Hasani: Nuk është e ndershme me krijuar huti!

Sporti

Hasani: Nuk është e ndershme me krijuar huti!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 19 janar 2017 Në ora: 16:23
Besim Hasani

Dymbëdhjetë delegatë nga 6 federatat sportive kanë bërë kërkesën në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit, për anulimin e procesit zgjedhor dhe mbledhjes së Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës të datës 21 dhjetor të vitit 2016. Besim Hasani ishte rizgjedhur kryetar i KOK-ut, i cili me 47:29 e kishte mposhtur kundërkandidatin e tij, Jeton Beqiri. Hasani deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se nuk e di në çka e kanë bazuar ankesën, kur ka fituar në mënyrë demokratike dhe me vota e delegatëve.

 ‘Bota sot”: Z. Hasani, 12 delegatë nga 6 federata të licencuara, dorëzuan një shkresë në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për anulimin e Kuvendit Zgjedhor të KOK-ut, si e komentoni?

Besim Hasani: Nuk e di në çka e kanë bazuar ankesën, por, në parim, çdo vërejtje kanë patur mundësi me shpreh në Asamble! Siç e keni vërejtur edhe ju, pas diskutimeve eventuale, delegatët kanë votuar dhe zakonisht votimi ka qenë unanim, (me një apo dy vota kundër dhe/ose abstenim). Megjithatë, ankesa hynë në kategorinë: është demokratike!

 “Bota sot”: U zgjodhët në mënyrë demokratike dhe ligjore, a thua i pengon dikujt puna e juaj dhe në anën tjetër të shkaktojnë huti?

Besim Hasani:  Pas numërimit të votave dhe konstatimit se unë jam rizgjedhur President i KOK-ut për mandatin 4-vjeçar, respektivisht për Ciklin Olimpik 2017-2020, hiqi 4-5 persona, nuk më kujtohet asnjë delegatë që nuk me ka përgëzuar për rizgjedhje! Për shumicën absolute, Asambleja e 7-të Zgjedhore, ka qenë e organizuar në nivelin e lartë, është përcjellur nga fillimi deri në fund nga gazetarët e sportit, ka qenë transparente dhe demokratike si dhe në përputhje me Statutin e KOK-ut, me Kartën Olimpike dhe me Rregulloren e Punës. Në demokraci respektohet edhe mendimi ndryshe por nuk është e ndershme me krijuar huti!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat