Me moton “Barazi për të gjithë”, të shtunën, në Prizren është përmbyllur Java e Distrofisë Muskulare 2025, organizuar nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK). Aktivitetet janë zhvilluar në Sheshin e Lidhjes dhe kanë përfshirë ekspozita e performanca artistike, me mesazhe ndërgjegjësuese.
Për shtatë ditë me radhë, një ekspozitë me punime artizanale të realizuara nga vajza dhe gra me aftësi të kufizuara ka qëndruar e hapur për publikun. Përveç vlerës artistike, qëllimi i saj ishte edhe ofrimi i mbështetjes ekonomike për autoret e punimeve. Sipas organizatorëve, angazhimi në punë krijuese ka ndikuar pozitivisht në vetëbesimin dhe mirëqenien e tyre.
Në kuadër të programit, sipas njoftimit të OPDMK, u zhvillua edhe një aktivitet simbolik me titull “Pema e Barazisë”, ku qytetarët patën mundësinë të linin gjurmën e dorës së tyre në një pëlhurë, si shenjë përkrahjeje për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Pema u vizatua fillimisht nga vullnetarë të Kuvendit Rinor të Prizrenit dhe u plotësua nga pjesëmarrësit, duke u shndërruar në një simbol të një shoqërie më përfshirëse.
Pjesë e aktiviteteve ishin edhe performanca muzikore dhe vallëzimi i realizuar në bashkëpunim ndërmjet vajzave në karrocë dhe balerinave, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për përfshirjen e barabartë në jetën kulturore.
Në ditën përmbyllëse, qytetarët u ftuan të shkruanin mesazhe drejtuar institucioneve për përmirësimin e politikave për personat me aftësi të kufizuara. Këto mesazhe do të dorëzohen në mënyrë simbolike në Komunën e Prizrenit në ditët në vijim.
Në përmbyllje të aktivitetit morën pjesë qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe drejtoresha për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Shpresa Murati.
Ngjarja u organizua nga OPDMK në bashkëpunim me “Studio Passe”, OJQ “EC Ma Ndryshe”, vullnetarët e Kuvendit Rinor të Prizrenit, përfshirë aktivistët, si Prek Memaj, Edin Gështenja, Linda Simitçiu dhe Galdim Vagangjiu.Përmes një deklarate, OPDMK ka falënderuar të gjithë kontribuuesit dhe pjesëmarrësit në këtë edicion, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe mbulimin mediatik të ofruar nga mediat lokale dhe qendrore.