Haskuka: Turizmin e kemi prioritet dhe do ta kemi gjithmonë

Prizreni

Haskuka: Turizmin e kemi prioritet dhe do ta kemi gjithmonë

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 12:27
Mytaher Haskuka

Kryetari aktual i Prizrenit, njëherit kandidat për një tjetër mandat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka zotohet për investime në turizëm, të cilat sipas tij do ndikojnë në ruajtje të ambientit por edhe në shtim të vendeve të punës.

Haskuka i cili po synon mandatin e dytë thotë se në vitet e ardhshme do të punojë më shumë në promovimin e Prizrenit si qendër tregtare.

Haskuka: Turizmin e kemi prioritet

“Turizmin e kemi prioritet dhe do ta kemi gjithmonë sepse siç thash turizmi përveç mbrojtjes së natyrës krijon edhe vende pune. Në atë aspekt, do të vazhdojmë këtu sepse kemi nevojë me e mbrojt vlerën e natyrës që e kemi si Prizren dhe Kosovë, në të njëjtën kohë edhe për t’i punësuar të rinjtë... Në mandatin e ardhshëm ne do të punojmë pak më shumë edhe në promovimin e Prizrenit si qendër tregtare”, theksoi ai.

Kreu i Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se tashmë kanë rregulluar hapësira rekreative për qytetarët e kësaj ane.

Ai përmendi edhe shtëpinë malore dhe hapësirat e rregulluara në Kopanovoda siç njihet gjerësisht në Prizren për ta shndërruar në një hapësirë ideal për të kaluar ditën.

Haskuka: Kemi përuruar rregullimin e vend-pikniqeve

“Shtëpia malore në Kopanavodë është vendi ku tradicionalisht bjeshkatarët e Prizrenit kanë organizuar aktivitete e ecje në natyrë. Është një pjesë shumë e bukur e Bjeshkëve të Sharrit. Sot kemi pasur aktivitetin që kemi përuruar rregullimin e vend-pikniqeve për qytetarë, ulëset, tavolinat, skarat e kontrolluara që të mos ketë raste të zjarrit. E kemi rregulluar që veturat të mos hyjnë në këtë pjesë, ju e patë që rruga është vetëm për veturat që janë për teren... Ne kemi biseduar më bjeshkatarët, edhe ata janë që të mos rregullohet mirë rruga sepse mbetet pjesë e atraksionit edhe rruga”, thotë ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se synim i tij për mandatin e ardhshëm mbetet ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit i turizmit malor dhe rural.

Haskukua: Synojmë ruajtje të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të turizmit malor dhe rural

Ne kemi identifikuar dy gjëra që duhet të bëjmë në Prizren, ruajtja dhe rregullimi i trashëgimisë kulturore dhe e dyta, zhvillimi i atraksioneve tjera retrokreative turistike, qoftë malore apo rurale. Në këto dy projekte kemi pasur shumë projekte të vogla. Në vendpikniqe kemi krijuar edhe tetë vende të reja, kemi investuar edhe në të vjetrat që kanë qenë. Po ashtu, kemi rregulluar edhe rrugën për çiklizëm, nga çiklizmi normal që ka qenë në çiklizëm ‘doënhill’. Me shtigje të biçikletave, diku rreth 30 km i kemi bërë malore më shumë. Pastaj, në Kajak së bashku me shoqatën zvicerane Siwss Contact kemi ndihmuar krijimin e një OJQ-je, e cila jep shërbime të kajakut në Prizren, në Drinin e Bardhë. Pastaj, kemi krijuar vijën Ferrata, diku 680 metra. Via Ferrata është ngjitje në shkëmb, e cila është e siguruar dhe bëhet nën mbikëqyrjen e shoqatave të bjeshkatarëve. Aty i paguhet një shumë shoqatës për pajisjet për ngjitje dhe për mirëmbajtjen dhe kujdesin gjatë ngjitjes. Përpos kësaj, kemi investuar edhe në ndriçimin e monumenteve historike, restaurimin e tyre. Jemi munduar maksimalisht që këto dy fusha të turizmit t’i zhvillojmë sa më shumë”, theksoi Haskuka.

Me qëllim të zhvillimit të turizmit në komunën e Prizrenit, kandidati për të parin e Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se ka ndihmuar edhe shumë hotelierë për të marrë pjesë në panaire jashtë Kosovës për të prezantuar ofertën turistike të Prizrenit. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat