Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot” se debati për këmbim territoresh, për korrigjim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës ka dëmtuar imazhin e vendit, ndërsa thekson se Beogradi me këtë diskutim të sajuar e të mbështetur me militantizmin e Shejshelit nga ana e Hashim Thaçit i ka arritur që tani objektivat e veta.
“Debati për këmbim territoresh, për korrigjim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës ka dëmtuar imazhin e vendit, ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar si dhe ka shkatërruar linjat e diskutimit në këtë dialog me Serbinë. Kjo do të thotë se Beogradi me këtë diskutim të sajuar e të mbështetur me militantizin e Shejshelit nga ana e Hashim Thaçit i ka arritur që tani objektivat e veta, edhe nëse heq dorë nga ndryshimi i kufijve. Tashmë Kosova është në krizë vendimmarrjeje”, është shprehur Bytyçi.
Ai ka shtuar tutje se opsioni i ndarjes është përgatitur në Tiranë dhe Beograd nga Vuçiq dhe Edi Rama, ndërsa është mbështetur nga Hashim Thaçi.
“Krerët politikë të saj janë në konflikt të hapur me njëri-tjetrin, sepse opsioni i ndarjes i ideuar nga Vuçiq dhe Edi Rama dhe i mbrojtur me aq zell nga Hashim Thaçi i kanë ndarë ata. Në këto kushte, kur presidenti manovron me mashtrime dhe triblime të ditë për ditëshme dhe ka autoritet mbi politikën e Kosovës, nuk është e lehtë që të rikompozohet një grup tjetër dialogues. Kjo do të thotë se Thaçi e ka futur edhe dialogun në qorrsokak. Dhe kam përshtypjen se gjithçka e ka bërë qëllimisht, sipas një skenari të përgatitur në Tiranë dhe në Beograd. Prandaj kanë dalë jashtë agjendës së dialogut tema të tilla krimet e luftës, kërkesa për dëmshpërblim dhe për kërkim ndjese publike e kështu me radhë. Duhet të kuptojmë se zoti Thaçi e solli Serbinë përsëri në Kosovë. Ai e shndërroi pas gati 30 vitesh problemin e Kosovës në një problem serb. Kosova ishtë prej vitit 1989 një problem ndërkombëtar, ndërsa propozimet e Thaçit për ndryshim të kufijve e kanë shndërruar problemin e Kosovës në një problem serb, për të cilin do të kujdesen tre çakej, Fredirca Mogherini, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq”, është shprehur Bytyçi.