Parandalimi i vetëvrasjeve në kohë pandemie

Shëndetësia

Parandalimi i vetëvrasjeve në kohë pandemie

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 12:03
Ilustrim

Përkeqësimi i shëndetit mendor i të sëmurëve mendorë, shtimi i rasteve të reja  me probleme të shëndetit mendor që ndërlidhen me pandeminë si ankthi, depresioni apo çrregullimi i stresit post-traumatik, vështirësitë ekonomike (humbja e vendeve të punës dhe falimentimi i bizneseve), perspektiva e paqartë, izolimi social, pikëllimi për humbjet e anëtarëve të familjes të prekur nga COVID-19, shtimi i abuzimit me substanca dhe vështirësia për qasje në shërbime janë një sërë faktorësh që ndërlidhen me një rrezik më të madh të vetëvrasjeve aktualisht, por që mund të arrijnë pikun me kalimin e pandemisë.

Sipas të dhënave kemi pasur shtim të vetëvrasjeve në SHBA gjatë gripit spanjoll në 1918 apo në Hong-Kong gjatë SARS-it në 2003. Po ashtu, gjatë krizës ekonomike të fundit në SHBA para disa viteve u raportua një rritje e numrit të vetëvrasjeve. Edhe sipas një grupi ekspertësh, anëtarë të “International COVID-19 Suicide Prevention Research Collaboration”, ngrihet shqetësimi i masava që duhen ndërmarrë për parandalimin e vetëvrasjeve, ku ata sugjerojnë:

– Udhëzime të qarta për kujdesin ndaj pacientëve me rrezik vetëvrasës;

– Vlerësimet në distancë ose dixhitale për pacientët që aktualisht janë nën kujdesin e një profesionisti të shëndetit mendor;

– Trajnimi i stafeve për të mbështetur mënyra të reja të punës;

– Mbështetje e shtuar financiare për linjat këshillimit apo të ndihmës së shëndetit mendor;

– Sigurimi i qasjes së lehtë për këshillimin e të pikëlluarve që kanë humbur një të dashur nga koronavirusi (jo aq evidente te ne për shkak të numrit të vogël të vdekjeve nga COVID-19);

– Rrjetet e sigurisë financiare dhe programet e tregut të punës apo të mbështetjes për ata që kanë mbetur pa punë;

– Përhapja e intervenimeve online që bazohen në evidencë;

– Sigurimi i mbështetjes për ata që përballen me dhunën në familje dhe sigurimi i një vend të sigurtë për tu vendosur gjatë kohërave të krizës.

Ndër hapat e ndërmarra për shëndetin publik kujdesi ndaj problemeve të shëndetit mendor dhe posaçërisht parandalimi i vetëvrasjeve përbën një aspekt të rëndësishëm për shpëtimin e jetëve. Hapat e ndërmarra nuk nënkuptojnë vetëm përfshirjen e profesionistëve të shëndetit mendor, por edhe ndërveprimin e një sërë institucionesh, si dhe ato që ndërmerr qeveria.

Kjo e fundit duhet të gjejë mënyra të bazuara në evidenca për të forcuar rezistencën e shoqërive tona dhe për trajtimin e të sëmurëve me probleme të shëndetit mendor, në mënyrë që të dalim nga kjo pandemi me sa më pak probleme në mirëqënien mendore.

Duhet pasur parasysh se individët me probleme të shëndetit mendor shpesh kanë strehim dhe punë të paqëndrueshme, si dhe janë të pafavorshëm për sa i përket shëndetit fizik dhe mendor, me një hendek shumë të rëndësishëm në jetëgjatësinë kundrejt pjesës tjetër të popullsisë. Kjo pandemi duket do të zgjerojë hendekun midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Ndaj kombinimi i probleme shumfishon rrezikun që kjo kategori të ketë rrezik të shtuar suicidal.

Në një studim të bërë në SHBA shumica e suicideve ndodhin gjatë natës, midis mesantës dhe orës 6 të mëngjesit, ku rreziku duket 3 herë më i lartë se në oraret e tjera të ditës. Ekspertët thonë se “fjetja e arsyes” duket të jetë një nga shkaqet, e cila ka të bëjë me ndryshimet që ndodhin në tru gjatë kësaj kohe, në kuptim të kontrollit të impulseve, të aftësisë për të marrë vendime dhe të planifikimit afatgjatë.

Kjo ndërlidhet gjithashtu edhe me kontrollin më të pakët apo pakësimin e ngrohtësisë nga familjarët apo kujdestarët e fjetur në këtë kohë. Ekspertët sugjerojnë intervenimet e sjelljes për pagjumësinë në radhë të parë, si dhe planet e trajtimit me fokus në rrezikun suicidal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat