100-vjetori i Musine Kokalarit, Rama: Hapja e dosjeve do të nisë me të

Shqipëria

100-vjetori i Musine Kokalarit, Rama: Hapja e dosjeve do të nisë me të

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 11:52
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama është shprehur se hapja e dosjeve do të nisë me atë të Musine Kokalarit, duke filluar kështu një kapitull të ri me historinë. Kreu i qeverisë ka folur në konferencën shkencore në Bibliotekën Kombëtare, në 100-vjetorin e saj të lindjes.

“Puna e Autoritetit Kombëtar të Hapjes së Dosjeve të regjimit komunist do të fillojë pikërisht me dosjen e Musine Kokalarit. Në mënyrë simbolike, por jo vetëm, publikimi hapja dhe dekodifikimi i plotë i dosjes së Musine Kokalarit shënon dhe pragun jo vetëm të pakthyeshëm të emancipimit të shoqërisë sonë në raport me këtë të shkuar”, është shprehur kryeministri Rama.

Ky i fundit ka shtuar se hapja e dosjeve do të shërbejë për të ndriçuar të ardhmen, që e kaluara të mos përsëritet më.

“Me historinë e Musinesë fillon një kapitull i ri në raport me historinë, historitë e shumë e shumë të tjerëve të cilat për fat të keq janë përdorur dhe keqpërdorur si ushqim për të helmuar turma, për të nxitur mllef dhe urrejtje mes njerëzish në këtë vend por jo për të ndriçuar të ardhmen që e kaluara të mos përsëritet më, dhe jo thjesht të mos përsëritet më si fakt i të shkuarës por si sjellje dhe qasje ndaj të ardhmes dhe ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama vlerësoi se Musine Kokalari ishte shkrimtarja e parë dhe rilindësja e fundit e brezit të artë të Rilindjes shqiptare. Ajo i jep një tjetër përmasë historisë së disidencës shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat