Aknet, trajtimi dhe parandalimi i tyre

Shëndetësia

Aknet, trajtimi dhe parandalimi i tyre

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 15:34
Foto Ilustrim

Trajtimi mediko-estetik i akneve është sipas mendimit dhe përvojës sime mënyra më e drejtë për të trajtuar problemin e akneve. Komedonet dhe, sidomos, kistet në formën cistike të akneve janë stade të evoluimit të një materiali purulent. Në mjeksi ka një thënie të vjetër sa vetë mjeksia – aty ky ka pus duhet zbrazur. Një vatër purulente nuk mund të trajtohet me antibiotikë dhe me mjekime të tjera konservatore, por thjesht duhet zbrazur. Këtu e ka fillesën protokolli që unë përdor dhe që ka rezultuar i suksesshëm në pothuajse të gjithë klientët e qendrës sime të mjeksisë estetike.

Po antibiotikët dhe trajtimet e tjera medikamentoze sa vend kanë në protokoll?

Pothuajse aspak! Unë i besoj shumë më tepër parimeve të mjeksisë natyrale. Mjeksia bashkëkohore sot bën thirrje për kujdes në përdorimin e antibiotikëve. Ajo përballohet me një sfidë madhore – antibiotikët që nuk veprojnë më sepse mikrobet kanë krijuar rezistencë dhe nevojës për t’ju drejtuar antibiotikëve të gjeneratave gjithmonë e më të reja. Kjo do të thotë antibiotikë më të fortë, më të shtrenjtë dhe, shpesh, me efekte më të rënda anësore. Edhe në trajtimin e akneve protokollet klasike kërkojnë trajtime të zgjatura me antibiotikë. Ndonëse dozat janë të vogla, nga përvoja shpesh konstatohet rikthim në gjendjen fillestare ose pothuajse në gjendjen fillestare vetëm pak javë pas ndërprerjes së mjekimit. Dhe kjo nuk është diçka pozitive, sepse antibiotiku nuk mund të përdoret pafundësisht. Nga ana tjetër, një klasë tjetër preparatesh që janë shfaqur në qarkullim vitet e fundit, bëjnë thirrje për kujdes edhe më të madh. Këto janë derivatet e vitaminës A.

Edhe vitaminat janë të rrezikshme?

Nuk bëhet fjalë për vitaminën A në formën e saj natyrale, megjithëse duhet të rikujtoj se vitamina A është nga të paktat vitamina që shkakton dëmtime në organizëm kur merret në doza të ekzagjeruara. Në trajtimin e akneve ka gjetur vend përdorimi i izotretinoinës që është një derivat i vitaminës A. Efekti kryesor i izotretinoinës është të ndalojë prodhimin e yndyrës në lëkurë. Duke qenë se aknet shkaktohen pikërisht nga prodhimi i tepër i yndyrës, izotretinoin përdoret për trajtimin e akneve në format që i rezistojnë të gjithë trajtimeve të tjera.

Pse vetëm në format rezistente?

Sepse izotretinoin nuk është një preparat i padëmshëm për organizmin. Efekti më i tmerrshëm i tij është aftësia për të dëmtuar fetusin tek gratë shtatzana duke shkaktuar defekte të lindura tek fëmijët. Kur izotretinoin jepet në vajza dhe gra që kanë jetë seksuale aktive, rekomandohet përdorimi i të paktën dy metodave kontraceptive. Kjo sepse ka raporte shkencore që nga 30% deri 80% e grave që kanë përdorur izotretinoin gjatë shtatzanisë kanë lindur fëmijë me defekte. Efekte të tjera anësore përfshijnë tharje të lëkurës dhe buzëve, rënie të flokëve, plasaritje të lëkurës, sensitivitet nga dielli, etj. Jo rrallë raportohen dhimbje koke, dhimbje mesi dhe dhimbje kyçesh. Megjithatë shqetësimi im kryesor është – një medikament që shkakton në një shkallë kaq të madhe dëme tek fetusi, a mund të jetë plotësisht i padëmshëm për organizmin? Dhe mbi të gjitha – a janë ndryshimet që ai shkakton në lëkurë të përhershme? Sepse yndyra që në rastin e akneve është “e padëshirueshme”, është përgjegjëse për ruajtjen e hidratimit dhe shëndetit të lëkurës gjatë gjithë jetës. Ndonëse lexoj vazhdimisht literaturë shkencore, këtyre pyetjeve ende nuk i kam gjetur një përgjigje përfundimtare. Rrjedhimisht, në qendrën time të estetikës mjeksore, ne aplikojmë vetëm trajtime që janë shumë pranë natyrës, teknika mikrokirugjikale, produkte dhe tretësira të thjeshta – vitamina, serume, antioksidantë në forma natyrale, pra diçka që prodhon rezultat pa dëmtuar dhe pa ekspozuar organizmin ndaj substancave që kanë potencial dëmtues.

Në fillim të intervistës premtuat të flisni për parandalimin e akneve. Çfarë u rekomandoni lexuesve të gazetës sonë?

Nuk është gjithmonë e mundur të parandalohet shfaqja e akneve, të cilat mbeten një problem në thelb shumë faktorial dhe me origjinë shpesh të panjohur. Në shfaqjen e tyre ndikojnë hormonet, tipi i lëkurës, ka mendime se edhe dieta ka rol, gjenetika, etj. Gjithsesi ka disa rregulla të thjeshta. Së pari, t’i rezistohet tundimit për të zbrazur (ose shtrydhur) komedonet dhe, aq më tepër kistet. Infektimi dhe përkeqësimi në këto raste është i paevitueshëm. Madje edhe mikrokirurgjia e kryer nga një person pa përvojë ka pothuajse gjithmonë të njëjtin rezultat. Së dyti, aknet nuk lidhen me papastërtinë. Personat e prekur nga aknet kanë tendencë të lajnë fytyrën ose pjesët e prekur shpesh, madje edhe në formë kompulsive. Kjo është e dëmshme sepse prish barrierat e lëkurës. Një lëkurë me akne nuk është e pistë; ajo thjesht ka nevojë për produkte të caktuara mjeksore ose kozmetike dhe pastruesi i zakonshëm mund të bëjë efektin e kundërt. Së treti, unë rekomandoj ndryshime në dietën dhe mënyrën e ushqyerjes së pacientëve me akne dhe kjo varet së tepërmi nga veçoritë e tyre individuale.

 Kuota

Trajtimi mediko-estetik i akneve është sipas mendimit dhe përvojës sime mënyra më e drejtë për të trajtuar problemin e akneve.

Unë rekomandoj vetëm trajtime që janë shumë pranë natyrës: teknika mikrokirugjikale, produkte dhe tretësira të thjeshta me vitamina, serume dhe antioksidantë

Një lëkurë me akne nuk është e pistë; ajo thjesht ka nevojë për produkte të caktuara mjeksore ose kozmetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat