Prokuroria e Prizrenit dhe Policia koordinohen për luftimin e korrupsionit, në fokus edhe lejet e ndërtimit

Prizren

Prokuroria e Prizrenit dhe Policia koordinohen për luftimin e korrupsionit, në fokus edhe lejet e ndërtimit

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 16:13
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, gjatë takimit me Azem Krasniqin.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Azem Krasniqin, shef i Sektorit të Njësive Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e kriminalitetit ekonomik dhe korrupsionit.

Gjatë takimit, të mbajtur më 27 nëntor, vëmendje e veçantë iu kushtua trajtimit të rasteve të krimeve ekonomike, luftimit të korrupsionit dhe identifikimit të veprave penale që cenojnë integritetin institucional dhe interesin publik.

Në këtë drejtim, u theksua nevoja për koordinim më të ngushtë ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së efikasitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve.

Në fokus edhe lejet e ndërtimit

Një nga çështjet e diskutuara gjatë takimit ishte edhe sektori i ndërtimit, në veçanti lejet për ndërtimin e objekteve banesore.

Sipas njoftimit, palët diskutuan për aspektet që mund të përbëjnë shkelje ligjore dhe elemente të veprave penale, si dhe për rëndësinë e identifikimit dhe adresimit me kohë të rasteve të tilla.

Po ashtu, u diskutua për funksionalizimin dhe angazhimin e njësive të veçanta për hetimin e rasteve të korrupsionit, avancimin e metodave hetimore, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve mes institucioneve.

Theksohen sfidat në hetimin e korrupsionit

Gjatë takimit u trajtuan edhe sfidat me të cilat përballen institucionet në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Ndër to u përmendën kompleksiteti i rasteve, sigurimi dhe analizimi i provave, si dhe nevoja për kapacitete të specializuara profesionale dhe teknike.

Në përfundim, të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm, komunikimit të drejtpërdrejtë dhe koordinimit të veprimeve konkrete, duke shprehur gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në parandalimin, zbulimin dhe ndjekjen penale të veprave që lidhen me krimin ekonomik dhe korrupsionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat