Shifrat e turizmit në Shqipëri: Rënie e madhe, shtetasit e Kosovës më besnikët

Turizëm

Shifrat e turizmit në Shqipëri: Rënie e madhe, shtetasit e Kosovës më besnikët

Më: 26 janar 2021 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Karantina në pjesën e parë të 2020-s dhe më pas kufizimi i lëvizjeve në mbarë botën, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, kanë dhënë ndikim të ndjeshëm në hyrje-daljet e shtetasve të huaj në Shqipëri, por dhe udhëtimeve të vendasve.

Kufizimi i qarkullimit të lirë të shtetasve kudo në botë për shkak të pandemisë COVID-19 shkaktoi një rënie masive sidomos të atyre që udhëtonin për turizëm. Arsyet e lëvizjes u kufizuan vetëm për çështje pune ose shëndeti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 në vend hynë 2.6 milionë shtetas të huaj, me një rënie prej 58.5%. Si rrjedhojë e kufizimeve, në vend hynë 3.7 milionë shtetas të huaj më pak, duke dhënë ndikim të ndjeshëm në ecurinë e turizmit në vend, por edhe të konsumit, që në gusht, kur kulmon sezoni ishte shumë i dobët, sipas të dhënave të tjera të tregtisë me pakicë, transmeton Monitor, përcjell albinfo.ch.

“Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9 %, krahasuar me vitin e mëparshëm”, tha INSTAT.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për lëvizjen e shtetasve tregojnë se rënia më e ulët ishte nga Kosova kjo edhe për shkak të rënies dakord mes dy shteteve për të mos ndalur qarkullimin e lirë në sezonin turistik.

Turistët e Kosovës kanë mbajtur peshën kryesore në turizëm në vend në vitin e pandemisë. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në 2020-n përbënin 52% të totalit, nga 35% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm, kur në vend filluan të vinin turistë nga pothuajse e gjithë Europa.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019.

Pandemia ka kufizuar lëvizjet te shtetet afër kufirit. Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia, me 14% të totalit, nga 12.7% një vit më parë.

Ndërsa tkurrjen më të fortë e shënuan polakët (-81%), të cilët vitet e fundit e kishin kthyer në destinacion të qëndrueshëm vendin tonë, si dhe spanjollët (-90%)

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442.966 dhe krahasuar me dhjetor 2019, ky tregues rezulton me rënie 50,7 %. Në dhjetor 2020, numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë me 37,4 %..

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 55,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 47,9 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5%, në krahasim me vitin 2019. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9%,krahasuar me vitin e mëparshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat