Shqipëri, zgjidhet Inspektori i Lartë i Drejtësisë - Bota Sot
Shqipëri, zgjidhet Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Shqipëria

Shqipëri, zgjidhet Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Më: 21 janar 2020 Në ora: 09:34
Artur Metani

Në Shqipëri, parlamenti zgjodhi të hënën në mbrëmje Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë dhe formimit të një tjetër institucioni të ri tejet të rëndësishëm në mozaikun e organeve të këtij sistemi parashikuar nga Reforma në Drejtësi.

Me 98 vota në favor dhe 8 kundër, parlamenti votoi për zotin Artur Metani, me një karrierë të gjatë në fushën e ligjeve. Ai ka shërbyer si këshilltar juridik për tre presidentë të Republikës, ka punuar për disa vite si Drejtor i Përgjithshëm pranë Departamentit Rregullator dhe të Përputhshmërisë, apo dhe Departamentin e Legjislacionit pranë Këshillit të ministrave, si ekspertë ligjor pranë disa misioneve ndërkombëtare në Shqipëri dhe së fundmi si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.

Zoti Metani u rendit i pari në listën prej 5 kandidatëve të vlerësuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me një diferencë të ngushtë nga kandidati i renditur i dyti, prokurori Sokol Stojani.

Zgjedhja e zotit Metani si Inspektor i Lartë i Drejtësisë, u kundërshtua nga Partia Demokratike. “Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri”, deklaroi PD-ja, sipas së cilës “emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë”.

Sipas ligjit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është “autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat