Udhëtimi nga Dibra në Dibër, përmes Strezimirit, Restelicës, Shishtavecit dhe Radomirës

Reportazhe

Udhëtimi nga Dibra në Dibër, përmes Strezimirit, Restelicës, Shishtavecit dhe Radomirës

Nga: Fitim DIka Më: 5 janar 2023 Në ora: 19:11
Foto nga udhëpërshkimi

Ishte fundjava e parafundit e 2022 dhe tre miq duke shfrytëzuar kohën e kthejllët me diell, temperaturat e larta dimërore dhe shkrirjen e borës në mbi 2000m lartësi mbidetare, dëshironin të bënin një udhëtim sado aventurier, po aq edhe të përgatitur.

Pasi një ditë më parë, Fitim Dika, kishte marrë leje nga policia e Kosovës për të kaluar pa kontrollë kufirin e mbyllur mes Strezimirit dhe Restelicës, ai sëbashku me Butrint Selën dhe Brezar Dibrën nisën një rrethrrotullim me qendër malin e Korabit.

Ora ishte 9.00 ku të tre adhuruesit e maleve pinë një kafe në Retro 2 të Dibrës së madhe. Pasi blenë ca burekë me mish e me gjizë, nisen drejt magjistrales së Mavrovës për të marrë kthesën drejt Strezimirit. Herë pas here shfaqej frika se pas shirave të rrëmbyeshëm të mesdhjetorit, rruga nga Strezimiri për në Restelicë mund të ishte mbyllur edhe falë natyrës, përveç edhe falë shtetit që nuk mund ta mirëmbajë dhe asfaltojë. Megjithatë, fati ishte me ne dhe rruga përtej gropave me baltë dhe disa gurëve të rënë përgjatë rrugës, mes bukurive përallore dhe të qeta skajshmërisht, duke mos parë as edhe një polic dhe udhëtar rasti, arritëm në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ishte momenti për të kaluar kufirin dhe pas 1km fillonte asfalti, i cili, ishte shtruar me aq delikatesë në këtë zonë të humbur dhe në zgrip të Kosovës, por mjaft të bukur mes Dibrës dhe Prizrenit. Falë vullnetit të mirë të policisë së Kosovës dhe qeverive të Kosovës, ky udhëtim shkoi aq për së mbari. Ishte policia e Kosovës që reagoi menjëherë për dhënien e lejes së qarkullimit në territorin e saj, përkundër që kolegët e saj në Tiranë e Shkup duhet me mijëra herë lutje e administratë, dhe ishte qeveria e Kosovës që falë asfaltimit të rrugës malore në Restelicë deri në kufi me Maqedoninë Veriore i jepte hijeshi udhëtimit tonë të admiruar.

Kosovë

U ndalëm pak në brendësi të territorit të Kosovës, ku përveç asfaltit kishte edhe shumë kroje të reja të ujit të kristaltë, dhe ku nga një vend dukej maja e Korabit të Madh, Piramida që simbolizon trekëndëshin kufitar mes Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, si dhe shtëpinë cilindrore që dukej me dylbinë në Majën e Titos. Vend mahnitës, falë diellit dhe ajrit të pastër në lartësi 1920m.

Dashuria ndaj natyrës është dashuri që nuk të zhgënjen kurrë, thoshte Balzaku, që shkonte përshtati për këta tre dashamirë të maleve. 

Restelicë/Shishtavec

Pas një ndalese të shkurtër në këtë peizazh, tre të rinjtë me arushën e maleve Jeep Grand Cherokee, nisen drejt Restelicës ku ndaluan për një kafe rasti. Aty dëgjoheshin kamarierët që mes veti flisnin një gjuhë të përzier mes maqedonishtes dhe serbishtes. Nga Restelica nisen drejt fshatit Krushevë, që një rrugë majtas merrte përpjetën për kufirin e ri ndërkomnbëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Dikur ky kufi ishte vetëm për banorët vendas të Dragashit, kurse tani funksiononte edhe për banorët tjerë. Kaluam pa problem kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe menjëherë djathtas ndodhej “Parku i Aventurave”- Shishtavec, i promovuar disaherë në rrjetet sociale të kryeministrit Edi Rama. Ishin thjesht të ndërtuar tre shtëpi të vogla dhe disa rrjeta për të ushtruar ngjitjet dhe dukeshin si ushtrime të lehta të rekrutëve fillestarë. Aty të kujtohet sesa të etur janë për reklamë disa politikanë.

Kukës

Nga Shishtaveci me rrugën gjarpërore që tani merrte tatëpjetën nisemi drejt Kukësit historik. Rruga ishte mjaft e bukur dhe kjo vërehet edhe nga deklaratat e ambasadorëve të huaj në Tiranë. Çdokund ku kapte syri lart në bjeshkën e Shqipërisë, kishte ndonjë shtëpizë, apo ndokund edhe disa shtëpia. Tokë që ka mbetur e vetmuar vështirë që gjendet në Shqipëri, përkundër që nuk janë të asfaltuar si në Kosovë. Arritëm në Kukës, duke kaluar nën urën e Rrugës së Kombit. Në Kukës përkundër emigrimit masiv, pamë plot të ri kafeve dhe stadiumin që do e kishte zili edhe ndonjë vend europian. Tre miqtë dibranë pyetnin veten, pse Dibra që ka po aq banorë sa Kukësi nuk ka një stadion të tillë dhe as një qendër të tillë, aq më pak aeroport ndërkombëtar?

Me siguri kjo ndikuar edhe nga qeveria e Tiranës, që kësaj here kishte bërë diçka pozitive me Rilindjen urbane.

Radomirë/Peshkopi

Pasi hëngrëm drekë te Lugina e Drinit, treshja niset nga Kukësi drejt Peshkopisë për nga rruga me shumë kthesa. Kaluam Kolesjanin, Radomirën, Kastriotin dhe në fund në Dobrovë të Peshkopisë u ndalëm për një kafe në “Street Bar” të Pajtim Vranicit. Ai erdhi menjëherë, po sa mori vesht që tre miqtë e vjetër të Dibrës së madhe ishin aty. Biseduan për malet dhe emisionet e fundit rreth maleve dibrane. Pajtimi tashmë më shumë ishte i fokusuar te motorët e skijimit që i jepnin më shumë adrenalinë.

Dibër e madhe

Në fund erdhëm aty ky filloi. Një rrethrrotullim mjaft përallor që i mungon vetëm pak investimi, ose për ta kryer duhet të kesh nerva administrative dhe një fuoristradë. U ndalëm në Retro2 dhe u përshëndetëm për këtë udhëtim që mund të kryehej përherë të parë pas shumë vitesh nga të rinjtë dibranë - legalisht.

Kosova duhet të falenderohet që asfalton rrugë në zgrip të maleve dhe nuk del qeveria me reklama pompoze, të falenderohet për policinë vigjilente që jep leje kur është nevoja për vizita turistike, kurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të marrin mësim për këto çështje nga shteti më i ri.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat