​Shqipëria, tregues të fortë për një industri të madhe turistike

Turizëm

​Shqipëria, tregues të fortë për një industri të madhe turistike

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Turizmi në Shqipëri dhe Evropën Juglindore pritet të lulëzojë, pasi interesi për këto destinacione ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

Lajmi u raportua New Deal Europe (NDE), një platformë turistike dhe tregtie për Ballkanin dhe Europën Juglindore, e cila thotë se rajoni po sheh rritje të interesit për investime në hotele dhe resorte, pasi turistët po ndërgjegjësohen më shumë për rajonin si një destinacion i ri turistik.

Është një nga rajonet e fundit ekzotike të Europës, por gjithnjë e më shumë njerëz po interesohen sepse ka një larmishmëri të madhe, nga Alpet në Egje, ofron kulturë, bukuri natyrore, plazhe, male, kulinari, verë dhe ski”, vuri në dukje bashkëthemeluesi i NDE, Tim Murn.

Kompania do të mbajë takimin e saj vjetor të tregtisë më 24 mars, i cili lidh furnitorët e turizmit nga të gjitha vendet e Ballkanit; Greqia, Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria.

Për më tepër, rajoni ofron vlerë të madhe për investime, veçanërisht për vendet jashtë BE-së, ku Shqipëria është një nga destinacionet më premtuese. Interesi për këtë vend është rritur veçanërisht te britanikët, pasi nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë drejtohen mbi tetë fluturime në ditë.

Shqipëria ka tregues të fortë për një industri të madhe turistike dhe mund të jetë po aq e suksesshme sa Greqia, vendi fqinj i saj. Më parë, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit, shkruan ATSH.

Të dy vendet u zotuan të promovojnë destinacionet dhe të rrisin numrin e turistëve që vijnë.

Vendimi vjen pas takimit mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Presidentes së Organizatës Kombëtare Greke të Turizmit (GNTO), Angela Gerekou, e cila theksoi se sa e rëndësishme është ruajtja e identitetit të të dy vendeve në industrinë e turizmit.

Shqipëria pati një vit rekord në 2022, me shumë grupe të rëndësishme hotelesh që konsideruan vendin për të investuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat