​Shaqir Totaj merr detyrën e kryetarit të Prizrenit

Prizreni

​Shaqir Totaj merr detyrën e kryetarit të Prizrenit

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 12:51
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shaqir Totaj edhe zyrtarisht ka marrë detyrën e kryetarit të Prizrenit. Pa ndonjë ceremoni solemne dhe në mënyrë të thjeshtë është bërë pranim-dorëzimi i pushtetit nga ish kryetari, Mytaher Haskuka.

Në një konferencë të përbashkët për medie, u premtua bashkëpunim i ndërsjellë dhe u tha se shumë shpejtë do të bëhet e ditur koalicioni dhe kabineti qeveritar i udhëheqjes së re.

Kryetari i sapo zgjedhur, Shaqir Totaj u shpreh falënderues ndaj ish kryetarit Haskuka dhe tha se ky ndërrim i pozicioneve tregon traditën dhe tolerancën e Prizrenit.

Ai u zotua se në krye të qytetit historik të Kosovës do të kenë qasje bashkëpunuese me të gjithë dhe zhvillimore.

Totaj: Ky ndërrim i pushtetit tregon tolerancën e Prizrenit

“Së pari dua t’iu falënderojë për pritjen që na keni bërë dhe punën që keni bërë. Pasi për katër vjet nuk është e lehtë të udhëheqës një qytet si Prizreni. Jam mirënjohës, po ashtu edhe për mundësinë që të ardhmen kurdo që kemi nevojë me informacione shtesë për projektet t’iu drejtohemi juve, si dhe drejtorët aktual eventualisht të vazhdojnë punën për të siguruar një kontinutet që qyteti ka nevojë. Ne gjithsesi do të vazhdojmë me një përkushtim dhe qasje pak më të ndryshe. Besoj shumë se qyteti i Prizrenit në frymën e një kulture, tradite dhe tolerance do të vazhdojë më tutje. Ky pranim-dorëzim i pushtetit tregon se Prizreni e ka një traditë dhe një kulturë”, tha ai.

Bashkëpunim për shtyrjen e projekteve zhvillimore premtoi edhe ish kryetari Haskuka, i cili u shpreh falënderues ndaj gjithë ish-bashkëpunëtorëve të tij.

Ai tha se në projektet si zona ekonomike e Prizrenit, Totaj do të ketë mbështetjen e tij.

Haskuka: Ne jemi të interesuar që Prizreni të zhvillohet

“Unë i uroj punë të mbarë në menaxhimin e qytet dhe projekte të reja. Patëm një takim të gjatë, kemi pas edhe javën e kaluar një takim ku i kam shpjeguar projektet dhe disa çështjet më problematike. Dua t’i falënderojë të gjitha punëtorët e administratës për punën gjatë 4 vjetëve në realizimin e projekteve…Çdo drejtor e ka dosjen gati për drejtorët e rinj që do t’i marrin në pranim dorëzimin. Ne jemi të interesuar që Prizreni të zhvillohet, mos të ketë ndërprerje në aspektin e menaxhimit dhe problemeve të tjera që i ka qyteti. Prandaj çdo drejtor do t’i dorëzojë projektet që i ka komuna në mënyrë që mos të ketë ndërprerje të projekteve”, theksoi ai.

Në këtë konferencë, Totaj bëri të ditura edhe koalicionet e mundshme me partitë tjera politike për të krijuar shumicën në asamblenë komunale.

Totaj: Jemi në bisedime me LDK-në

“Jemi në bisedime dhe akoma nuk e kemi të qartë pasi nuk është vetëm një opsion sa i përket raporteve me LDK. Bisedimet janë me ton të mirë dhe presim që ditëve në vijim të kemi situatë më të qartë. Kurse emërimi i kabinetit pritet gjatë muajit dhjetor”, shtoi ai.

Krahas kësaj, në një konferencë të veçantë për medie, Totaj bëri të ditur se të premten do të bëhet betimi i asamblistëve të rinj komunal dhe zgjedhja e kryesuesit.

Ai qytetarëve prizenas iu premtoi transparëncë në udhëheqje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat