Franca gjobit me 210 milionë euro Google dhe Facebook

Teknologji

Franca gjobit me 210 milionë euro Google dhe Facebook

Më: 7 janar 2022 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Rregullatorët francezë kanë gjobitur Google dhe Facebook me gjoba prej 210 milionë eurosh për përdorimin e cookies. Mbikëqyrësi i privatësisë së të dhënave CNIL deklaroi se të dy faqet po e bënin të vështirë për përdoruesit e internetit të refuzonin gjurmuesit në internet.

Pëlqimi për përdorimin e skedarëve të personalizimit është kyç për rregulloren e BE-së për privatësinë e të dhënave dhe një përparësi kryesore për CNIL. Firmat e medieve sociale kanë tre muaj për të përmbushur kërkesat ose përballen me gjoba prej 100 mijë euro për çdo ditë vonesë.

Cookies janë paketa të vogla të dhënash që lejojnë shfletuesit e internetit të ruajnë informacione dhe të ofrojnë, për shembull, reklama të synuara.

“Kur pranoni skedarë “cookie”, bëhet vetëm me një klikim. Refuzimi i cookies duhet të jetë po aq i lehtë sa pranimi i tyre,” tha Karin Kiefer, kreu i mbrojtjes së të dhënave dhe sanksioneve të CNIL.

Në deklaratën e tij, Komisioni Kombëtar Informatique & Libertés njoftoi se kishte gjetur se ndërsa gjigantët e teknologjisë siguruan një buton virtual për të lejuar pranimin e menjëhershëm të cookies, nuk kishte asnjë ekuivalent për t’i refuzuar ato aq lehtë, shkruan BBC.

“Njerëzit na besojnë se do të respektojmë të drejtën e tyre për privatësi dhe për t’i mbajtur ata të sigurt. Ne e kuptojmë përgjegjësinë tonë për ta mbrojtur atë besim dhe po angazhohemi për ndryshime të mëtejshme dhe punë aktive me CNIL nën dritën e këtij vendimi,” deklaroi Google, që u gjobit me 150 milionë euro.

Kurse Facebook, tashmë në pronësi të Metës, tha se po “rishikonte” vendimin, nga i cili u gjobit me 60 milionë euro.

“Kontrollet tona të pëlqimit të cookie-ve u ofrojnë njerëzve një kontroll më të madh mbi të dhënat e tyre, duke përfshirë një meny të re të cilësimeve në Facebook dhe Instagram, ku njerëzit mund të rishikojnë dhe menaxhojnë vendimet e tyre në çdo kohë dhe ne vazhdojmë t’i zhvillojmë dhe përmirësojmë këto kontrolle,” deklaruan nga Facebook.

Cookies janë shumë të vlefshme për Google dhe Facebook si mënyra për të personalizuar reklamat, që është burimi i tyre kryesor i të ardhurave. Por mbrojtësit e privatësisë kanë bërë fushatë kundër tyre.

Që kur BE-ja miratoi një ligj për të dhënat personale në vitin 2018, kompanitë e internetit përballen me rregulla më të rrepta që i detyrojnë ato të kërkojnë pëlqimin e drejtpërdrejtë të përdoruesve përpara se të instalojnë cookies në kompjuterët e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat