Barcelona edhe këtë sezon dështoi ta fitonte Ligën e Kampionëve.
Në vitin e tij të dytë te Barcelona, Ernesto Valverde nuk ka arritur ta kthejë në Camp Nou trofeun e Ligës së Kampionëve.
Madje ashtu si edhe një sezon më parë edhe në këtë të tanishmin, Barcelona eliminohet ndonëse në ndeshjet e para kishte fituar me tre gola epërsi. Vjet i eliminoi Roma, kurse këtë vit Liverpooli.
Por presidenti i Barçës, Josep Maria Bartomeu ka besim në punën që po bënë Valverde dhe ka konfirmuar që ai do të vazhdojë të jetë trajner i katalanasve edhe sezonin tjetër.
“Valverde është trajneri që duam. Ka një kontratë me ne dhe jemi shumë të kënaqur me punën e tij”, tha Bartomeu.
“Ky është një projekt në terma afat-mesëm dhe afat-gjatë, ndaj planifikimi i sezonit të ardhshëm ka filluar prej disa kohësh”.
Barcelona ka fituar edhe këtë sezon La Ligën dhe do të luajë në finale të Kupës së Mbretit, përballë Valencias.