politike, konsensus për përfaqësim të unitetit. Tash është punë kryer për këtë çështje, aspak s’ka rëndësi sepse presidenti Thaçi po kërkon argat mbështetje për dialog nga opozita, por jo për të diskutuar për kënd të udhëheq bisedimet”, thotë njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese për gazetën “Bota sot”.

Burjani thekson se gjasat janë zero për të caktuar një individ tjetër apo ekspert apo edhe personalitet të pavarur për të udhëhequr bisedimet.

“Gjasat janë zero për të caktuar një individ tjetër apo ekspert apo edhe personalitet të pavarur për të udhëhequr bisedimet. Zgjidhja është të jetë personalitet nga bota akademike, por, tashmë është vonë plotësisht për këtë temë”, përfundoi Burjani.

“Propozimi i Haxhiut për poena politikë”

Ndërsa, analisti tjetër, Mustafë Kadriaj, thotë për gazetën “Bota sot” se, të afërmit e ikonave kombëtare duhet të kursehen nga proceset politike.

Image
Mustafë Kadriaj

 “Mendoj që të afërmit e ikonave kombëtare duhet të kursehen nga proceset politike, siç është familja e Jasharajve, po ashtu edhe fëmijët e presidentit Rugova. Angazhimi në politikë i ka devalvuar moralisht, sepse me hyrja në politikë nuk kursehesh dhe se për çdo gabim duhet të përballësh me kritika dhe në raste të caktuara edhe ofendime. Pra, jemi dëshmitarë që edhe bijtë e presidentit Rugova vetëm çka e kanë njollosë figurën e presidentit Rugova, po ashtu edhe angazhimi i Bekim Jasharit vetëm që e ka devalvuar personalitetin e tij dhe të familjes, sepse është përballuar me kritika të ndryshme nga oponentët politikë duke e quajtur djalë të keq të familjes së mirë. Ashtu edhe fëmijët e presidentit Rugova si Ukë Rugova me aferat me viza, edhe nëse kanë qenë të montuara, sidoqoftë i kanë bërë dëm personalitetit të Ukës dhe të familjes së presidentit. Po ashtu edhe Teuta Rugova me paraqitjen e saj larg pritjes. Kështu që angazhimi i tyre në politikë ka pasur të vetmin përfitim pagat, që mendoj se më së paku këto familje kanë nevojë për këto paga kur bëhet fjalë autoriteti moral i tyre”, është shprehur ai.

Tutje, analisti politik thotë se, propozimi i deputetit Haxhiu nuk duhet të merret seriozisht.

Sipas tij, angazhimi i Bekim Jasharit, përveç që e dëmton procesin e bisedimeve, njëherit i bën dëm personalitetit të familjes së tij.

“Mendoj që propozimi i deputetit Haxhiu nuk duhet të merret aspak seriozisht, thjeshtë fontanë e dëshirave duke u munduar që të merr poena politikë duke llogaritur në vota atë ide, që mendoj se është jo serioze mos më thënë shumë qesharake. Angazhimi i Bekim Jasharit përveç që e dëmton procesin e bisedimeve, njëherit i bënë dëm personalitetit të familjes Jashari. Së pari për palën serbe është i papranueshëm që mund të bëjnë notë proteste tek Bashkimi Evropian, si provokim për palën serbe, së dyti nuk është i përgatitur që të udhëheq bisedimet dhe nuk besoj që pranon duke ditur kompromiset që do të bëhen që kjo do të dëmtonte personalitetin e tij”, thotë Kadriaj.

Krejt në fund, ai thotë se, proceset e bisedimeve kërkojnë lojtarë me përvojë, e jo personalitete morale dhe kombëtare.

“Me që nuk kemi alternativë tjetër të pranueshme nga faktori ndërkombëtar duhet të vazhdojnë bisedimet duke u krijuar një grup i unitetit nga partitë parlamentare, duke qenë këshillues Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës si dhe shoqëritë civile, por gjithnjë duke respektuar pozitën e presidentit, sepse me këtë tregojmë që ne kemi logjikë të të menduarit si shtet. E them këtë, sepse shkuarja e fundit e delegacionit ka qenë jo protokollare, jo serioze, irrituese dhe aq sa komike dhe turpëruese. Pra, këtu duhet me qenë njerëz që i kanë përcjellë të gjitha proceset e deritanishme që nga Ramujea deri më tani, duke u krijuar një grup më i mirë i mundshëm i unitetit, duke përgatitur strategji dhe kërkesa dhe që të transmetojë para Bashkimit Evropian dhe palës serbe. Proceset e bisedimeve kërkojnë lojtarë me përvojë, e jo personalitete morale dhe kombëtare”, përfundoi Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat