Infeksioni i mëhershëm e gjashtëfishon efektin e vaksinave

Shëndetësia

Infeksioni i mëhershëm e gjashtëfishon efektin e vaksinave

Më: 31 mars 2021 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Punëtorët shëndetësorë që më herët ishin prekur nga sëmundja COVID-19 kanë pasur reagim imunitar gjashtëfish më të madh pas një doze të vaksinës së kompanive “Pfizer”-“BioNTech” sesa ata që nuk e kaluar asnjëherë virusin.

Studiuesit kanë thënë se kjo gjë e ka theksuar rëndësinë e marrjes së dozës së dytë së kurës për ta siguruar efektin e njëjtë “shtytës” mes të dy shtresave. Personat që kanë qenë të prekur nga COVID-19 kësisoj del se duhet që ta marrin edhe dozën e dytë për t’u mbrojtur për një kohë më të gjatë.

Nëse personat që kanë qenë të infektuar e marrin vetëm një dozë, atëherë ndikimi nuk do të jetë efikas, kanë thënë ekspertët.

Marrja e dy dozave është veprimi i duhur për t’i aktivizuar pjesët e sistemit imunitar dhe për mbrojtjen potenciale të organizmit nga variantet e reja të koronavirusit. Studimi, i zhvilluar nga Departamenti i Kujdesit Social dhe Shëndetësor, është pjesë e një studimi më të gjerë mes punëtorëve shëndetësorë të Shëndetit Publik në Angli.

Përderisa doza e dytë është “jetësore” për mbrojtje afatgjatë, Departamenti i Kujdesit Social dhe Shëndetësor ka bërë të ditur se zbulimet kanë treguar që madje vetëm një dozë e vetme u ka ofruar 99 për qind mbrojtje 237 punëtorëve shëndetësorë, të cilët kanë qenë pjesë e studimit.

Profesoresha Eleanor Riley nga Universiteti i Edinburgut ka thënë se është fituar “siguri e konsiderueshme që vendimi kundërthënës i Komitetit të Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim për ta rekomanduar një interval 12-javor mes dy dozave të vaksinave kundër COVID-19 është qasje e sigurt, efektive dhe pragmatike për ta shtuar shëndetin publik sipas kufizimeve të fundit”.

Shumica e studimeve të deritanishme e kanë analizuar vetëm reagimin e antitrupave mes njerëzve, por studimi i fundit i ka matur edhe qelizat T mes pjesëmarrësve.

Kjo pjesë e vështirë për t’u matur e sistemit imunitar priret për t’iu përgjigjur shumë pjesëve të ndryshme të “majës” së virusit, duke e bërë atë të rëndësishme për t’u mbrojtur kundër mutacioneve.

Vaksina është dizajnuar për ta ndihmuar trupin që ta vërejë virusin nëse ndeshet me të, por virusi pëson shpesh mutacione, gjë kjo që ia vështirëson trupit njohjen e tij.

Për personat që nuk e kanë kaluar koronavirusin, doza e parë e vaksinës ka siguruar mbrojtje ekuivalente me ata që e kanë pasur. Por, për personat që e kanë pasur koronavirusin në të kaluarën, doza e parë ka ofruar gjashtë herë më shumë reagim të qelizave T dhe pothuajse shtatë herë reagim më të madh të antitrupave, krahasuar me të ashtuquajturit njerëz “naivë” të COVID-it, pra ata që nuk janë infektuar asnjëherë me virusin. Dhe antitrupat e tyre ishin më të mirë në neutralizimin e plotë të virusit, duke e bërë pothuajse të pamundur që këta persona ta bartin virusin te të tjerët.

“Këto zbulime shpijnë “pashmangshëm” në nxitjen e debatit për çështjen nëse duhet t’u jepet vetëm një dozë e vaksinës personave që e dinë se janë infektuar më herët me virus”, ka thënë profesori Danny Altmann nga Kolegji Mbretëror i Londrës. “Për pjesën më të madhe të botës, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, mund të ketë pasiguri të mjaftueshme diagnostike për sa i përket çështjes se kush ishte infektuar dhe kjo ka ndikuar që ky proces të përballet me vështirësi për t’u zbatuar me efikasitet”.

Profesoresha Susanna Dunachie, një nga udhëheqëset e studimit nga Universiteti i Oxfordit, ka thënë që ekipi gjithashtu ka zbuluar se vaksinimi “e përmirëson përmasën e reagimit të qelizave T, të gjeneruara në një person që është infektuar më herët”.

Me fjalë të tjera, edhe nëse e keni kaluar sëmundjen COVID-19, vaksina do t’ju mbajë më të mbrojtur nga mutacionet e reja të virusit që e shkakton atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat