Papa ‘ngre në qiell’ shqiptarët: Popull i lashtë me histori të lavdishme - Bota Sot
Papa ‘ngre në qiell’ shqiptarët: Popull i lashtë me histori të lavdishme

Shqipëria

Papa ‘ngre në qiell’ shqiptarët: Popull i lashtë me histori të lavdishme

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 19:54
Papa Françesku priti një grup pelegrinësh shqiptarësh nga besimet e ndryshme.

Papa Françesku priti një grup pelegrinësh shqiptarësh nga besimet e ndryshme, njofton shërbimi i lajmeve në internet, Vatican News.

Në fjalën e mbajtur përpara pelegrinëve, Papa Françesku përshëndeti të gjithë shqiptarët "në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe të marrëdhënieve" me Selinë e Shenjtë.

Përfaqësues nga pelegrinët i thanë Zërit të Amerikës se grupi i shqiptarëve ndodhet në Romë për një vizitë të planifikuar qysh më parë, me rastin e përkujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Sipas Vatican News, Papa vuri në dukje "historinë e lashtë dhe të lavdishme" të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është një pjesë e pandarë e Evropës, me kulturën e tij të veçantë. "Sot, - tha ai, - ne përkujtojmë Gjergj Kastrioti Skënderbeun, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë". Skënderbeu, vazhdoi ai, "farkëtoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i afrimit dhe bashkimit kombëtar", njofton Vatican News.

Sipas Vatican News, Papa tha se shpresonte që “ky përvjetor nuk do të kufizohej vetëm me kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara”, por do të ishte gjithashtu një mundësi e mirë për një angazhim të ri të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, në favor të një zhvillimi autentik dhe të balancuar, “në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të emigrojnë.”

Image
Shkrimi në Vatican News

Papa Françesku tha se shembulli i Skënderbeut, "shprehu në mënyrë të lavdërueshme karakterin shqiptar". Në veçanti, ai vuri në dukje "klimën e respektit dhe besimit të ndërsjellë" ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve shqiptarë. Kjo, tha ai, tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin feve të ndryshme është një rrugë e zbatueshme që prodhon harmoni dhe çliron forcat më të mira dhe krijimtarinë e një populli të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë", njofton Vatican News.

Fjalimi i plotë i Papa Françeskut mbajtur para delegacionit Mbarë-Shqiptar, në vizitë në Vatikan për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Skendërbeut -- të pranishëm atje në përmbyllje të ceremonive të Vitit 2108, kushtuar nga Shqipëria dhe Kosova, Kujtimit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Gjergj Kastriotit -Skenderbeu.

 “Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tuaj Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit.  Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI priti   një përfaqësi të shqiptarëve.

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i lidhjeje dhe bashkimit kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

Image

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit.  Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se Heroi Kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

Image

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë, në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë.  Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar.  Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test