PDK vija e kuqe e LDK-së, VV-së dhe PSD-së për koalicion - Bota Sot
PDK vija e kuqe e LDK-së, VV-së dhe PSD-së për koalicion

Politika

E mërkurë, 24 tetor 2018

PDK vija e kuqe e LDK-së, VV-së dhe PSD-së për koalicion

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 tetor 2018 Në ora: 11:48
Foto ilustruese

“Është koha e fillimit të ç’kapjes së shtetit nga kthetrat e njerëzve të nëntokës së SHIK-ut të rreshtuar tani në PDK. E kjo bëhet me ta në opozitë, ku partitë që s’janë paterica të PDK-së do formonin koalicion parazgjedhor që do dilte e para. E deklarata se ne do e bëjmë partinë tonë të parë, tregon që atyre s’iu intereson ndryshimi në këtë vend por kanë agjenda tjera”, ka thënë deputeti Haxhi Avdyli.

Zërat për një koalicion të mundshëm mes partive opozitare së fundi janë shpeshtuar, ani pse ende asgjë nuk kemi zyrtare nga asnjëra palë.  Subjektet e opozitës një zëri konsiderojnë se vendi ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe se për ketë çështje ka të tillë që mendojnë se edhe jemi vonuar.

Nga partia e Isa Mustafës shprehen se janë për një koalicion parazgjedhor, ku edhe qartësojnë se janë për një parti e cila duhet të jetë e pakorruptuara dhe pa një të kaluar të dëmshme për vendin.

Ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje shprehet se janë për zgjedhje të jashtëzakonshme, derisa bëjë me dije se është herët të flitet për koalicione.

E, Partia Social Demokrate përsëritë qëndrimet e saja, se vija të kuqe kanë vetëm për Partinë Demokratike të Kosovës.

Për gazetën “Bota sot”, lidhur me ketë çështje kanë folur Haxhi Avdyli i LDK-së, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes dhe Natyra Kuçi e PSD-së.

Haxhi Avdyli: Për shpëtimin e vendit, koalicion parazgjedhor

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për shpëtimin e vendit duhet një koalicion parazgjedhor.

Avdyli ka shtuar koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të jetë i pa korruptuar dhe pa një të kaluar të dëmshme për vendin.

“Në kohën e presidentit Rugova LDK arriti t’i ketë deri në 45 deputetë më shume se krejt PAN-i tash me 39 deputetë dhe meqenëse partitë serbe parapëlqenin atëherë PDK siç po bëjnë edhe tash, ishte e pamundur të krijohej Qeveri e vetme. E tani në këtë sistem që i kemi ai që del i pari edhe 20 deputetë e tjerët të gjithë t’i kanë nga 19, prapë i pari merr të gjitha funksionet qeveritare në Kuvend. Prandaj, për shpëtimin e këtij vendi unë haptas rekomandoj Koalicion parazgjedhor me parti jo të korruptuara dhe pa një të kaluar të dëmshme për vendin ku LDK si parti tani e parë do t’i printe ndryshimit të shumëpritur”, ka nënvizuar deputeti i partisë më të madhe opozitare.

Deputeti i LDK-së, me tej thekson se tani është momenti i ç’kapjes së shtetit nga kthetrat e njerëzve të nëntokës së SHIK-ut të rreshtuar tani në partinë e Kadri Veselit.

“Është koha e fillimit të ç’kapjes së shtetit nga kthetrat e njerëzve të nëntokës së SHIK-ut të rreshtuar tani në PDK. E kjo bëhet me ta në opozitë, ku partitë që s’janë paterica të PDK-së do formonin koalicion parazgjedhor që do dilte e para. E deklarata se ne do e bëjmë partinë tonë të parë, tregon që atyre s’iu intereson ndryshimi në këtë vend por kanë agjenda tjera”.

Rexhep Selimi: Jemi vonuar për zgjedhje

Image
Rexhep Selimi

E, në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, ka deklaruar se subjekti i tyre tashmë është i gatshëm kurdo që do të mbahet ato.

“Për zgjedhje të jashtëzakonshme kemi qenë të gatshëm qysh moti, madje jemi vonuar”, është përgjigjur deputeti i opozitës.

Ndërsa, i pyetur rreth zërave për një koalicion të mundshëm më subjektin tjetër opozitar, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Selimi tha se ende është herët të flitet për një gjë të tillë.

“Kurse për koalicione është herët të flasim”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi krejt në fund të përgjigjes për gazetën “Bota sot”.

Zëdhënësja  e PSD-së: Vija të kuqe për PDK-në

Image
Natyrë Kuçi

Ndërsa, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyrë Kuçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e saj qëndrimin e saj e ka përsëritur disa herë, ndërsa potencon se vija të kuqe kanë vetëm për PDK-në e Kadri Veselit.

“Në lidhje me koalicionet e kemi dhënë qëndrimin si Parti Socialdemokrate, dhe të njëjtin e kemi përsëritur disa herë në paraqitje të ndryshme publike. Kemi deklaruar tashmë se vija të kuqe kemi për PDK-në.

Tutje, Kuçi ka shtuar se në lidhje me çfarëdo bashkëpunimi tjetër, janë organet e partisë ato që do të diskutojnë dhe të marrin vendimin e duhur.

“Në lidhje me çfarëdo bashkëpunimi tjetër është vendim që organet tona do ta diskutojnë dhe të marrin vendim në kohën e duhur”, ka përfunduar zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyrë Kuçi, për gazetën “Bota sot”.

LDK është e gatshme për datën zgjedhjeve

Përmes një komunikate për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se është e gatshme të takohet me partitë parlamentarë për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas zgjedhjeve.

 “Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit.  Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe  qytetarëve tanë, kurse  në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në kumtesën e lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kjo parti është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test