​Mbi 90 milionë euro buxhet për Prizrenin, Kurti: Mirëqenia për qytetarin prioritet i yni

Prizreni

​Mbi 90 milionë euro buxhet për Prizrenin, Kurti: Mirëqenia për qytetarin prioritet i yni

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 17:04
F

Gjatë shpalosjes së Projektbuxhetit për vitin 2023 para qytetarëve të Prizrenit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo komunë do të ketë buxhet për vitin 2023 mbi 92.5 milionë euro, prej tyre sipas tij 32 milionë euro janë të parapara për shpenzimet kapitale.

Kryeministri Kurti i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Financave dhe ai i Pushtetit Lokal, theksoi se edhe në vitin 2023, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritet e qeverisë. 

Kurti: Për komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro

“Ky buxhet është më i larti në historinë e Republikës tonë, kjo pasi përkundër sfidave dhe krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike. Për komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro, me ç’rast prej këtyre mjeteve për shpenzime kapitale në Prizren kemi ndarë mbi 32 milionë euro. Edhe në vitin 2023, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritete tona. I kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi në nivelin qendror dhe lokal. Nga këto mjete 60 milionë euro janë për barna esenciale. Kështu që 20 për qind e buxhetit për shëndetësi, është për barna esenciale”, tha Kurti. 

Kryeministri Kurti foli edhe për disa investime që do të ndodhin vitin e ardhshëm në Prizren, si në shëndetësi, infrastrukturë, arsim, për rini dhe sport. Ministria e Shëndetësisë, do ta bëjë renovimin e Qendrës së Transfuzionit në Prizren, për të përmirësuar, siç tha Kurti shërbimet e shëndetësisë në këtë komunë. 

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se me buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë edhe buxhetimi i Ligjit të pagave. 

Muati: Kemi buxhetuar edhe Ligjin për pagat

“Për paga jemi përkujdes që përveç rritjes së parvjetshme që bëhet në kuadër përvojës së punës që shtohet 0.5 për qind, për çdo vit përvojë pune, jemi përkujdes dhe ta buxhetojmë edhe ligjin e pagave që pritet të hyjë në fuqi”, theksoi ai. 

Duke folur për projeksionet buxhetore, ministri Murati tha se bizneset e afërta më politikën tash po kontrollohen më shumë se në të kaluarën dhe po paguajnë tatim. 

Murati: Bizneset e afërta më politikën tash po kontrollohen më shumë se në të kaluarën

“Me të marrë ne detyrën, jemi siguruar që ta bëjmë konsolidimin fiskal apo të shtrijmë mbledhjen e të hyrave tatimore pa i rritur tatimet. Kështu që asnjë tatim askund nuk e kemi rritur, por ideja ka qenë që më mbledh tatimin aty ku nuk po mblidhet. Ka pasur disa biznese të afërta me politikën që nuk iu kanë shkuar kontrollet fare. Tash vizitohen pak më shpesh shumica e bizneseve, paguajnë pak më shumë tatim”, tha Murati.

Gjatë fjalimit të ministrit Murati në sallën ku mbahej diskutimi me qytetarët është ndalur rryma. Ashtu edhe në terr, tre katër minuta ministri Financave foli për buxhetin, ku plasën të qeshurat nga qytetarët. 

Projektligji për buxhetin për vitin 2023 në vlerë mbi 3.2 miliardë euro është miratuar në parim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat