Kina zbulon një radio sinjal të rrallë nga një sistem yjor i largët

Shkencë & Teknologji

Kina zbulon një radio sinjal të rrallë nga një sistem yjor i largët

Më: 6 nëntor 2026 Në ora: 15:16
Fotoilustrim

Një sinjal radio nga një yll, i cili ndodhet 238 vit drite larg, për një moment u duk sikur mund të ishte shenjë e jetës jashtëtokësore, por astronomët që e zbuluan atë thonë se ka më shumë gjasa që sinjali të vijë nga diku në Tokë.

Sinjali u shfaq në të dhënat e mbledhura nga teleskopi kinez FAST – teleskopi radio më i madh në botë me një antenë të vetme. Në vitin 2021, ky teleskop kaloi disa muaj duke kërkuar sinjale radio artificiale nga 33 sisteme të njohura ekzoplanetësh.

Vëzhgimi fillestar i vitit 2021 nuk dha asnjë rezultat, përveç një alarmi të rremë në drejtim të Kepler-438b, një ekzoplanet me përmasa të ngjashme me Tokën. Megjithatë, softueri i përdorur në atë kohë mund të identifikonte vetëm frekuenca të qëndrueshme dhe lineare.

Për të verifikuar nëse ishin anashkaluar sinjale të zbehta ose të lakuara, një ekip studiuesish të SETI-t, të udhëhequr nga Zi-Qi Li nga Universiteti Normal i Pekinit, i rishqyrtuan ato regjistrime në mesin e vitit 2026.

Ata përdorën një sistem të ri për përpunimin e sinjaleve, të bazuar në inteligjencën artificiale, i quajtur MSWNet, i cili është krijuar për të filtruar zhurmën radio të sfondit.

Nga më shumë se 139 mijë sinjale të evidentuara nga softueri i ri, pothuajse të gjitha u hodhën poshtë si interferenca. Përveç ri-zbulimit të sinjalit tashmë të njohur nga Kepler-438, inteligjenca artificiale nxori në pah vetëm një kandidat të ri me interes.

Ky kandidat, i cili mbeti si i tillë për kohën më të gjatë, vinte nga K2-155, një xhuxh i kuq i vogël me tri planetë, të gjithë më të mëdhenj se Toka, ku njëri prej tyre orbiton pranë zonës së banueshme, ku mund të ekzistojë ujë në gjendje të lëngët.

Sinjali ishte jashtëzakonisht i ngushtë, me një frekuencë që ndryshonte me kalimin e kohës. Për më tepër, ai shfaqej vetëm kur teleskopi drejtohej saktësisht nga K2-155. Këto janë tre karakteristika dalluese që shkencëtarët i kërkojnë kur analizojnë transmetime të mundshme nga qytetërime jashtëtokësore.

Studiuesit mendojnë se shkaku më i mundshëm janë interferencat radio me origjinë nga Toka, ose ndonjë problem në pajisjet e brendshme të teleskopit, ndonëse ende nuk e dinë me saktësi se cila pajisje e ka shkaktuar atë.

Në fazën tjetër, ekipi planifikon të analizojë të dhënat e papërpunuara të tensionit nga të 19 rrezet e teleskopit, për të përcaktuar pozicionin e saktë të burimit dhe për të përjashtuar përfundimisht mundësinë e interferencave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat