Çlirimi i Shqipërisë/ Ruçi nga Vlora: E vërteta e kësaj Lufte as mund të mohohet, as mund të errësohet

Shqipëria

Çlirimi i Shqipërisë/ Ruçi nga Vlora: E vërteta e kësaj Lufte as mund të mohohet, as mund të errësohet

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 15:23
Gramoz Ruçi

Shqipëria po përgatitet të kremtojë këtë vit 75 vjetorin e çlirimit të saj nga forcat nazifashiste, në Luftën e Dytë Botërore.

Duke qenë se ka debate me luftën partizane, në prag të saj kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi, ka theksuar se “asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare”.

Sikur të mos mjaftonin debatet, edhe festa e Çlirimit festohet nga politika në dy data të ndryshme, e pafalshme kjo për historinë tonë, që nuk ka qenë në gjendje të fiksojë një datë si çdo vend tjetër në Europë, apo në botë.

Ruçi mori sot pjesë në 99 vjetorin e Luftës së Vlorës, një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë. Por në fjalën e tij zoti Ruçi ju referua kontributit të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

“Në këtë vit të 75 vjetorit të çlirimit, populli i Vlorës e Labërisë, si gjithë populli shqiptar, është krenar për kontributin që dha gjatë Luftës së Dytë Botërore” tha  Ruçi.

”E vërteta e kësaj Lufte as mund të mohohet, as mund të errësohet. Asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ishte lufta e Ushtrisë së partizanëve shqiptarë që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe në krahun e aleancës më progresiste të kohës” shtoi më tej kreu i Kuvendit të Shqiëprisë.

“Sot, të jesh në anën e duhur të historisë do të thotë: Të nderosh patriotët, luftëtarët, çlirimtarët dhe dëshmorët që kanë rënë për Shqipërinë; Të mbash, dhe jo tu ikësh përgjegjësive kombëtare e politike për konsolidimin e demokracisë dhe mirëqenien e shqiptarëve; Të respektosh Kushtetutën dhe ligjet përkundër aventurave politike dhe egocentrizimit elektoral; Tu përkushtohesh reformave për zhvillimin e vendit dhe forcimin e institucioneve, përkundër shpikjes së armiqve, rreziqeve dhe rikthimeve imagjinare”, nënvizoi, midis të tjerash, në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

I pranishëm ishte edhe ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, deputeti socialist, Damian Gjiknuri.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, lidhur me kremtimet e sotme tha, "përkujtuam sot 99 vjetorin e "Luftës së Vlorës". Me këtë rast në Varrezat e Dëshmorëve u përulëm me nderim dhe respekt për ti bërë homazhe të rënëve në luftë."

Më pas në Teatrin "Petro Marko" u zhvillua një aktivitet përkujtimor dhe shkencor për këtë moment të rëndësishëm.

"Vitin e ardhshëm në kuadër të 100 vjetorit të "Luftës së Vlorës", synojmë që ta kthejmë në një eveniment historik me rëndësi kombëtare. Homazh të rënëve në luftën për liri! I paharruar gjaku dhe të paharruara sakrificat e tyre!", u shpreh kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat