E madhja Nënë Tereza gjithnjë në shërbim të të varfërve

Religjion

E madhja Nënë Tereza gjithnjë në shërbim të të varfërve

Nga: Prof.Dr Hivzi Muharremi Më: 6 shtator 2022 Në ora: 19:07
Autori prof.dr. Hivzi Muharremi

 

Figura e Nënës mbetet sot e gjithë ditën moment madhështor i historisë së njerëzimit. Sot, duke përkujtuar figurën markante të mirësisë e të miqësisë mes njerëzish, përkujtojmë tërë një popull që qiti në dritë bijë e bija të tilla, pa të cilat historia njerëzore do të ishte e mangët.

Edhe sikur njëqind herë të merrja guxim të ulem mbi tryezë e të fillojë pasqyrimin, prezantimin e jetës e të gjitha të bëmave që na dhuroi me shpirt e me zemër E Madhja Nënë Tereza, unë përsëri do të mbetesha i varfër për atë që duhet të thuhet e të shprehet për këtë personalitet, edhe pse duhet thënë se dr. Don Lush Gjergji me veprat e tij i ka dhënë hijeshi jetës dhe veprës së Nënë Terezës, e cila me aq përkushtim gjatë gjithë jetës së saj mbajti nevojtarët e të varfrit e këtij labirinti shpirtëror.

Sot, jemi tubuar këtu, në këtë në ketë manifestim të përkujtimit të Nënës Legjendë, të Nënës nobeliste, të Nënës shqiptare, të Nënës së të gjithë popujve të botës. Dihet mirëfilli se të gjitha lulet nuk adhurohen njësoj, e kjo Lulegonxhe, gjak i shprishur yni, ashtu siç gjithmonë në jetë u soll njësoj për të gjithë popujt, për të vegjlit e të mëdhenjtë, për të varfrit e të pasurit, u bë lule e dashurisë, e bamirësisë, lule e paqes.

Del nga një tempull fisnik dhe që nga andej me zemërgjerësinë e saj shëmbëllen shërbim për të tjerët, kurse me fuqinë e dashurisë e flijimit dhembjen dhe urinë i kthen në gëzim e buzëqeshje. Te rralla janë ato personalitete në historinë e njerëzimit që me aq admirim e dashuri preken e materializohen në të gjitha rrafshet për t‟u ngritur në përmendore që i mbijetojnë çdo realiteti të kohës. Kështu e ka kjo E Madhja Nënë, kjo misionare e botës që u mishërua me penën e poetit, me daltën e gdhendësit, me penelin e piktorit, me notat e muziktarit e kompozitorit, me frymëmarrjen e popullit dhe arsimdhënësin e kohës.

Kështu radhiten frymëzimet e krijuesve duke u ngritur në piedestalin më të lartë, kurse frymëmarrja e Nënës bëhet gjithnjë më e gjallë, më e pranishme dhe më afër zemrës. Në këtë drejtim mjeshtrit e mëdhenj të penelatës skalitin figurën madhështore me të gjitha vetitë e larta të protagonistes, duke krijuar xhevahire të vërteta kujdesi e shprese.

Te secili krijues që sajon me mjeshtri këtë figurë madhështore vërehet stili vetjak dhe kuptimplotë. Kështu, për shembull, piktori i mirënjohur shqiptar, Ibrahim Kodra, me renome botërore, kultivon me mjaft mjeshtri elementet e seleksionuara të folklorit shqiptar. Në opusin e tij artistik veçohet edhe kompozicioni për Nënë Terezën në Bejrut, punuar e pikturuar në stilin gjeometriko-abstrakt.

Në epiqendër të kompozicionit gjithnjë dominon figura stoike e Nënës në përqafimin e së cilës fëmija i varfër e i sëmurë gjen ngushëllimin e shpirtit të tij, gëzimin për jetë dhe dashurinë për ta vazhduar pa krajata. Është kjo Pëllumbeshë e Paqes, me shikime të thella e të hedhura aty ku jeta duhet vazhduar pa brenga e ironi. Ajo shfaqet pothuajse përherë e rrethuar nga engjëjt e kësaj bote, nevojtarët shpirtëmbël që kërkojnë një lloj mëshire pa e thyer moralin. Kompozicioni përshkruhet me ngjyra të ngrohta tërheqëse dhe në prapavijë me ngjyra të lehta e mjaft transparente karshi figurës në pjesën e saj qendrore.

Ndërkaq, Gjelosh Gjokaj, piktor i temave kosovare, që kohët e fundit e deri në amshim, kryesisht ka jetuar dhe vepruar në Gjermani, me mjaft përkushtim pikturoi portretin e Nënë Terezës me titull: “Një koncert për Nënën Terezë”. Kjo vepër lëkundet mes reales e imagjinatës, por që fton botën për mirëqenie, paqe e dashuri mes njerëzish. Shikimet e saj janë të qeta dhe me përplot dashuri. Fëmijët e botës, zogj nevojtarë e të uritur, sillen vërdallë dhe gjejnë jo vetëm ngushëllim në mendimet e saj, por edhe zgjidhje fatlume të problemeve dhe kërkesave të tyre reale.

Mendimet fisnike të Nënës nga njëra anë dhe zogjtë fluturues të lidhur e të bashkuar mes veti qëndrojnë si shkëmbinj plumb të rëndë që trusin të keqen dhe hijerëndin pas jetës. Pra, ata çlirohen nga e mykura, nga zvetënuara dhe e pafuqishmja, duke e sfiduar jetën, buzëqeshjen, mirësinë e dashurinë. Kompozicioni del nga errësira e thellë dhe fiton në bardhësinë e vet, duke e ironizuar shpirtin dhe moralin e shtypësit.

Edhe te piktori i mirënjohur i kullave kosovare, Muslim Mulliqi, ndeshim figurën e shquar të saj. Nënë Tereza e Mulliqit qëndron si kullë përballë kullës qëndresë, duke u bërë ballë furtunave nga Lindja e Perëndimi, nga Jugu e Veriu përmes virtytit humanist e bamirës. Figura e saj shëmbëllen qëndrueshmërinë e shpirtit të saj bujar e fisnik. Ajo sikur dëshiron ta fusë tërë botën në një kullë dhe t‟i bashkojë frymëmarrjet e njerëzve në një të vetmen fjalë: dashuri njerëzore.

Piktori Rexhep Ferri e vijëzon portretin e Nënës me butësi, ashtu siç Nëna është në përditshmërinë e zakonshme me të gjithë fëmijët. Figura mban në vete elemente të nënës kreshnike të nënqiellit tonë, që butësisht dhe me njëfarë lutjeje e miradijeje i përkëdhel fëmijët e botës që moti kanë humbur buzëqeshjen e ngrohtë të nënës. Portreti i Nënës me shami në kokë na thotë edhe diçka tjetër: Ajo nuk u takon vetëm këtyre trevave, por edhe Kalkutës e gjithë botës. Piktori me mjeshtri i vijëzon rrudhat e fytyrës në veprën e vet dhe qartëson të thelluarat e vuajtjeve shpirtërore në këto 80 motmote. Për këtë rrugë të gjatë na flet piktori.

Kur ndalemi te Engjëll Berisha shohim medaljonin e portretizuar në medaljon. A s‟është madhështore kjo? Sigurisht. Një PO e madhe qëndron këtu. Është kjo vendlindja e Lindjes së Madhe – Nënë Terezës.

Ndonëse patinën e mundon mosha, ajo paraqet ngrohtësinë e nënës gjatë viteve të shkuara. Zemra e nënës nuk ndryshkët e vyshket mu si medaljoni. Mendja na thotë se krijuesi Shyqri Nimani shquhet me mjeshtërinë e tij në kompozicionin “Ylberi i paqes së Nënë Terezës”. Shpirti i Nënës është i çiltër sa ngjyrat e ylberit – lirim i shpirtrave njerëzorë nga të gjitha mëkatet. Për një moment Nëna merr fuqinë nga brendësia dhe fuqimisht në shuplakë dore mban ylberin shumëngjyrësh të jetës e të faljes së të pafuqishmëve. Kjo është bota e ajo jeton me botën – me njerëzimin vetëm njerëzishëm.

Gufimi i emocioneve rinore veçohet sidomos në veprën “Gonxhe për gonxhen” në projektin për pllakat të Musa Kalaveshit. Musai e shpreh dufin shpirtëror në Gonxhen që ia dhuron Gonxhes – misionares së paqes. Çfarë madhështie?! Gonxhja për Gonxhen e me të për botën. Lulegonxhja përmes buzëqeshjes ëmbëlsore përkëdhel botën e të përvuajturve dhe fton të tjerët jo për mëshirë, por për mirëkuptim më të madh. Kështu Musai ndërton botën e mrekullueshme, ku i gjithë njerëzimi mund të gjallojë pa brenga e në paqe.

Këtë herë pa ndonjë qëllim iu shmanga shumë piktorëve që tanimë janë emra të njohur të këtij nënqielli, meqenëse tek akëcili prej tyre frymon i njëjti qëllim, por i shprehur veç e veç sipas një stili vetjak. Figura e Nënës mbetet sot e gjithë ditën moment madhështor i historisë së njerëzimit. Sot, duke përkujtuar figurën markante të mirësisë e të miqësisë mes njerëzish, përkujtojmë tërë një popull që qiti në dritë bijë e bija të tilla, pa të cilat historia njerëzore do të ishte e mangët.

1990

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat