Coronavirusi përhapet më shumë në dhoma me ajër të thatë

Shëndetësia

Coronavirusi përhapet më shumë në dhoma me ajër të thatë

Më: 21 gusht 2020 Në ora: 08:42
Ilustrim

Mungesa e lagështisë së ajrit luan rol në përhapjen e coronavirusit. Studiuesit rekomandojnë, krahas masave të zakonshme si distanca e maska, të kontrollohet ajri, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur dhomat ngrohen.
Një grup studiuesish në Lajpcig dhe në Indi kanë arritur në konkluzionin, se lagështia e ajrit influencon përhapjen e COVID-19.

“Nëse lagështia relative e ajrit në dhoma është nën 40 për qind, atëherë pjesëzat e ajrit të lëshuar nga të infektuarit thithin më pak ujë, mbeten të lehta, rrotullohen në ajrin e dhomës dhe thithen kështu nga njerëzit e shëndetshëm”. Kështu është shprehur, Ajit Ahlavat, nga Instituti për Studimet Troposferike në Lajpcig të enjten, sipas agjencisë së lajmeve, dpa.

Në sfond të studimit qëndron rruga e përhapjes së virusit përmes aerosoleve, një përzierje shumë e vogël pjesëzash në ajër, krahas infektimit me teshtimë.

Ekipi i fizikantëve nga Qendrës Tropos dhe Laboratorit Kombëtar të Fizikës në Nju Delhi, CSIR kanë marrë në shqyrtim 10 studime ndërkombëtare, të publikuara në vitet 2007-2020 për ndikimin e lagështisë së ajrit në mbijetesën, përhapjen dhe infektimin me viruset e gripit dhe lloje të ndryshme virusesh. Rezutatet u publikuan në revistën e specializuar, “Aerosol and Air Quality Research.”

Studiuesit rekomandojnë, krahas masave të zakonshme si distanca dhe maska, të kontrollohet edhe ajri. Një lagështi relative prej 40 për qind deri 60 për qind mund të reduktojë përhapjen e viruseve dhe thithjen e tyre nga mukoza e hundës. Rezultatet kanë rëndësi për periudhën e dimrit të ardhshëm, për shkak se një numër shumë i madh njerëzish qëndrojnë në dhoma të nxehura.

“Ngrohja e ajrit të freskët sjell tharjen e tij. Në zonat klimatike të ftohta apo mesatare ajri në dhoma në kohën kur përdoret ngrohja është shpesh shumë i thatë, kjo mund të nxisë përhapjen e virusit”, shpjegon Alfred Wiedensohler nga qendra Tropos. Kur lagështia është e madhe, pjesëzat e ajrit zmadhohen e bien më shpejt në tokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat