​e-Albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike

Teknologji

​e-Albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike

Më: 20 korrik 2022 Në ora: 18:04
Ilustrim

Pas sulmit të rëndë kibernetik me të cilin po përballet që prej të premtes të javës së shkuar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se platforma e-Albania është rikthyer në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët shqiptarë.

Sipas AKSHI-t tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale dokumentet me vulë elektronike, certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, ekstraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë dhe certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit).

Po ashtu, bëhet e ditur se do të mund të aplikohet për regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve, si dhe shërbimet e regjistrimit të biznesit etj.

AKSHI, informon se për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e-Albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti.

Ndërkaq, AKSHI së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’iu kthyer qytetarëve edhe shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues, vërtetimin e ndihmës ekonomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekësor, për listën e notave dhe vërtetimin e diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit, shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industrial, njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja, si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

AKSHI siguroi qytetarët se do të vijojë punën deri në rikthimin në funksion të plotë të çdo shërbimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat