Problemet më të shpeshta urologjike te fëmijët, si duhen kuptuar e trajtuar në kohë!

Shëndetësia

Problemet më të shpeshta urologjike te fëmijët, si duhen kuptuar e trajtuar në kohë!

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 15:31
Ilustrim

Mjeku urolog Artan Koni thotë se problemet e aparatit urinar janë të shumta, sidomos në moshat e vogla. Një pjesë prej tyre, thekson ai, janë të lindura, një pjesë tjetër të fituara në vite. Çfarë është me rëndësi është trajtimi i tyre në kohë, kjo për vetë faktin se disa probleme, të cilat mund të zgjidhen lehtësisht që në fillim, rriten dhe bëhen shqetësuese me kalimin e viteve, duke e çuar fëmijën drejt dializës dhe transplantit të veshkave. Doktor Koni ka titullin FEAPU, që do të thotë, urolog pediatër i njohur nga Organizata Ndërkombëtare Europiane e Urologjisë.

Lidhur me përvojën e tij jashtë vendit dhe metodat që aplikohen jashtë në trajtimin e këtyre patologjive, doktori shton se ndryshimi i parë nis nga mungesa e mjekëve specialistë. Mungesa e mjekëve nga njëra anë dhe mungesa e informacioneve në anën tjetër bën që prindërit të adresohen te kirurgët pediatër për problemet urologjike që shfaq fëmija i tyre. “Ka shumë ndryshim midis asaj që ndodh jashtë shtetit dhe asaj që ndodh këtu në Shqipëri.

Urologjia pediatrike funksiononte në Shqipëri për shumë vjet, por këto 15 vitet e fundit ka pasur një largim të urologëve nga problemet pediatrike. Në pamundësi për t’u kuruar nga një urolog, fëmijët janë detyruar deri diku, ose janë adresuar te kirurgët pediatër. Sot që flasim, është krijuar një shprehi që këta fëmijë të adresohen tek kirurgët pediatër edhe nga vetë mjekët e tjerë, sidomos mjekët pediatër. Për inerci, kjo gjë vazhdon akoma të mbetet e tillë. Vetëm prindërit që janë të informuar dhe që marrin informacion në internet, drejtohen te një urolog pediatër, pjesa tjetër e gjerë drejtohet te kirurgu pediatër. Normalisht, mjekësia moderne nuk funksionon kështu”, pohon mjeku urolog, Artan Koni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat