Komuna e Dragashit fillon projektin për Papa Test pa pagesë në QKMF

Prizreni

Komuna e Dragashit fillon projektin për Papa Test pa pagesë në QKMF

Më: 14 prill 2025 Në ora: 18:21
QKMF

Komuna e Dragashit ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht realizimin e projektit për ofrimin e Papa Testit pa pagesë për gratë e kësaj komune.

Kryetari Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit, Arijeta Skeraj, vizituan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ku u pritën nga drejtori Endrit Piraj.

"Gjatë vizitës, udhëheqësit komunalë u informuan për ecurinë e punës së QKMF-së dhe për shërbimet që do të ofrohen në kuadër të programit të ri për kujdesin paliativ, i cili synon të mbulojë me shërbime shëndetësore në shtëpi personat që nuk kanë mundësi të vizitojnë qendrën, si të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

Një ndër projektet kyçe të kësaj qendre është edhe ofrimi i Papa Testit pa pagesë, i cili do të implementohet nga gjinekologu Femi Bojaxhiu. Ai do të jetë në dispozicion të pacienteve çdo ditë pune, nga ora 09:00 deri në 13:00, pa nevojën për caktim paraprak të terminit.

Ky projekt vjen si rezultat i angazhimit të Grupit të Grave Asambleiste të Kuvendit Komunal dhe do të financohet kryesisht nga Komuna e Dragashit, ndërsa një pjesë e mbështetjes do të sigurohet nga donatorët", thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat