A ndihet trupi më i plakur se ç’duhet për moshën që keni? Si ta dalloni

Shëndetësia

A ndihet trupi më i plakur se ç’duhet për moshën që keni? Si ta dalloni

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 06:51
Ilustrim

Dita e lindjes konsiderohet si një tregues i saktë i moshës së njeriut. Ndonjëherë, në varësi të gjendjes fizike dhe stilit të jetës, ndodh që trupi të ketë një paraqitje dhe funksionalitet krejt të ndryshëm. Madje njeriu mund të ngjajë më i ri ose më i moshuar se çfarë tregohet në çertifikatën e lindjes. Thënë ndryshe mosha kronologjike mund të jetë krejt e ndryshme nga ajo biologjike.

Mënyrat për përllogaritjen e moshës biologjike janë sipërfaqësore, megjithatë treguesit duhen marrë në konsideratë. Si ta kuptoni nëse trupi juaj ka një moshë të re apo të moshuar, bazuar në gjendjen tuaj fizike dhe stilin e jetesës?

Gjendja Fizike:

Rrahjet e Zemrës - Zemra është një prej organeve më të rëndësishme të trupit. Një zemër e shëndetshme është kryesore për mirëqenien. Rrahjet e zemrës janë zakonisht 60 deri në 100 në minutë. Kur trupi është duke u qetësuar, rrahjet nuk duhet të jenë më të shpejta apo më të ngadalta se shifrat e lartpërmendura. Vendosni dy gishta në pjesën e brendshme të kyçit të majtë duke prekur njërën prej dy arterieve kryesore në këtë zonë. Zakonisht nëse rrahjet e zemrës kur trupi pushon janë të ulëta, zemra është e fortë. Rrahjet e larta tregojnë se zemrës i duhet të punojë fort, se ajo është e dobët dhe më pak efikase.

Fleksibiliteti - Me kalimin e moshës, njerëzit janë më pak fleksibël. Kjo ndodh si pasojë e humbjes së fibrës së muskujve, strukturës kimike të indeve dhe rritjes së depozitave të kalçiumit. Uluni në dysheme dhe mbani shpinën drejt dhe këmbët drejt bashkuar. Mundohuni të prekni me duar gishtat e këmbëve pa i përthyer ato. Sa më fleksibël të jeni aq më në gjendje të mirë fizike është trupi.

Forca - Pas të tridhjetave, njerëzit që nuk kryejnë aktivitet fizik humbasin nga 3 deri në 5% të masës muskulare për çdo dhjetë vjet. Forca mund të matet duke kryer disa ushtrime fizike siç janë pompat. Nëse arrini të mbani trupin drejt dhe të ulni kraharorin sa më pranë dyshemesë për mbi 10 herë, atëherë me siguri masa juaj muskulare dhe forca fizike janë të mira.

Trupi në formë - Me kalimin e moshës, njerëzit kanë tendencën të shtojnë në peshë. Forma trupore dhe përmasat e belit apo të legenit janë një mënyrë e mirë për të pasur një ide për shpërndarjen e dhjamit në trup. Një gjë e tillë tregon rreziqet që i kanosen organizmit siç janë tensioni i lartë i gjakut, diabeti apo ishemia. Pjestoni perimetrin e belit me atë të legenit. Treguesi i duhur për meshkujt duhet të jetë 1.0 dhe për femrat 0.85. Nëse rezultati është një shifër më e lartë se kaq, atëherë trupi ka më shumë dhjamë seç duhet.

Stili i Jetesës:

Gjumi - Një i rritur ka nevojë për 7 deri në 8 orë gjumë çdo natë. Nëse flini më pak, do të jeni mendërisht të lodhur dhe fizikisht më të plakur. Mungesa e gjumit rrit rrezikun e tensionit të gjakut, sëmundjeve të veshkave, ishemisë dhe mbipeshës.

Veset - Alkooli dhe duhanpirja janë dy vese që rrisin rrezikun e plakjes së trupit dhe shfaqjes së kancerit, ishemisë, sëmundjeve të mëlçisë, pankreasit apo tensionit të lartë të gjakut. Sa i përket alkoolit, femrat duhet të pijnë vetëm një pije alkoolike në ditë, ndërsa meshkujt mund të mjaftohen me dy. Në lidhje me duhanin, mjekët janë të palëkundur në idenë se duhani nuk duhet pirë në asnjë mënyrë.

Ushqyerja - Ushqyerja e shëndetshme ul rrezikun e sëmundjeve si kanceri, sëmundjet e zemrës, ishemia, diabeti apo tensioni i lartë i gjakut. Një regjim i duhur ushqimor duhet të përmbajë 9 racione fruta dhe perimesh në ditë, mish pule, peshk, arra dhe drithëra të plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat