Dr. Sonila Tomorri: Autizmi, si duhet ta dallojnë prindërit

Shëndetësia

Dr. Sonila Tomorri: Autizmi, si duhet ta dallojnë prindërit

Më: 9 janar 2021 Në ora: 06:18
Ilustrim

Shenjat më të qarta të autizmit dhe simptomat e tij, dalin në pah ndërmjet moshës 2 dhe 3-vjeçare, ndaj në këtë moshë nevojitet nisja e terapisë, pasi zhvillimi dhe ndryshimi i trurit në këtë periudhë, ka zhvillim më të madh

Autizmi sot është bërë më i shpeshtë se diabeti, sëmundjet e zemrës apo Hiv-Aids të marra së bashku. Këtë e tregojnë edhe vetë shifrat, pasi 1/68 fëmijë, diagnostikohet me çrregullime të spektrit autik. Por si duhet t’i vërejë shenjat e para të sëmundjes, një prind.

Mjekja psikiatre, Sonila Tomorri, flet mbi sëmundjen dhe sinjalet e para që mund të kapin prindërit, për të filluar trajtimin e hershëm të saj. Sipas saj, autizmi dhe çrregullimet e Spektrit Autik, janë çrregullime të gjithanshme e shumëplanëshe të zhvillimit të trurit, me dëmtim në shkallë të ndryshme të aftësive sociale e komunikuese, aftësive motorike e ato gjuhësore te fëmija.

Autizmi mund të shoqërohet me paaftësi intelektuale, vështirësi në koordinimin motor dhe në ruajtjen e vëmendjes, si dhe probleme të tjera shëndetësore, si vështirësi apo çrregullime të gjumit apo shqetësime gastrointestinale.

Disa njerëz me çrregullim të Spektrit Autik shkëlqejnë në disa fusha, si në art, muzikë, matematikë e arte pamore. Njerëzit me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar. Autizmi duket t’i ketë rrënjët në zhvillimin e hershëm të trurit, ndonëse shenjat më të qarta dhe simptomat e tij, dalin në pah ndërmjet moshës 2 dhe 3-vjeçare.

A ka shkak?

Jo shumë kohë më parë, përgjigjja për këtë pyetje do të ishte: "Nuk ka asnjë shpjegim". Kërkuesit po përpiqen të japin përgjigje. Së pari e mbi të gjitha, tashmë dimë se nuk ka vetëm një shkak për autizmin, ashtu sikurse nuk ka një lloj të tij. Përgjatë pesë viteve të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar një numër genesh të rralla përgjegjëse ose mutacione të lidhura me shkakësinë e autizmit.

Shumica e rasteve të autizmit, duket se kanë patur si shkak një kombinim të geneve në rrezik për autizëm, me faktorët ambientalë që kanë ndikuar në zhvillimin e hershëm të trurit. Në prani të një predispozite gjenetike për autizëm, një numër faktorësh jo gjenetikë ose "ambientalë", duket se shtojnë rrezikun për një fëmijë që të preket nga autizmi. Të dhëna të qarta të këtyre faktorëve të riskut për autizëm, tregojnë për praninë e ngjarjeve përpara dhe gjatë procesit të lindjes. Disa nga këto janë mosha e madhe e prindërve në kohën e konceptimit të fëmijës (si të nënës edhe babait), sëmundje të nënës gjatë shtatzënisë dhe një sërë vështirësish gjatë lindjes, veçanërisht ato që kanë të bëjnë më momentet e mungesës së oksigjenimit të trurit në lindje.

Por kujdes, këto ngjarje si të tilla nuk shkaktojnë autizëm, madje edhe të kombinuar me faktorëve genetikë të riskut, ato risin lehtësisht rrezikun për autizëm. Një numër studimesh rekomandojnë se, në uljen e rrezikut për të patur një fëmijë me autizëm ndikon marrja nga nëna e vitaminave prenatal që përmbajnë acid folik (të paktën 600 mcg/ditë) në muajt përpara dhe gjatë shtatzënisë. Studiuesit po studiojnë ndikimin e sistemit imun në autizëm.

Si vendoset diagnoza?

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjnë prindërit ose ata që kujdesen për fëmijët, është të mësojnë shenjat e hershme të autizmit dhe të familjarizohen me ecurinë tipike të zhvillimit, atë që fëmija duhet të arrijë gradualisht. Më poshtë janë disa nga “shenjat e alarmit”, të cilat mund të sinjalizojnë për rrezikun për praninë e autizmit. Nëse prindërit i vërejnë te fëmija i tyre, duhet të drejtohen te mjeku i familjes apo te pediatri, për një vlerësim të zhvillimit. Vendosja e diagnozës së autizmit kërkon një vlerësim shumëplanësh dhe përfshin një grup shumë disiplinor, pjesë e të cilit janë pediatri, psikiatri, psikologu, e terapeuti i zhvillimit. Testimi gjenetik mund të jetë po ashtu i rekomandueshëm, sikurse dhe depistimi për sëmundje të tjera mjekësore, si çrregullimet e gjumit, çrregullimet gastrointestinale etj. Vendosja e diagnozës kërkon një vëzhgim të kujdesshëm të sjelljes, vlerësim të zhvillimit të fëmijës në të gjitha aspektet, sikurse dhe kryerjen e intervistave diagnostike me prindërit, si dhe përdorimin e metodave si ADOS (autism diagnostik observational scale) etj. Diagnoza e autizmit vendoset pas vlerësimit klinik të psikiatrit në përputhje me kriteret diagnostike, sipas manualeve diagnostike përkatëse, DSM apo ICD. Ndonjëherë ndodh që, çrregullimet e spektrit autik të diagnostikohen vonë përgjatë jetës, shpesh prej vështirësive në procesin e të mësuarit, në aspektin social apo emocional. Ashtu sikurse edhe me fëmijët, vendosja e diagnozës për adoleshentët dhe të rriturit ka nevojë për vëzhgim të kujdesshëm dhe intervistë diagnostike prej profesionistëve të specializuar të shëndetit mendor. Shpesh vendosja e një diagnoze të tillë, sjell lehtësim emocional te ata që kanë vuajtur për një kohë të gjatë me vështirësitë sociale dhe të sjelljes, shpesh të pakuptuara dhe adresuara gabim. Vendosja e diagnozës i jep udhë fillimit të terapisë dhe metodave ndihmuese e mbështetëse, që mund të përmirësojnë funksionimin e individit në ato aspekte që paraqiten të dëmtuara, por edhe në cilësinë e jetës në tërësi.

Trajtimi

Çdo fëmijë me autizëm është i veçantë (unik), ndaj edhe plani i ndërhyrjes terapeutike do t’i përshtatet nevojave të veçanta të fëmijës. Ndërhyrja ka të bëjë me trajtimin e sjelljes dhe/ose përdorim medikamentesh. Mjaft fëmijë me autizëm kanë edhe probleme të tjera mjekësore, si probleme me gjumin, konvulsione, shqetësim gastrointestinal të cilat duhen trajtuar sipas rastit dhe në bashkëpunim më specialistët përkatës. Në çdo rast, zgjidhja e këtyre problemeve mjekësore mund të përmirësojë sjelljen e fëmijës, të përmirësoje vëmendjen e tij apo dhe aftësinë për t’u përqendruar e për të mësuar.

Pse duhet të ndërhyjmë herët?

Sepse në tre vitet e para, mendja dhe truri zhvillohen me shpejtësi të madhe. Kjo periudhë është mjaft kritike për ecurinë e “gurëve kilometrike/themeltarë” të zhvillimit në marrëdhëniet sociale, në komunikim dhe në të menduarit, të cilët janë blloqe të themeleve të të nxënit në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Sa më i madh në moshë fëmija, aq më e vështirë bëhet kjo ndërmarrje.

Problemi është të kuptuarit dhe vlerësimi i këtyre “gurëve kilometrikë” dhe roli i pediatërve, është i pazëvendësueshëm në këtë proces. Ndërhyrja e hershme përfshin fëmijën dhe tërë familjen, të cilët do të punojnë ngushtësisht më grupin e profesionistëve. Në disa lloj ndërhyrjesh të hershme, terapeuti u shkon fëmijëve në shtëpi. Ky proces terapeutik kërkon përfshirjen edhe të prindit, duke e mësuar sesi të kryejë pjesë të terapisë së zhvillimit nën mbikëqyrjen e ndihmën e specialistit. Ndonëse çdo fëmijë zhvillohet në mënyrë të ndryshme, është provuar po ashtu që, ndërhyrja/trajtimi i hershëm përmirëson dukshëm dhe shpesh herë në mënyrë befasuese. Për shembull, ndërhyrja e hershme intensive në sjellje, përmirëson procesin e të nxënit, aftësinë komunikuese dhe atë sociale në fëmijët e vegjël, që vuajnë nga çrregullimi i Spektrit Autik.

Si të dallojmë një fëmijë autik

Mungesa e buzëqeshjeve në fytyrë kundrejt të tjerëve, e shprehjes së kënaqësisë, prej moshës 6-muajsh;

Mungesa e shkëmbimit të tingujve vokalë, buzëqeshjes apo shprehjeve të tjera emocionale, prej moshës 9-muajsh;

Mungesa e gugave, prej moshës 12-muajsh;

Mungesë e shkëmbimit të gjesteve, si të treguarit me gisht, të treguarit e një objekti që i pëlqen, prej moshës 9-muajsh;

Mungesa e fjalëve, qysh 16-muajsh;

Mungesa e frazave me dy fjalë me kuptim (duke mos përfshirë imitimin apo përsëritjen e frazave që dëgjon), në moshën 24-muajsh;

Humbje e të folurës, gugave apo e aftësive sociale, në çdo moshë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat