Jasharët po e shpëtojnë Kosovën për herë të dytë

Politika

Jasharët po e shpëtojnë Kosovën për herë të dytë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 1 nëntor 2018 Në ora: 07:46
Bekim Jashari, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Të pakënaqur e të lodhur nga ledhatimet false të PDK-së, pasardhësit e heroit legjendar Adem Jashari, po hapin parti të re, me kryetar Bekim Jasharin.

I pari i komunës së Skenderajt, me këtë vendim e dëshmoi qartë se PDK-ja nuk është parti e pastër dhe e duhura për të qenë me ta, ndonëse kishte raporte të mira me udhëheqësit e kësaj partie.

Prishja e raporteve mes familjes Jashari dhe PDK-së, ka filluar që moti, por u vërtetua në manifestimin tradicional tre-ditësh “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në përkujtim të Adem Jasharit, në mars të këtij viti.

Rifat Jashari nuk vazhdoi të ecte përkrah presidentit në manifestim, e presidenti Thaçi i cili ishte për shumë vite në krye të PDK-së, ku edhe sot jo zyrtarisht ka ndikim të madh në këtë parti, e dha edhe një reflektim se raportet mes tij dhe Jasharëve nuk qëndrojnë mirë. Gjatë fjalimit të tij, me gjysmë zëri e përshëndeti edhe këtë familje, madje nuk e përshëndeti me emër Rifatin, siç bëjnë zakonisht personalitetet tjera.

Por, jo zyrtarisht thuhet se, prishja e raporteve mes familjes Jashari dhe personave që sot janë PDK, kishte filluar sa ishte gjallë komandanti legjendar Adem Jashari. Ky i fundit thuhet se kishte dërguar një letër te ata që thirreshin në emër të luftës për ndihmën që kërkonte nga ta për shkak që ishte i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga po kjo klasë politike që sot është në pushtet, pra, për vëllezërit Kelmendi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Bujar Bukoshin. Këta të fundit e sakrifikuan dhe e lanë Adem Jasharin në çastet e fundit të jetës, pa ndihma, pa fishekë dhe pa asnjë armatim.

Siç duket, hakmarrja e Jasharëve ndaj së keqes është e vonshme, por më mirë vonë se kurrë, e kjo goditje do të jetë fatale për PDK-në.

Edhe pse në zgjedhjet e fundit lokale, PDK pësoi humbje të madhe në elektorat, padyshim që shpina e kthyer nga Jasharët, do t’i jap fund kësaj partie, e do ta radhis atë në rangun e partive më të vogla. Kjo nuk do të mund të bëhej vetëm nëse është e vërtet kur thuhet se mijëra veteranë që gjendet në lista pa meritë, kanë hyrë aty me dorën e zgjatur të PDK-së.

Ndërsa, ethet e kanë kapluar PDK-në që në këto momente. Me të marrë vesh i pari PDK-së për këtë veprim të Jasharëve, ai i revoltuar ka thënë se, “e shohim në zgjedhjet e ardhshme në Skenderaj, se a do të mund të fitojë ndokush jashtë ombrellës së PDK-së”.

Kjo parti e re e cila do të përbëhet nga disa zyrtarë të PDK-së, ndër ta edhe Nuredin Lushtaku, mund t’i dridhin themelet mirë të ngulitura të PDK-së në Skenderaj, e me humbjen e bastionit të padiskutueshëm të saj, PDK-ja nuk do të ketë gjasa t’i bllokojë më proceset e rëndësishme të Kosovës.

Me këtë veprim, Jasharët po e shpëtojnë dhe mbrojnë Kosovën si në kohën e luftës, por tash nga brenda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat