Politologu Tahiri: Asnjë marrëveshje finale me Serbinë nuk ka kuptim nëse Kosova nuk anëtarësohet në OKB

Politika

Politologu Tahiri: Asnjë marrëveshje finale me Serbinë nuk ka kuptim nëse Kosova nuk anëtarësohet në OKB

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 20 shtator 2018 Në ora: 21:34
Hashim Thaçi në Bruksel

Shumë qarqe diplomatike bëjnë me dije se Kosova dhe Serbia po hyjnë në fazën finale të bisedimeve, por çfarë marrëveshje finale mund të prodhojnë këto bisedime?

Sipas politologut Mentor Tahiri, që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel, kishte një kornizë në vija të trasha lidhur me ecurinë e efekteve që do të prodhohen.

Image
Mentor Tahiri

“Kjo nuk i është bërë me dije opinionit, por është një praktikë normale në kuadër të një diplomacie gjithnjë e më të sofistikuar. Sigurisht, ishin disa aspekte teknike që shërbyen si parapërgatitje për të ardhur te çështje gjithnjë e më serioze, deri te ato që lirshëm mund t’ia quajmë bisedime ndër-shtetërore. Ajo që bie në sy qysh në fillim është fakti se qeveria serbe asnjëherë nuk ka vë në pikëpyetje autoritetin dhe legjitimitetin e përfaqësuesve të Kosovës, pavarësisht kamuflimeve gjuhësore politike që qeveria serbe ka përdorur para opinionit të saj në Serbi. Kosova ka qenë palë e barabartë”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Lidhur me këto bisedime, politologu Tahiri pohon se, ka shumë skepticizëm si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, por megjithatë disa aspekte teknike që kanë ndikim në përditshmërinë e qytetarit, dhanë efekte të shpejta pavarësisht se kjo dikujt mund t’i duket e parëndësishme.

“Tani ashtu siç po bëjnë me dije edhe vet akterët e involvuar në bisedime, dy vendet kanë hyrë ne fazën përfundimtare të bisedimeve. Dy presidentët, sikurse ai i Kosovës, ashtu edhe ai i Serbisë që moti kanë filluar me një fushatë të përgatitjes së opinionit me një kompromis i cili do të imponohet. Nëse këtë e vështrojmë nga cilësia analitike atëherë do të duhej menjëherë të trajtonim listën e elementeve të cilat do të mund ta përbënin këtë kompromis. Është e qartë se nuk mund të ketë kompromise më shtetësinë e Kosovës, por vetë koncepti “kompromis” na flet se mund të ketë aranzhime të tilla të cilat mund mos të na pëlqejnë”, thekson ai.

Por, cilat mund të jenë këto aranzhime? Tahiri pohon se, Serbia e ka të qartë se më nuk mund të ketë sovranitet shtetëror mbi Kosovën.

“Por, për politikën e sotme serbe është me shumë vlerë që para opinionit të saj të mos tregohet si humbëse. Posaçërisht për Beogradin zyrtar mbetët e rëndësishme që ai tëperceptohet si mbrojtës i interesave të serbëve në Kosovë. Këto aranzhime mund të ndryshojnë shumëçka sa i përket organizimit të brendshëm të Kosovës në kuptimin e ndarjes së brendshme territoriale. “Loja” me Asociacionin që moti e ka të zgjedhur aspektin e saj territorial dhe atë që në momentin kur u definua se cilat do të jenë komunat me shumicë serbe dhe cili do të jetë territori i tyre. Më shumë kompetenca ekzekutive do të përcaktonin edhe autoritetin real në këtë territor, në të njëjtën kohë në kuadër të marrëveshjeve për financim apo të ngjashme me karakter ekonomik, Serbia do të tentojë që lidhur me qeverisjen në komunat me shumicë serbe, të ketë një lloj ‘’kondominiumi” ku Serbia do të vazhdonte të jetë akter i gjallë institucional në jetën politike dhe ekonomike në këto komuna, shton ai.

Politologu thotë se, marrëveshjet e sotme ndërshtetërore kanë evoluar në kreativitetin e tyre, Kosova duhet të ketë kujdes të mjaftueshëm që mos bjerë në gracka terminologjike që mund të prodhojë marrëveshja.

“Është legjitime dhe e pranueshme që në tekstin e një marrëveshjeje finale me Serbinë, të mos lejohen modalitete të cilat bllokojnë jetën institucionale dhe shtetësinë e Kosovë. Megjithatë duhet pranuar, se është pikëpyetje nëse Kosova ka krijuar një vijë të kuqe në kuptimin e përcaktimit politik, të lejimit të kompromiseve në të ardhmen. Që nga shpallja e pavarësisë, nga Kosova janë kërkuar kompromise mbi kompromiset e dikurshme. Mosekzistimi i një platforme në kuptimin e plotë të fjalës, mund të shfaqet nesër në formë të një befasie të pakëndshme me pakon e kompromiseve që mund të serviren brenda një marrëveshjeje finale”, potencon Tahiri.

Tahiri për çështjen ndryshimit të kufijve të Kosovës, se a është reale të pritet se mund të ndodhë vërtetë ndryshimi i kufijve, thotë se këto janë deklarata konfuze.

“Tani kjo është diçka e re dhe vetë mënyra se si është plasuar, paraqet befasi. Shumëçka mund edhe të duket si blof, apo edhe si test që po i bëhet opinionit. E tëra është plasuar me deklarata konfuze, por asnjëherë nga qoftë pala kosovare, qoftë ajo serbe nuk kishte guxim që të dilet me propozime mbi të cilat do të flitet. Pra opinioni po mbingarkohet me deklarata, por asnjëherë nuk i është prezantuar një hartë konkrete e cila do të krijonte një qartësi se çfarë po nënkuptohet me ndryshimin e kufijve. Dëgjojmë shpeshherë deklarata krejtësisht pa substancë sikurse ajo lidhur me rikthimin e kufirit të vitit 1956. Opinionit duhet sqaruar se Kosova në vitet 50-të kishte vetëm statusin e “Rajonit Autonom” dhe nuk kishte kufij zyrtarë administrativ të precizuar. Tërësia territoriale e Kosovës do të rivendoset vetëm në vitin 1963 me statusin e “Krahinës Autonome”, për të marrë kuptim më të plotë politik me statusin e vitit 1974. Në anën tjetër, ndryshimet territoriale të viteve 50-të që kanë afektuar rrethet administrative të Gjilanit dhe Mitrovicës, nuk janë një veprim i vetëm”, potencon ai.

Sipas tij, në opinion në njëfarë mënyre është imponuar ideja se Kosova dhe Serbia kanë këmbyer territore në vitet 50-të, gjë që nuk korrespondon.

“Ndryshimi i kufirit në Anamoravë ka ndodhur me 1956, kurse ai zonën e Kopaonikut me 1959.  Në vitin 1956, Rrethit të atëhershëm të Gjilanit i janë marrë fshatra, të cilat sot përbëjnë pjesën malore të Komunës së Preshevës. Kufiri i para vitit 1956, linte vendbanimet kryesore shqiptare të Luginës së Preshevës, jashtë Rrethit të Gjilanit, respektivisht Kosovës, përfshirë këtu edhe qytetet e Preshevës dhe Bujanocit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos gjymtojmë demografinë shqiptare atje. Një nga interesat strategjike të Serbisë në Luginën e Preshevës, është krijimi i një shumice etnike serbe në kuadër të Komunës së Bujanovcit, gjë që mund të arrihet nëse Kosovës i lihen disa fshatra kufitare. Natyrisht, e gjithë “loja” me kufijtë, mund kurrë të mos përjetësohet. Në plan gjeo-strategjik, Serbia ka interes të luajë në hartën ballkanike, për çështje që tejkalojnë interesat e saj në Kosovë. Çështja e kufijve, respektivisht ndryshimi i tyre, sot mund të jetë produktiv për Serbinë, për shkak se ky shtet ka aspiratat e tij në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Një ndryshim i mundshëm i kufijve të Kosovës, do të krijonte bazën politike për domino efekte të mëtutjeshme dhe do të zhbllokonte një proces të cilin komuniteti ndërkombëtar më parë e ka ndaluar dhe ndalur efektivisht”, thekson Tahiri.

Sipas tij, këtu ka një polarizim i cili nuk mund të kuptohet thjeshtë brenda veprimeve politike të sotme. “Iniciativa për ndryshimin e kufijve, ka gjetur përkrahje pa rezervë në mesin e ideve politike-ideologjike të cilat Kosovën e shohin vetëm si një strukturë shtetërore tranzitore. Rikthimi te demarkimi etnik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shihet nga shumëkush si uverturë drejt krijimit të një Shteti të Bashkuar Shqiptar. Fatkeqësisht kjo sot korrespondon ashpër me interesa strategjike serbe. Në anën tjetër me anë të hapjes së çështjes së kufijve, Serbia në mënyrë kamufluese punon për shuarjen e Shtetit të Kosovës. Duhet përkujtuar gjithsesi, se krijimi i Shtetit të Kosovës shikuar nga këndvështrimi i historisë politike moderne, paraqet fitoren më të madhe shqiptare dhe njëkohësisht humbjen më të madhe serbe”, shton tutje ai.

Ai thekson se, duke hapur temën e kufijve, është hapur edhe tema e sovranitetit. “Ky është një moment kritik, dhe mesazhet që komuniteti ndërkombëtar po merr nga bisedimet Kosovë – Serbi, sikur kanë ngrirë pozicionimet e qeverive të ndryshme deri në përfundimin e këtyre bisedimeve. Njohja ndërkombëtare e Kosovës ka humbur në dinamikën e saj, gjë që është e pritshme, ngase pritet marrëveshja finale. Kur u shpallë pavarësia e vendit me 2008, mesazhi që iu dha botës ishte i qartë dhe shtetet të cilat nuk kishin probleme të brendshme etnike apo qëndrime anti-amerikane, reaguan menjëherë. Por mesazhet që po jepen sot, duhet pranuar se nga shumë diplomaci botërore, perceptohen si një “standby mode” i shtetësisë së Kosovës”, pohon politologu.

Megjithatë, a mjafton një marrëveshje me Serbinë deri në atë masë sa Kosova të përmbyllë subjektivitetin ndërkombëtar?

“Këtu serish duhet përmendur vijën e kuqe dhe platformën e cila funksionalisht mungon si një dokument obligativ për institucionet kosovare. Ky dokument do të sanksiononte se cilat kompromise nuk mund të bëhen. Tutje, nevoja për një platformë të tillë bëhet edhe më kritike, në përcaktimin e synimeve dhe objektivave që Kosova duhet t’i arrijë në kuadër të një marrëveshjeje finale me Serbinë”, pohon Tahiri.

Politologu thotë se, pranimi i Kosovës në OKB dhe përgjithësisht në strukturat e sotme në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar duhet të jetë një vijë e kuqe nën të cilën nuk bëhen kompromise. “Asnjë marrëveshje finale nuk ka kuptim nëse nuk zhbllokon barrierat aktuale në të cilat Kosova hasë sot për të përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar. Marrëveshja finale është e pakuptimtë nëse në kuadër të saj nuk ka modalitete me anë të të cilave përmendet mos pengimi i anëtarësimit të Kosovës që nga OKB e tutje. Në këtë drejtim, Kosova dhe aletet tanë duhet të insistojnë në modalitete të cilat e bëjnë të pakuptimtë çfarëdo vetoje nga ana e Rusisë apo Kinës, në kuptimin që një votë e tillë bllokuese e Rusisë apo Kinës në OKB kundër Kosovës, do të kishte pasoja për vet proceset integruese të Serbisë. Pra, teksti i marrëveshjes finale duhet të jetë i pranueshëm për komunitetin ndërkombëtarë në plotninë e tij dhe jo vetëm pjesërisht”, përfundon politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat