Vrasja në Sukth, zbulohen detaje të rëndësishme për Xhino Dautin

Shqipëria

Vrasja në Sukth, zbulohen detaje të rëndësishme për Xhino Dautin

Më: 3 maj 2017 Në ora: 08:13
Xhino Dauti

Një automjet tip “Audi” dhe një “BMW X5” po verifikohen nga grupi i hetimit në lidhje me vrasjen e ish-shefit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj, që u ekzekutua në Sukth më 25 prill, bashkë me Xhino Dautin.

Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë se dy automjetet kanë rezultuar në pamjet e kamerave të sigurisë të marra nga policia në një “perimetër më të gjerë” pranë vendit ku ndodhi atentati i dyfishtë në autostradë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit po i vazhdon hetimet ende pa autor në lidhje me vrasjen e dyfishtë, të ndodhur më 25 prill, rreth orës 13:55, në afërsi të “Mbikalimit të Sukthit”.

Në hetim janë të dyja pistat, ajo e një atentati për të vrarë Ervin Dalipajn, që ishte në kërkim për rrëmbim personi e vrasje, por po hetohet edhe mundësia e një sulmi me objektiv viktimën tjetër, Xhino Dauti, person me precedentë të fortë penalë në të shkuarën.

Pikërisht në lidhje me këtë pistë, mësohet se Policia e Prokuroria kanë kryer ditët e fundit disa veprime në Fier dhe në Vlorë. Xhino Dauti, i cili u vra nga breshëria e plumbave mbi makinën që drejtonte Ervin Dalipaj, ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës për vrasjen e kampionit të bilardos, Fatjon Bani.

Krimi ka ndodhur në orën 19:20 të datës 17 mars 2012, por pas dënimit të dhënë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ka qenë Gjykata e Apelit në këtë qytet që i ka dhënë pafajësinë. Sipas hetimeve, Xhino Dauti u kthye në Shqipëri rreth tri javë më parë nga Italia, pasi edhe Gjykata e Lartë la në fuqi pafajësinë e tij.

Pikërisht në një dokument zyrtar të Prokurorisë së Vlorës, ku është bërë rekurs në lidhje me pafajësinë e dhënë nga Apeli për Xhino Dautin, përshkruhet edhe një dëshmi që, sipas akuzës, flet për raportet që ka pasur Xhino Dauti në Itali me viktimën Fatjon Bani.

PROKURORIA

Në rekursin e Prokurorisë thuhet se gjatë qëndrimit në Itali, viktima Fatjon Bani dhe Xhino Dauti kanë pasur një llogari borxhi mes tyre në lidhje me shitblerjen e kokainës, fakt ky që dëshmohet sipas akuzës nga shtetasi D.I.

Prokuroria bën me dije se ky shtetas, ndërmjet të tjerave, ka shpjeguar se “…Arrita të siguroj nga një italian një sasi prej 200 gramësh kokainë dhe të dy së bashku ia çuam shokut të Fatjonit, për të cilin e di se është nga Vlora, por emrin nuk ia di. Në lidhje me lekët, sqaroj se mallin e bleva unë nga italiani, ndërsa Fatjoni më doli garant se do të m’i jepte pas një muaji. Kur u ktheva e takova dhe i thashë çfarë po bëhet me lekët dhe ai më tha se shoku nuk i kishte mbaruar punë e më kërkoi të mos e vras mendjen. Në vitin 2011, mesa më kujtohet, jam takuar me Fatjonin dhe kemi biseduar rreth këtij problemi. Fajtoni më ka thënë se shoku i tij nga Vlora, sasinë prej 200 gramësh ia kishte dhënë një personi nga Fieri”, citohet në dëshminë e përmendur në rekurs nga Prokuroria.

Organi i akuzës thekson se nga dëshmi të tjera ishte mësuar se konflikti ishte për një shumë 5-6 mijë euro. Rekursi i organit të akuzës nuk është pranuar në Gjykatën e Lartë, duke u rrëzuar që në Dhomën e Këshillimit pak kohë më parë.

Pas këtij vendimi, Xhino Dauti, i njohur edhe me emrin Juxhin, ka ardhur disa javë më parë në Shqipëri, por një javë më parë është qëlluar për vdekje, teksa ndodhej në makinë me Ervin Dalipajn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat