Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu ka reaguar lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore e Prizrenit duke shprehur qëndrimin se padrejtësisht është përfshirë në të.
Ai ka theksuar se është akuzuar për gjëra që nuk janë në kompetencën e përgjegjësinë e tij, dhe ka shprehur bindjen se ky akt i akuzës nuk do të konfirmohet në gjyqësor.
“Nga mediat jam informuar për përfshirjen time në një aktakuzë, e cila fare nuk ka të bëj me mua si Drejtor i Administratës. Zyrtarisht aktakuza ende nuk është konfirmuar dhe besoj që nuk do të konfirmohet sepse padrejtësisht jam involvuar në të, për gjëra të cilat nuk janë në kompetencën dhe përgjegjësinë time. Dua të deklaroj publikisht shkurt dhe qartë se nuk kam asnjë lidhje apo përfshirje me këtë aktakuzë”, thuhet në reagimin e Shehut.
Zyrtari i lartë komunal ka shprehur besimin se gjyqësori do të merr vendim meritor për këtë rast.
“Besoj fuqishëm se në institucionet vendimmarrëse të drejtësisë ka njerëz profesionistë, të cilët gjykojnë drejtë dhe pa ndikime politike”, është shprehur Shehu.
Për dallim prej tij, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se është në pritje të njoftimit zyrtar nga organet e drejtësisë lidhur me aktakuzën ndaj shtatë zyrtarëve komunalë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas tij për veprimet eventuale mund të diskutohet vetëm pas njoftimit me përmbajtjen e aktit të akuzës.
Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe D.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.