​Mytaher Haskuka i bindur për fitore në Prizren

Prizreni

​Mytaher Haskuka i bindur për fitore në Prizren

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 19:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Nuk i fitoi zgjedhjet në raundin e parë, por është i bindur se këtë do ta arrijë në garën e balotazhit.

Kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka ka shprehur besimin se kësaj të diele do të sigurojë edhe një mandat të ri katërvjeçar.

Kryetari aktual i Prizrenit në një konferencë për media ka përmendur ndryshimin e bërë para katër vjetësh.

Për më tepër ai tregon edhe punët e kryera në qytet, duke shtuar se do të punojnë deri më 14 nëntor e më pas do të festojnë fitoren.

Haskuka: Do të punojmë për fitore bindëse

"Para katër vjetësh ne bëmë ndryshimin në Prizren dhe kjo reflektoi edhe në Kosovë, më 14 shkurt e bëmë Albinin kryeministër, Vjosën presidente, ndërsa tash duhet të vazhdojmë ndryshimin në Prizren, ngase tash do të bashkëqeverisim me Qeverinë qendrore. Në katër vjetët e kaluara kemi pasur shumë probleme me institucionet e quajtura të pavarura, por edhe me qeveritë qendrore që zakonisht janë munduar të bllokojnë projektet e komunës, por pa marrë parasysh ne kemi arritur që 95% ose t’i realizojmë ose të jemi në realizim e sipër, nga shujtat e deri te çerdhet e punë të tjera që kemi kryer në qytet. Por ne duhet të bëjmë shumë më shumë dhe shumë më mirë për Prizrenin, prandaj bashkimi juaj në këtë punën tonë të përbashkët na jep fuqi dhe mendoj që bashkërisht me ju, së pari, do të punojmë deri më 14 nëntor për një fitore bindëse, pastaj së bashku normal të festojmë dhe të vazhdojmë punën bashkërisht," ka thënë Haskuka.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se shumë aktivistë dhe asamblistë të subjektit politikë Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë dalë në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje.

Abrashi: Ta bëjmë Prizrenin një vend që e dëshirojnë të gjithë

"Shumë qytetarë të komunës së Prizrenit, më konkretisht një pjesë të kryesisë së AKR-së në Prizren, kandidatë për asamble, si dhe aktivistë dhe anëtarë të këtij subjekti tashmë kanë dalë në përkrahje të hapur të Lëvizjes Vetëvendosje respektivisht të profesor doktor Mytaher Haskukës si kryetar në ardhje të Komunës së Prizrenit. Për këtë gjë në emër të strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje i falënderoj shumë dhe bashkë do t’ia arrijmë synimeve tona për ta bërë Prizrenin një vend që dëshirojnë të gjithë", ka thënë ai.

Ymer Rugova nga AKR-ja, ka shprehur mbështetjen e tij për Mytaher Haskukën, për ta bërë Prizrenin një vend më të mirë për të gjithë.

Rugova: Sot është momenti ta përkrahim Mytaher Haskukën

"Sot është momenti ta përkrahim Mytaher Haskukën, është momenti të bëhemi bashkë për një të ardhme të qytetit tonë më të mirë dhe besoj që jo vetëm kjo pjesë që na është bashkuar por na duhet i gjithë qyteti të bëhemi bashkë për të ecur përpara. Këtu janë kandidatë që kanë qenë kandidatë nga radhët e AKR-së dhe aktivistë shumë të devotshëm që kanë qenë në AKR e sot na u kanë bashkuar të gjithë në përkrahje të lëvizjes në rrugë të drejtë", tha ai.

Më 14 nëntor në Prizren do të mbahet raundi i dytë për kryetar të kësaj komune. Mytaher Haskuka në balotazh do të garojë me kandidatin e PDK-së Shaqir Totaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat