Pastrim parash përmes transfertave bankare dhe pagesave të qirave/ Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet

Shqipëria

Pastrim parash përmes transfertave bankare dhe pagesave të qirave/ Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 10:53
Foto ilustrim

Prokuroria e Durrësit mbyll hetimet për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale përmes transfertave bankare për shitje kolektorësh për energjinë diellore dhe pagesë qiraje për përdorim toke.

Një shumë prej 145.072 eurosh është sekuestruar në llogarinë bankare të subjektit Shaban Hersi, shumë kjo që dyshohet se rrjedh nga aktiviteti kriminal, duke e paraqitur sikur kjo është pjesë e pagesës së faturave për shërbime të pakryera, apo investimit që do të kryhej nga një kompani italiane. Sipas organit të akuzës durrsake është provuar me fakte gjatë një hetimi të nisur në shtator të vitit 2017 se Hersi “me veprimet e tij kriminale ka cenuar marrëdhëniet juridike te vendosura për të siguruar rendin dhe sigurinë publike si dhe sistemin ekonomiko-financiar nga investimet në ekonominë e Republikës së Shqipërisë të parave të përfituara nga kryerja veprave penale apo nga veprimtaritë kriminale.

Ai dyshohet se e ka kryer këtë vepër nëpërmjet transferimit pjesë-pjesë të parave, produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale dhe posedimit apo fitimit te pronësisë mbi to.

Këtë veprim e ka kryer me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të parave, duke e paraqitur si te ishte pjese e shitjes së kolektorëve

për energjinë diellore efikase për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar, me pas duke e paraqitur si shërbim konsulence dhe ne fund si pagese qiraje për një sipërfaqe toke.

Të përfshirë në këtë vepër penale janë dhe dy shtetas të tjerë një italian dhe një shqiptar. Shtetasi italian G.G rezulton me dy vendlindje të ndryshme në Itali dhe i procedura për vepra të ndryshme, si dhe shtetasi A.Sh.

Të dy janë persona të dyshuar për aktivitete kriminale në fushën e bashkëpunimit të jashtëm në shoqatë mafioze, krime në fushën e financave si dhe me tendencën e trafikimit të lëndëve narkotike, aktivitete këto te cilat gjenerojnë te ardhura te konsiderueshme kriminale. Këta shtetas dyshohet se te paktën kishin ne dispozicion një shumë prej 600.000 euro, si të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Për këtë qellim shtetasi Shaban Hersi, ka marrë përsipër që këtë shume parash ta transferoje nga Italia ne Republikën e Shqipërisë, duke e paraqitur sikur kjo është pjese e investimit qe do të kryente shoqëria italiane me administrator shtetasin G.G., kompani e cila ne realitet nuk kishte lidhje me këtë person, por i përkise një tjetër shtetasi italian që nuk kishte asnjë dijenie me kontratën e paraqitur.

Nga informacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në lidhje me shtetasin A.Sh. rezulton se ai ka tendencë të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për mashtrim kompjuterik.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat