Prokurori italian: Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët në disa raste

Shqipëria

Prokurori italian: Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët në disa raste

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 08:13
Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri

Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri u shpreh se marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme, në një intervistë për RTV Ora.

Bombardieri shtoi se ka raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët.

Pyetje: Prokuror cili është niveli i rrezikshmërisë së krimit të organizuar shqiptar në territorin tuaj?

Prokuror Giovanni Bombardieri: Territori i Reggio Calabrias që unë mbuloj si dhe ai i Catanzaros janë vendet ku ka lindur mafia kalabreze Ndrangheta,  për t’u projektuar më pas jo vetëm në Itali e në Evropë, por në të gjithë botën. E marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme, sidomos  në pjesën e sipërme të Kalabrisë, në Katanzaro ku ka zona të banuara nga shqiptarë e ku janë kryer hetime të shumta që kanë zbardhur trafiqe ilegale armësh e droge të lehtë nga grupet kriminale shqiptare. Edhe në territorin e Reggio Calabria në hetimet e fundit janë zbardhur lidhje të ngushta mes klaneve ndranghetiste të pjesës së Terrenit e kriminalitetit shqiptar dëshmuar nga operacioni Magma, operacioni Pollino, apo dhe ekstradimi që kemi kryer pak ditë më parë të një eksponenti shqiptar në lidhje të ngushtë me Ndranghetan e protagonist në ndërmjetësimin e  blerjes së kokainës.

Kjo është fytyra e re që shfaq kriminaliteti shqiptar në territorin tonë. Shqiptarët nuk janë më trafikantë vetëm të lëndëve narkotike të lehta që prodhojnë në territorin e tyre si hashash e marijuane, por janë protagonist të trafikut të kokainës. Ndrangheta është një lojtar botëror i saj, me një rol të rëndësishëm në trafikun botëror me Amerikën e Jugut. Në Itali e në Evropë, mafia shqiptare po imponohet dhe si një bashkëpunues i rëndësishëm në këtë trafik. Edhe hetimet e operacionit Polino të kryer nga departamenti i antimafias së Reggio Calabrias, në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Duisburg e ato hollandeze e belge, zbardhën lidhjet e rolin e trafikantëve shqiptarë me një aftësi kriminale e organizative mjaft të rëndësishëm në trafikun e heroinës.

E të gjitha hetimet kanë konfirmuar se shqiptarët kishin në dispozicion sasi të mëdha kokaine po ashtu dhe në vende të tjera të Evropës si në Spanjë. Përgjimet e një operacioni të antimafias zbardhën se si ndranghetistët mes tyre i konsideronin trafikantëve shqiptarë si zotërues të sasive të mëdha kokaine. Madje kemi raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët. Kjo është një e dhënë mjaft e rëndësishme e kuptimplote që tregon se si mafia shqiptare ka arritur sot të ketë një rol të rëndësishëm në kriminalitetin evropian.

Giovanni Bombardieri shtoi se shqiptarët kanë qenë furnizuesit me marijuanë e hashash të ndragetistëve me bazë në Gjermani.

Prokuror është mjaft i rëndësishëm fakti se si përkufizohet ky kriminalitet shqiptar. Ju e quajtët mafia,  mund ta quajmë mafia pra?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Për ta quajtur Mafia, normativa italiane parashikon disa kritere si kontrolli i një territori, kontrolli i disa aktiviteteve ekonomike përmes një grupi të caktuar personash, qasja në disa situata të caktuara. Pa dyshim, grupet shqiptare janë një formë e re kriminaliteti që imponohen pa dyshim me dhunë pavarësisht territorit ku ndodhet e që ndërvepron me mafian tradicionale italiane. Madje ka lidhje direkte me një baraznivel komunikimi me mafian italiane.

E pikërisht për territorin e rolin e tij në aktivitetin mafioz. Për të kuptuar shtrirjen dhe hapësirën e veprimit të grupeve kriminale shqiptare, a është dhe Shqipëria pjesë e tyre dhe zonë përfshirëse në hetimet e Antimafias Italiane?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Pa dyshim dhe në hetimet tona janë zbardhur kontakte të drejtpërdrejta të këtij kriminaliteti me territorin shqiptar. Nuk flitet për një kriminalitet të eksportuar pasi bazën e kriminalitetin e ka në territorin shqiptar. Kemi monitoruar udhëtime të shtetasve italiane në Shqipëri, që janë mikpritur nga këta anëtarë të grupeve kriminale shqiptare. Për ta emërtuar mafia duhet një autoritet gjyqësor që ta bëj. Por sigurisht projektimi i këtij kriminaliteti shqiptar në shumë vende te tjera, ka ardhur nga baza e tij që është ose mund të jetë në Shqipëri. Mjaft të mendosh se në fazat e para të këtij kriminaliteti, kur shqiptarët trafikonin drogëra të lehta, Shqipëria ishte territori i kultivimit të tyre, siç vazhdon të jetë dhe sot. 

Pra baza e plantacioneve të marijaunës e hashashi ishte në Shqipëri. Hetimet e disa operacioneve kanë vërtetuar se shqiptarët ishin furnizuesit me marijuanë e hashash të ndragetistëve me bazë në Gjermani, në Frankfurt. Pra kishin në dispozicion sasi të mëdha droge për ta trafikuar në Shqipëri. Projektimi që ka sot kriminaliteti shqiptar në Itali e në shumë vende të tjera të botës i referohet kontakteve që ata kanë më ndranghetistët italianë që kontrollojnë këto territore. Nga hetimet tona është shfaqur se Ndrangheta ka braktisur idenë e investimeve ekonomike në vendet e Evropës Veriore. Në këto territore ajo vepron e menaxhon trafiqet ilegale nga Amerika e Jugut, planifikon mbërritjen e drogës,  magazinon sasitë e drogës, organizon shpërndarjen e saj përmes porteve në Evropë.

Për Bombardierin, Shqipëria duhet të impenjohet për të lejuar që të shfaqet në Evropë si një partner i sigurt e aktiv i kësaj lufte.

Pra në operacionet e ekzekutuara nga ju , hetimet janë kryer deri më tani në mënyrë individuale e pa një ekip të tillë të përbashkët me autoritetet shqiptare?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Për momentin po, por bashkëpunimi po shtohet gjithnjë e më shumë dhe për faktin se në territorin tonë është i pozicionuar Porti Gioia Taura, një vend hyrje për kokainën në Evropë. E ky trafik është rritur kaq shumë. Nëse në vitet 2016-2017 sekuestronim rreth 2 tonë kokainë në vit, në 2019, 2020 e deri sot, sekuestrimi i  sasive të kokainës është rritur shumë, e vetëm në 15 ditët e fundit kemi sekuestruar rreth 1500 kg kokainë, pra po punojmë në shumë drejtime e kemi shtuar bashkëpunimet për të ndalur këtë trafik dhe me vendet e Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë.

U shprehët pak më parë për një tjetër rrezik mafioz që është korrupsioni. Si mund të punohet që dhe puna juaj të ketë më efikasitet në Shqipëri?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një impenjim konkret i Shqipërisë e pikënisja e çdo bashkëpunimi me vendet e tjera por duhet të ketë një bazë besimi të plotë. Një vend që nuk garanton një luftë serioze ndaj korrupsionit është e qartë se e çon bashkëpunimin në një pikë kritike. E rëndësishme është se duhet investuar në këtë drejtim, Shqipëria duhet të impenjohet për të lejuar që të shfaqet në Evropë si një partner i sigurt e aktiv i kësaj lufte.

Një pyetje e drejtpërdrejtë nëse mund të lejohet dhe përgjigja. Duke marr shkas dhe nga operacionet e fundit, Shqipëria është një terren në fokusin e hetimeve që po kryeni?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Eksperienca na mëson, ashtu si dhe operacionet e fundit se Ndrangheta mban marrëdhënie operative me të gjitha format e kriminalitetit me të cilat është në kontakt. Hetimet e fundit edhe jashtë territorit shqiptar kanë shfaqur aftësinë e kriminalitetit shqiptar. Hetimet nuk marrin fund kurrë si nuk merr fund dhe aktivitetit i krimit të organizuar. Kriminaliteti shqiptar ka në fokus aktivitetin, raportin e ndërveprimin e Ndranghetas e aktiviteti i Departamentit tonë ka në vëmendje të gjitha aktivitetet e mafias me raportet e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat