Me lutje për paqe e falje është mbajtur mesha për besimtarët katolikë në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Famulltari Don Agim Qerkini ka përçuar një mesazh për besimtarët e fesë krishtere, duke thënë se “duhet bërë bartës për paqe në jetë”.
Don Agim Qerkini u shpreh se me lutjet e tyre, të kujtojnë të moshuarin, të vetmuarin e të sëmurin që Zoti në anë të lutjeve t’i forcojë në vështirësi të jetës.
Agim Qerkini: Le të bëhemi bartës së paqes në çdo rrethanë të jetës
“Mëngjesi i kësaj dite thirret në disa shprehje të forta, shikimi, vrapimi, feja, varri bosh, festojmë ditën më të ndritur, të gëzuar, të besimit tonë, ngjalljen e Zotit. Mos të harrojmë se ne na përket të kryejmë vullnetin e krijuesit tonë. Populli ynë dhe i gjithë njerëzimi, sot kanë shumë nevojë për një paqe të vërtetë, të trefishtë me Zotin, të afërmin, me vetveten, ta lusim Krishtin që paqja e tij të mbretërojë në mbarë botën. Le të bëhemi bartës së paqes në çdo rrethanë të jetës dhe ta jetësojmë kështu mësimin e tij. Të kujtojmë me lutje tona të moshuarit, vetmuarit, të sëmurit, që Zoti t’i forcojë në vështirësi të jetës”, tha Qerkini.
Ndërkaq në qendrën “Bogdanipolis” në Katedralen “Shën Nëna Tereza” në ora 19:00 do të mbahet pritja solemne për Pashkët.
Ndërsa, mbrëmë ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur sonte në Katedralen “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.
Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.