​Gjermania: Aplikacioni Telegram po shndërrohet në “medium për radikalizimin”

Teknologji

​Gjermania: Aplikacioni Telegram po shndërrohet në “medium për radikalizimin”

Më: 26 janar 2022 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Një zyrtar i lartë gjerman i sigurisë deklaroi sot se agjencia e tij ka krijuar një grup pune për të hetuar individët e dyshuar për përdorimin e Telegramit për të kryer krime, mes shqetësimeve në rritje se aplikacioni i mesazheve po bëhet një “medium për radikalizimin”.

Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë paralajmëroi se aplikacioni po përdoret për të synuar politikanët, shkencëtarët dhe mjekët për rolin e tyre në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

“Pandemia e koronavirusit në veçanti ka kontribuar që njerëzit të radikalizohen në Telegram, duke kërcënuar të tjerët dhe madje duke publikuar thirrje për vrasje”, tha shefi i agjencisë, Holger Muench.

Ai tha se grupi i punës do të kërkonte bashkëpunimin e Telegramit, por gjithashtu do të merrte masa nëse nuk e bën.

Qeveria gjermane është përpjekur për vite me radhë, me pak sukses, që Telegrami të respektojë rregullat e vendit për heqjen e përmbajtjeve të paligjshme.

Kompania që qëndron pas aplikacionit, e cila pretendon se ka qindra miliona përdorues në mbarë botën, është e vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Muajin e kaluar, policia gjermane kreu bastisje në landin Saksonia pas raportimeve të mediave se një grup njerëzish në Telegram diskutuan planet për vrasjen e guvernatorit Michael Kretschmer dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij. Anëtarët e grupit ndanë një refuzim të vaksinimeve, politikat e shtetit dhe qeverisë për koronavirusin, përcjell AP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat