A keni dëgjuar për autofagjinë? Ja se çfarë i ndodh trupit gjatë saj!

Shëndetësia

A keni dëgjuar për autofagjinë? Ja se çfarë i ndodh trupit gjatë saj!

Më: 21 janar 2022 Në ora: 11:02
Ilustrim

Agjërimi me ndërprerje ofron premtimin se ndryshimi i orarit të vakteve, dhe jo i vetë vaktit mund të jetë më i mirë për ju. Por, cilat janë gjërat që duhet dhe nuk duhet të hani më rrallë?

Agjërimi me ndërprerje përkrahet nga të famshëm dhe CEO për humbjen e peshës dhe përfitimet e tij shëndetësore. Ndërsa ka prova premtuese se agjërimi mund të ndihmojë trupin në rritjen e jetëgjatësisë. Kjo mund të mos jetë qasja më e mirë për të humbur peshë dhe dietologët kërkojnë të tregojmë kujdes përpara se ne të nisim të ndërpresim vaktet.

Agjërimi me ndërprerje është një lloj diete e kufizuar në kohë, në të cilën agjëruesit lënë një hapësirë të gjatë midis vaktit të tyre të fundit të një dite dhe vaktit të ditës tjetër, duke e përmbledhur vaktin e tyre në një periudhë më të shkurtër gjatë ditës. Agjëruesit përpiqen të lënë një boshllëk prej 16 orësh pa ushqim dhe të hanë gjatë një hapësire tetë-orëshe. Agjërimi me ndërprerje nuk është lloji i vetëm i dietës me kohë të kufizuar. Të tjera si dieta 5:2, në të cilën personat hanë një sasi normale ushqimi për pesë ditë, para dy ditëve ku hanë vetëm 25% të kalorive që ato marrin zakonisht. Ata fokusohen më shumë në sasinë e ushqimit të konsumuar, sesa në kohën ndërmjet vakteve.

“Ushqyerja e kufizuar në kohë përdoret si një mjet për humbje peshe, por nuk është qasja ime e preferuar”, thotë Rachel Clarkson, themeluese e konsulencës me bazë në Londër, “The DNA Dietitian”. “Ju reduktoni kaloritë, por nuk mësoni ndryshimin thelbësor, sjelljen rreth asaj që po i jepni trupit tuaj.”

Clarkson thotë se pa mësuar se si është një dietë e shëndetshme, njerëzit fitojnë sërish peshë kur ndalojnë agjërimin. “Nëse kjo do të thotë se ndiheni të uritur dhe të kufizuar, atëherë të nesërmen do t’ju duhet të hani më tepër.”

Pra, agjërimi me ndërprerje mund të mos jetë qasja e duhur për njerëzit që kërkojnë humbje në peshë, por mund të ketë arsye të tjera për të ndryshuar modelet tuaja të të ngrënit. Agjërimi është i lidhur me një proces të quajtur autofagji, i cili po e rrit interesin për përfitimet e tij të shëndetësore.

Autofagjia është procesi, me të cilin trupi fillon të riciklojë strukturat brenda qelizave të tij, duke përfshirë bërthamën, ku ruhet ADN-ja, mitokondritë, të cilat sintetizojnë kimikatin që qelizat tona përdorin për energji dhe lizozomet, të cilat largojnë mbetjet nga qelizat tona. Duke vepruar kështu, qeliza largon strukturat e vdekura, duke çliruar lëndë të reja, nga të cilat mund të ndërtohen struktura të reja qelizore. Disa nga lëndët e para përdoren për të krijuar proteina mbrojtëse të qelizave, të cilat arrijnë të zgjasin jetëgjatësinë e qelizave.

Ekziston interesi nëse autofagjia mund të rrisë jetëgjatësinë e gjithë organizmave, megjithëse deri më tani kjo është provuar vetëm te kafshët, si krimbat nematodë dhe minjtë me gjatësi 1 mm, dhe jo te njerëzit (autofagjia është lidhur me fillimin e plakjes së hershme). Derisa të ketë studime për agjëruesit njerëzorë është shumë herët të thuhet nëse kjo metodë, mund të rrisë jetëgjatësinë tonë. Por, studimet te kafshët e kanë lidhur autofagjinë me përmirësimet në kujtesën e sistemit imunitar. Fakti që autofagjia është thelbësore për të ruajtur shëndetin e qelizave ka krijuar gjithashtu interes për rolin e saj në mposhtjen e kancerit. Mund të ketë më shumë arsye sesa rritja e jetëgjatësisë për t'u interesuar për autofagjinë.

Ndryshe nga dietat kufizuese të kalorive, të cilat gjithashtu janë të lidhura me jetëgjatësinë, qëllimi i agjërimit me ndërprerje është të rrisë kohën ndërmjet vaktit të fundit të një dite dhe vaktit të pare të ditës tjetër. Teorikisht, një agjërues me ndërprerje mund të hajë të njëjtën sasi kalorish, megjithëse në praktikë Clarkson thotë se shumica e njerëzve e reduktojnë marrjen e tyre. Kjo mund të ndihmojë në promovimin e autofagjisë, por për ta kuptuar, duhet të shohim se çfarë na ndodh pas ne hamë.

“Kur ndaloni së ngrëni në orën 19:00, do të jeni të ushqyer deri në orën 22:00, sepse do të jeni ende duke tretur lëndët ushqyese”, thotë Clarkson. "Çdo karbohidrat në dietën tuaj do t'ju furnizoj me glukozën, që është burimi ynë i parë me karburant për disa orë."

Një gjendje e ushqyer është kur trupi juaj përdor glukozën që ndodhet në gjakun tuaj, si burimin e tij të energjisë. Pasi të përdoret ky burim energjie, trupi kalon në një gjendje katabolike, zakonisht rreth tre orë pas ngrënies. Në këtë fazë, glikogjeni i ruajtur në mëlçi dhe muskuj zbërthehet në glukozë. Kur kemi varfëruar rezervat e glikogjenit, trupi kalon nga glukoza në ketone, të cilat krijohen në mëlçi nga acidet yndyrore. Pikërisht në këtë pikë, në fazën e quajtur ketozë, shkaktohet autofagjia.

Dikush që ka një dietë të lartë në karbohidrate nuk mund të lëvizë kurrë përtej gjendjes katabolike, pasi ata gjithmonë do të kenë një furnizim me rezervë të glikogjenit. Megjithatë, dikush me një dietë me pak karbohidrate, mund ta kalojë atë shumë shpejt. “Unë do të largohesha nga agjërimi me ndërprerje për humbjen e yndyrës dhe nëse doni ta provoni, mendoni për përfitimet shëndetësore.

Për të agjëruar ju duhet të rregulloni ndjenjën e urisë”, thotë Clarkson. Uria ndihet kur ghrelina, një hormon i çliruar nga stomaku ynë, shkakton prodhimin e dy hormoneve të tjerë, të quajtur NPY dhe AgRP, në hipotalamus.

Ndërsa këto tre hormone gjenerojnë ndjenjën e urisë, ka shumë të tjera që e shtypin atë. Nganjëherë të quajtura "hormonet e ngopjes", një nga ato kryesore është leptina, e cila lirohet nga qelizat dhjamore për të shtypur prodhimin e ghrelinës, në thelb duke i thënë trupit "këtu ka yndyrë që mund ta digjni".

Ghrelin nganjëherë quhet reagimi afatshkurtër i urisë sepse lirohet kur stomaku është bosh dhe ka më pak presion në murin e stomakut. Mund të kapërcehet në një masë të caktuar duke pirë ujë. Ndërkohë, leptina funksionon për një kohë të gjatë. Hormonet tona të urisë rregullohen nga shumë gjëra, gjenetika është një prej tyre," thotë Clarkson. Ajo shton se nëse qëndrojmë të hidratuar, kjo mund të na ndihmojë me largimin e ndjenjës së urisë derisa trupi juaj të jetë përshtatur. “Javët e para do të jenë të vështira, por ju mësoheni.”

Për shumicën e njerëzve, ketoza ndodh 12-24 orë pas ngrënies, kështu që nëse hani vaktin tuaj të mbrëmjes midis orës 18:00 dhe 20:30, gjendja e ushqyerjes do të përfundojë midis orës 21:00 dhe 23:30 dhe ketoza, ose autofagjia mund të ndodhin nga ora 06:00 deri në 08:30 mëngjesin tjetër. "Por shumica e njerëzve ulen dhe hanë diçka tjetër pas darkës," thotë Clarkson. “Snacking ose pijet me sheqer dhe birrat, e zgjasin gjendjen e ushqyerjes për tre orë. Nëse mbaroni së ngrëni në orën 21:30-22:00, gjendja e ushqyer do të përfundojë në orën 01:00-03:00”, thotë ajo. Kjo mund të nënkuptojë se ketoza nuk ndodh kurrë para se të keni një vakt tjetër.

Nëse vendosni të hani vaktin e mbrëmjes një orë më herët dhe jo për të ngrënë ushqime të tjera, mund të jeni në gjendje ketoze deri në mëngjes, kundrejt dikujt që po ha darkën e mbrëmjes me shumë karbohidrate, I cili e zgjat gjendjen e ushqyer deri në orën 6:00”,thotë ajo. Clarkson sugjeron të filloni duke ngrënë më herët të dielën në mbrëmje, ose të hani mëngjes një orë më vonë dhe të filloni prej andej, duke e rritur hapësirën me një ose dy ditë çdo javë.

Me një qasje të kujdesshme, agjërimi me ndërprerje mund të ndihmojë trupin tuaj të kryejë riparimet dhe rikuperimet e tija. Autofagjia duket se zvogëlohet me kalimin e moshës, kështu që mund t'i jepni vetes një nxitje tani, e cila më vonë do të jetë tepër e dobishme. Por kini parasysh se mund të mos jetë strategjia e duhur për humbje peshe dhe nuk ka asnjë zëvendësim për një dietë të ekuilibruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat