Ligji antimafia “shembë” piramidën politike të krimit në Kosovë - Bota Sot
Ligji antimafia “shembë” piramidën politike të krimit në Kosovë

Politika

E hënë, 22 tetor 2018

Ligji antimafia “shembë” piramidën politike të krimit në Kosovë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 5 tetor 2018 Në ora: 11:04
Foto ilustruese

“Një shtet ligjor me një gjyqësor të pavarur sigurisht që ju konfiskon njerëzve pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme e sidomos atyre që vërtetohet që e kanë bërë këtë pasuri të inkriminuar në veprimtari kriminale, këto raste në Kosovë janë bërë të zakonshme dhe kanë lidhje me politikën, e cila e ka të kontrolluar gjyqësorin. Jam optimist që shumë shpejt do vijë një Qeveri normale në vendin tonë dhe shpata e drejtësisë do i godasë të gjithë njerëzit e inkriminuar pa dallim”, thotë deputeti i LDK-së Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Në disa raporte të Komisionit Evropian është kusht për pushtetarët e Kosovës, që ligji Antimafia të miratohet në mënyrë që të rregullohen shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme.

Dihet se, Kosova është njëri prej vendeve më të pazhvilluara në Evropë. Kjo për faktin që zhvillimi ekonomik nuk ka ndodhur kurrë në këto vitet e pasluftës. Madje as që është primare për pushtetarët tanë, e në këtë mënyrë pasuria e tyre vetëm po shtohet. Një pjesë bukur e madhe e tyre u pasuruan në kurriz të popullit.

Është për tu çuditur me faktin se si u pasuruan aq shpejt!? Disa prej tyre, gjatë kohës së luftës ishin të varfër, e disa kishin pak të ardhura. Ndërsa sot, disa prej tyre edhe pse gëzojnë paga të deputetit me vlerë rreth 2 mijë euro në muaj, pasuria e tyre prapë nuk mund të arrij shifrën e milionit.

Kurse, ka të tjerë që nuk janë të kyçur në politikë direkt, por indirekt ata përfitojnë nga politika. Aq shumë fitojnë, sa me pasuri të tundshme dhe të patundshme janë milionerë.

Milionerë në Kosovën e varfër!

Por, shtrohet pyetja, se si u pasuruan, si i bënë milionat në shtetin e varfër të Kosovës?

Megjithatë, pa miratimin e ligjit, i cili bën konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe pa forcimin e drejtësisë vendore është e pamundur që këta zhvatës të pasluftës të ndëshkohen në mënyrë ligjore. Që nga paslufta, Kosova është përballur në aspekte të ndryshme me “komandantët” dhe politikanët milionerë.

Hapi i parë kur qytetarët u përballën me milionerët, ishte menjëherë pas çlirimit të Kosovës, ku në shumë vende kemi hasur të shohim sloganin e famshëm “E nxane, UÇK”.

Akuza të ashpra në drejtim të “komandantëve” dhe politikanëve milionerë, pothuajse çdo ditë kemi nga politikanë dhe qytetarë të Kosovës. Por, si duket këto akuza nuk janë të rëndësishme për protagonistët në fjalë, pasi pasuria e tyre çdo ditë shumohet. Kjo është e dukshme, nëse shikohet deklarimi i pasurisë së tyre, pasi secilën herë shuma e pasurisë së tyre është rritur.

Rugova: Shpata e drejtësisë do i godasë të gjithë njerëzit e inkriminuar pa dallim

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova thekson se, këto raste janë bërë të zakonshme në Kosovë.

Këto raste sipas tij, kanë lidhje me politikën e cila e ka kontrolluar gjyqësorin, por shprehet optimist se shpejt do të goditën njerëzit e inkriminuar.

“Një shtet ligjor me një gjyqësor të pavarur sigurisht që ju konfiskon njerëzve pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme e sidomos atyre që vërtetohet që e kanë bërë këtë pasuri të inkriminuar në veprimtari kriminale, këto raste në Kosovë janë bërë të zakonshme dhe kanë lidhje me politikën, e cila e ka të kontrolluar gjyqësorin. Jam optimist që shumë shpejt do vijë një Qeveri normale në vendin tonë dhe shpata e drejtësisë do i godasë të gjithë njerëzit e inkriminuar pa dallim”, thotë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Zogiani përmend përvojat e shteteve tjera

Image
Avni Zogiani

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, thekson se, shtetet tjera që kanë pasur situata të ngjashme me krimin, kanë ndërmarrë masa radikale për luftimin e krimit.

“Kjo kërkon ndryshim të paradigmës legjislative, madje në ndonjë rast edhe në kufizimin e të drejtave të njeriut me qëllim të mbrojtjes së stabilitetit shoqëror. Pak shtete ka që kërcënohen nga krimi si Kosova, por fatkeqësisht politika vazhdon të sjellët sikur të ishte në Gjermani”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Duhet ta kopjojmë këtë ligj Antimafia të Shqipërisë

Avokati Tomë Gashi thotë se, kodi penal parasheh një mori rastesh që pasuria e krijuar në vepra penale duhet të konfiskohet.

Image
Tomë Gashi

“Është krejtësisht tjetër gjë se sa aplikohet në praktikë kjo mundësi respektivisht obligim ligjore i gjykatës që pas shpalljes së aktgjykimit dënues për raste të veprave penale të caktuara të jep edhe dënimin plotësues me shqiptimin e masës së konfiskimit të pasurisë të përfituar me vepër penale. Dhe procedurat e konfiskimit të pasurisë janë të parapara me kodin e procedurës penale, i cili ligj mund të themi në gjuhën popullore se është rruga që na shpie nga dënimi deri të konfiskimi, por këto ligje rrallë herë janë aplikuar”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Kjo sipas tij, edhe në raste të thjeshta ka shumë pak konfiskime dhe kjo ndoshta duhet të bëhet më efikase me nxjerrjen e ligjit Antimafia si në Shqipëri.

“Ne duhet vetëm ta kopjojmë këtë ligj Antimafia të Shqipërisë sepse jemi 100% një popull, dhe nuk duhet aspak të ketë dallime në këto ligje, thjesht të kopjohet ligji i Shqipërisë dhe të dërgohet në Kuvend për t’u votuar. Kaq duhet të jemi me efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe e cila ngadalë po bëhet shumë e fuqishme sa që pastaj do të jetë vështir të bëhet një gjë e tillë”, përfundon Tomë Gashi.

Miftaraj: Në raste shumë të rralla prokurorët bëjnë kërkesa për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale

Image
Ehat Miftaraj

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se, Kodi i Procedurës Penale, por edhe një varg ligjesh tjera të aplikueshme në Kosovë, si Ligji mbi Kompetencat e Zgjeruara lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale, përcaktojnë obligimin ligjor që në të gjitha rastet kur persona të dyshuar kryejnë vepra penale të natyrave të ndryshme, përveç ndjekjes penale, gjykimit dhe dënimit, shteti përmes mekanizmave të tij e ka për obligim edhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprimtarisë kriminale.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi si rezultat i monitorimit sistematik të të gjitha rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në praktikë ka gjetur, se në raste shumë të rralla prokurorët bëjnë kërkesa për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale. Që ndikon, edhe në mungesën e rezultateve në këtë fushë”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Konfiskimi i pasurive të zeza mund të vonohet

Image
Skënder Zogaj

Kurse, analisti politik Skënder Zogaj, thekson se, konfiskimi i pasurive të personave të inkriminuar është gjëja më elementare që duhet të bëhet sepse, pasuria e përfituar me veprimtari kriminale është burim i konflikteve të dukshme fizike dhe të padukshme shpirtërore që janë të paevitueshme nga ana e robit dhe e Zotit!

“Nga ana e robit (njeriut) janë konfliktet, armiqësia, vrasjet me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare aktualisht e edhe për shumë kohë në të ardhmen, ndërsa, nga ana e Zotit janë fatkeqësitë, sëmundjet, aksidentet, zënkat e varg dukurish të liga që janë mallkimi hyjnor që na bëhet në jetën e përditshme! Konfiskimi i pasurive të zeza mund të vonohet por ka për tu bërë patjetër, nga shtetit ligjor që s’ka qare pa u bë! Pra, konfiskimi nuk po ndodh sepse ende nuk e kemi shtetin ligjor, gjë që do ta kemi shpejt dhe të inkriminuarit do të marrin ndëshkimin e merituar! Një pjesë të fajit e kanë edhe qytetarët që heshtin dhe u shërbejnë kriminelëve!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test