Kriptovaluta e Facebook-ut paraqet rrezik ndaj bankave globale - Bota Sot
Kriptovaluta e Facebook-ut paraqet rrezik ndaj bankave globale

Teknologji

Kriptovaluta e Facebook-ut paraqet rrezik ndaj bankave globale

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 18:28
ilustrim

Lëvizja e ‘Facebook’ mund të ndikojë në konkurrencën dhe privatësinë e të dhënave, paralajmëron Banka për Marrëveshje Ndërkombëtare.

Plani i Facebook për të operuar me monedhën e vet dixhitale paraqet rreziqe për sistemin bankar ndërkombëtar, që duhet të shkaktojë një reagim nga politikëbërësit global, sipas organizatës që përfaqëson bankat qendrore të botës, shkruan ‘The Guardian’.

Megjithëse lëvizjet e firmave të mëdha të teknologjisë, si Facebook, Amazon dhe Alibaba në shërbime financiare mund të përshpejtojnë transaksionet dhe të ulin kostot, veçanërisht në vendet në zhvillim, ato mund të dëmtojnë stabilitetin e një sistemi bankar që sapo është “shëruar” nga kriza e 2008-ës.

Duke u paralajmëruar për rreziqet nga shumë ekspertë të teknologjisë, Banka për Marrëveshjet Ndërkombëtare (BIS) tha se ndonëse mund të ketë përfitime të mundshme, adoptimi i valutave digjitale jashtë sistemit aktual financiar mund të zvogëlojë konkurrencën dhe të krijojë probleme të privatësisë së të dhënave.

“Qëllimi duhet të jetë reagimi ndaj hyrjes së teknologjive të mëdha në shërbimet financiare, në mënyrë që të përfitojnë duke kufizuar rreziqet”, tha Hyun Song Shin, këshilltar ekonomik dhe, njëherësh kreu i kërkimeve në BIS.

“Politika publike duhet të ndërtojë një qasje më gjithëpërfshirëse që bazohet në rregullimin financiar, politikën e konkurrencës dhe rregullimin e privatësisë së të dhënave”, potencoi tutje Shin.

Paralajmërimi nga BIS të dielën vjen vetëm disa ditë pasi Facebook njoftoi se do të lansojë monedhat e veta dixhitale, Libra, në vitin 2020. Rrjeti social në fjalë do të lejojë miliarda përdorues të saj të kryejnë transaksione financiare anembanë globit, masë kjo që potencialisht mund të lëkundë sistemin bankar botëror.

Chris Hughes, një bashkë-themelues i Facebook, javën e kaluar ngriti zërin për shqetësimet që u shprehën rreth lëvizjes së teknologjisë së madhe në financa, duke paralajmëruar se Libra mund të kalonte pushtetin në duar të gabuara.

Hughes, i cili është bashkëkryesues i Projektit të Sigurisë Ekonomike, një grup i fushatës kundër varfërisë, tha: “Edhe sikur të kishte sukses modest, Libra do të dorëzonte pjesën më të madhe të kontrollit të politikës monetare nga bankat qendrore në kompani private”.

Joshja nëpërmjet një konkurrence më të madhe midis monedhave dixhitale rivale mund të duket iluzore nëse një projekt si Libra e Facebookut do bëhej dominues në të gjithë botën.

Ai tha se politikëbërësit gjithashtu duhej të bashkërendonin përpjekjet e tyre për të siguruar që sistemet e reja të rregulloheshin për të mbrojtur klientët dhe për të parandaluar ato që lehtësonin pastrimin e parave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...