“Mshele gojën”/ Ish-nusja i hedh në gjyq ish-vjehrrit, shkak kujdestaria për vajzën e saj 3-vjeçe

Prizreni

“Mshele gojën”/ Ish-nusja i hedh në gjyq ish-vjehrrit, shkak kujdestaria për vajzën e saj 3-vjeçe

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 12:38
Gjykata e Prizrenit

Një vajzë 3-vjeç e katër muaj, e cila sipas gjyshërve të saj ka jetuar me ta që kur ishte 5 javëshe, tani po kërkohet nga nëna e saj bilogjike. I ati i vajzës ka vdekur, ndërsa ish-nusja i ka hedhur në gjyq ish-vjehrrit, këta të fundit kanë ushtruar kundër-padi ndaj saj, pasi pohojnë se nëna e 3-vjeçares e kishte braktisur vajzën e saj dhe duan që fëmija të rritet me ta derisa të aftësohet për të vendosur vetë se me kë dëshiron të jetojë. Por, ish-nusja e thotë të kundërtën, sipas saj ajo ishte dëbuar nga shtëpia. Media posedon aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit përmes së cilit nënës së vajzës i aprovohet kërkesa për kujdestarinë e vajzës.

Aktgjykimi në fjalë është përpiluar më datë 05.01.2022, mirëpo palët kanë të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor prej 15 ditësh. Aktualisht vajza ndodhet te gjyshërit e saj dhe të njëjtit janë të obliguar t’ia lejojnë kontaktin me vajzën ish-nusës, ashtu siç është përcaktuar nga gjyqtari.

Nusja me inicialet F.D., nga Fushë Kosova, ka ushtruar padi ndaj ish-vjehrrive të saj H.H., dhe H.H., duke kërkuar besimin dhe kujdesin ndaj fëmijës së saj, ku nga vendimi i shkallës së I-rë të Gjykatës i është aprovuar, por edhe palët e paditura (ish-vjehrria) kanë paraqitur padi ndaj ish-nuses dhe në të njëjtën kohë kërkojnë që fëmiu të ju besohet në ruajtje, edukim dhe mbrojtje, kërkesë kjo që u është refuzuar.

“Aprovohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësës- kundër të paditurës F.D., dhe fëmiju i lindur më 5.10.2018 në Prishtinë, i besohet në ruajtje kujdes dhe edukim të ëmës F.D., përkatësisht këtu paditësës- kundër të paditurës dhe obligohen të paditurit t’ia dorëzojnë të ëmës së saj F.D., të gjitha këto brenda afatit 15 ditor nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ndërsa, kërkesa e F.D., për marrjen e 300 eurove çdo muaj nga ish-vjehrritë e saj për shpenzime të vajzës është refuzuar.

F.D., është detyruar që ish-vjehrrive kontaktin me fëmijën t’ua mundësojë çdo të mërkurë duke filluar nga ora 15:30 deri në orën 19:00, ku dorëzimi dhe pranimi i fëmijut të mitur bëhet në Qendrën për Punë Sociale.

Por, çfarë kanë cekur palët në paditë e ushtruara kundër njëri-tjetrit?

“Ish-nusja, F.D., në padi e ka cekur se kishte bashkëjetuar me ish partnerin e saj, nga e cila bashkësi ka lindur vajza, e cila tani është 3-vjeçe. Kjo bashkësi ishte prishur në kohën kur e mitura i kishte 5 javë, pasi që nëna e vajzës ishte detyruar të largohet nga shtëpia e saj fëmija kishte mbetur me të atin e saj. Në padi është theksuar se i ati i fëmijës kishte vdekur dhe vajza kishte vazhduar të jetoj me gjyshërit e saj dhe nënës nuk i mundësohet as kontakti me të njëjtën”, theksohet në aktgjykim.

Por, në padinë e tyre, gjyshërit kanë kërkuar që vajza t’u besohet atyre, sipas tyre pretendimet e ish-nuses se ajo është detyruar të largohej nga shtëpia janë të pavërteta. Ata deklarojnë se e njëjta me vetëdëshirë e kishte lëshuar shtëpinë dhe e kishte lënë vajzën vetëm 5 javëshe, duke refuzuar ta ushqente me qumështin e saj. Sipas tyre kërkesa e ish-nusës për pagimin e alimentacionit prej 300 euro është përfitimi material dhe jo interesi i fëmijës.

Tutje, ish-nusja, F.D., ka deklaruar se me të ndjerin ka pasur probleme edhe para se të ndaheshin përfundimisht, “ku ajo është dëbuar pa dëshirën e saj, nga shtëpia e bashkëshortit dhe vajza kishte mbetur të jetonte me të atin dhe familjen e tij. Ajo pohon se është shumë e gatshme të kujdeset për vajzën e saj dhe deklaron se dita më e lumtur e jetës është kur ka kontakt me të”.

Ish-vjehrri i gruas nga Fushë Kosova: Vajza heziton të takohet me të ëmën

Ish-vjehrri i saj ka deklaruar se vajza është braktisur nga nëna e saj kur ishte 5 javëshe dhe nga ajo kohë për të kujdeset gjyshi dhe gjyshja e saj. Sipas tij, mbesës së tyre nuk i mungon asgjë, duke theksuar se lidhja emocionale mes tyre dhe vajzës është shumë e fortë. Ai ka deklaruar se vajza duhet të qëndrojë me gjyshërit derisa derisa të bëhet vetë e vetëdijshme dhe të vendos se ku dëshiron të jetojë.

Sipas tij, vajza heziton të takohet me të ëmën.

Sipas ish-vjehrrës H.H., ish-nusja, kur vajza ka qenë dy apo tri javë kur kishte qajtur natën i kishte thënë me zë të lartë “mshele gojën”.

“Ajo ka deklaruar se kujdeset për vajzën, dhe kur është e sëmurë ia mban dorën dhe nu kia lëshon, dhe se është në gjendje të mos flejë tërë natën vetëm të kujdeset për mbesën e saj. Sipas saj, pa prezencën e saj, vajzën nuk e zë gjumi, nuk e hanë ushqimin dhe është në gjendje me ia zëvenësu ushqimin 2,3,4 herë nëse vajzës nuk i pëlqën. Sipas saj, 3-vjeçarja si babë dhe nënë i njëh gjyshërit e saj, sepse ashtu i ka quajtur prej kur ka filluar të flasë”.

F.D., ka thënë se kujdestarinë e vajzës do ta kërkojë deri në fund, madje thotë se këtë çështje e ka dërguar edhe në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu ka thënë se sot e ka raportuar rastin edhe në polici, këta të fundit nuk e kanë konfirmuar rastin akoma.

Ndërkaq, ish-vjehrri H.H., ka deklaruar se vajza ka probleme shëndetësore dhe nëna e saj e ka “bllokuar” duke mos nënshkruar që 3-vjeçarja të dërgohet për shërim jashtë vendit.

Ai tha se ish-reja tashmë “po e rrezikon edhe jetën e mbesës së tij”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat