Një rregull i rëndësishëm lidhur me tërheqjen e parakohshme të parave nga arkat e pensionimit

Zvicra

Një rregull i rëndësishëm lidhur me tërheqjen e parakohshme të parave nga arkat e pensionimit

Nga: Lirim Begzati Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 13:50
Lirim Begzati

Rikujtojmë se pensioni maksimal që mund të realizohet në Zvicër është aktualisht 3’555 franga, kurse kjo aplikohet sidomos për personat e martuar, dhe atëherë kur që të dy bashkëshortët, kanë punuar një kohë të gjatë. Nuk janë të shumtë ata që arrijnë këtë nivel të ardhurash!  

Kjo vlen për pensionin bazë sipas rregullave të Shtyllës së parë - Sigurimi i pleqërisë dhe për të mbijetuarit (« Assurance-vieillesse et survivants – AVS » (fr.), « Alters-und hinterlassenenversicherung – AHV » (gj.)).

Kuptohet se nëse një individë duhet të jetojë vetëm me një pension bazik i cili - në shumicën e rasteve nuk mjafton për me e siguruar mbijetesën (marrë parasysh standardin jetësor në këtë shtet) -  parashikohen ndihma shtesë për këto raste, kurse rregullat që aplikohen përputhen deri diku me ato të ndihmave sociale që kanë të bëjnë me minimumin jetik. 

Kjo nënkupton pra se është krejtësisht e mundshme që edhe pse dikush ka punuar tërë jetën e tij në Zvicër, prapëseprapë mund t’i ndodhë që në moshën e pensionimit të jetë i detyruar t'iu drejtohet shërbimeve të shtetit për me kërkuar ndihmë! 

Për me arritur një pension më të lartë, duhet analizuar atëherë se çfarë kontributesh tjera kemi paguar apo çfarë kapitali posedojmë në dy shtyllat tjera zvicerane të pensionimit, siç janë 

- Shtylla e dytë - Arka e pensionimit (« Caisse de pension - Prévoyance Professionnelle - 2ème pilier » (fr.), « Pensionskasse » (gj.)) dhe Shtylla e tretë - Sigurimet private të pensionimit (« Prévoyance Privée - 3ème pilier » (fr.), « Dritte Säule » (gj.)).

Pagesa e kontributeve në shtyllën e dytë, mundësojnë të mbulohen « boshllëqet » financiare në moshën e pensionimit. Mirëpo, tepër e më tepër, është shtuar sot numri i personave që i tërheqin para kohe paratë e tyre nga kjo arkë, sidomos për me investuar, për shembull, në blerjen e një banese apo për hapjen e një biznesi. Kjo ka si pasojë që niveli i shumës së parave të mbetura në arkën përkatëse të zvogëlohet nganjëherë në mënyrë drastike. 

Është konstatuar se pagesa e kontributeve në shtyllën e tretë është e një vlere të padiskutueshme, por të paktë janë ato persona që e shfrytëzojnë këtë mundësi! Ajo s’është e obligueshme, por përparësitë e saj janë tejet të mëdha; përveçse shtohen të ardhurat në moshën e pensionimit, bëhen ndërkohë edhe kursime të konsiderueshme në pagesën e tatimeve. 

Përse lejohen atëherë tërheqjet e parakohshme nga arka e pensionimit?

Një çështje e tillë është e bazuar në ligj dhe, përveç kësaj, ajo e ka logjikën e saj. Për shembull, nëse lejohet tërheqja e parakohshme për hapjen e një biznesi, kjo synon që të mbështeten personat që janë papunë dhe/apo të interesuar të hapin një biznes. Edhe mundësimi i blerjes së një shtëpie apo banese mbështetet në argumente të ndryshme, qoftë ekonomike qoftë për promovimin e njëfarë politike në fushën e patundshmërive. 

Kurse, përse lejohet tërheqja e parave vetëm disa vite para pensionimit?

Në parim, duke filluar nga mosha 58 vjeçare lejohet dalja e parakohshme në pension sipas rregullave të shtyllës së dytë. Nën disa kushte, lejohet edhe tërheqja e parave, në formë kapitali, edhe pse personi ende nuk e ka ndërmend me dalur në pension. E gjithë varet nga rregullat që aplikohen nga arka jonë e pensionimit.

Si është e mundshme që shteti t’iu lejojë tërheqjen e parakohshme edhe personave për cilët dihet paraprakisht se nuk kanë mundësi t’a sigurojnë pastaj minimumin jetik në moshën e pensionimit?

Rregullat e tilla i takojnë më tepër fushës së të drejtave të sigurimeve se sa diçka tjetër. Ndryshe me thënë, shteti nuk ka të drejtë të ndërhyjë në rregullat apo punët e tyre të brendshme, thjeshtë pasi që sigurimet e tilla nuk janë shtetërore, por private. 

Është e vërtetë se institucionet shtetërore mundohen të “korrigjojnë” disa praktika, duke penalizuar nganjëherë disa individë të cilët vendosin me i tërhequr parat nga arkat e pensionimit, individët të cilët vetëm disa vite më vonë, apo në moshën e pensionimit, i drejtohen pastaj shtetit, për me kërkuar ndihmë. Atyre personave shpesh iu kërkohen “llogari” se përse i kanë tërhequr paratë para kohe. Si pasojë, ndodh edhe ajo që atyre t’iu zbritet shuma e parave të cilat iu takojnë si ndihmë nga shteti. 

Domethënë, telashet dalin që nga momenti kur bëhet kërkesa për ndihmat e tilla, nga personat që nuk mundet pra t’i mbulojnë shpenzimet e mbijetesës vetëm përmes shtyllës së parë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat