Në qytetin e Gjenevës përmes veprimtarive të shumta, shënohet dita e flamurit kombëtar - Bota Sot
Në qytetin e Gjenevës përmes veprimtarive të shumta, shënohet dita e flamurit kombëtar

Zvicra

Në qytetin e Gjenevës përmes veprimtarive të shumta, shënohet dita e flamurit kombëtar

Nga: Avni Azizi Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 07:26
Festa e flamurit kombëtar

Në qytetin e Gjenevës së Zvicrës, aty ku valëviten flamujt e kombeve të cilët simbolizojnë demokracinë dhe gërshetimin e kulturave botërore, aty ku numër i konsiderueshëm i bashkëvendësve tanë, mërgimtarë, studentë, punëtorë, si dhe personalitete të ndryshme politike e kulturore të cilët ndodhen në këtë qytet e më gjerë, festohet dita e flamurit dhe ditëlindja e shtetit shqiptar.

Nëntori për shqiptarët nuk është vetëm muaji i njëmbëdhjetë i vitit, me nëntorin na lidhin shumë ngjarje të mëdha historike, dhe data të lindjeve dhe e vendimeve të mëdha historike e kombëtare. Ditëlindja e shtetit shqiptar, dhe dita e flamurit është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo ku jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ditën e shtunën më 24 nëntor nga Këshilli Organizues në përbërje: Naim Shala, Albana Krasniqi – Malaj, Reshat Salihaj, Irfan Musmurati, Haxhim Hajrizi, Agim Paçarizi, Ilir Bytyqi e Naim Demi dhe të tjerë, si dhe nën mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Zvicër, dhe në bashkëpunim me Shoqëritë Kulturore dhe Artistike si “Universiteti Shqiptar i Gjenevës” – UPSH “Rrethi Shqiptarë – Meyrinas “Shoqata e Studentëve Shqiptar në Gjenevë” “Rapsodët e Gjenevës”, pastaj ajo “Ilirët” dhe “Teuta” nga qyteti i Lozanës, dhe të tjerë, në mënyrë festive kremtuan dhe përkujtuan nëntorit e lavdishëm të kombit tonë.

Për një çast, e vogël dukej salla për të pritur gjithë ata familjarë, të rinj, studentë veprimtarë e patriotë të ardhur nga vise të ndryshme, enkas për të kremtuar këtë jubile të lavdishëm. Kur gjithçka tashmë ishte e gatshme për të filluar, emocionet, ndjenjat dhe përditshmëria filluan të bëhen njësh dhe të vezullojnë nëpër largësi historike e gjeografike.

Veshur me petkun festiv kombëtar, mërgata shqiptare dhe të pranishmit sikur po merrnin krahët e legjendave, krahët e udhëtimit... Aty tashmë po shfaqej Shqipëria, atdheu, Kosova, Flamuri gjuha dhe tingujt e ëmbël, të cilët ekzaltonin jo vetëm një vogëlush i cili valëviste flamurin shqiptar por, të gjithë të pranishmit.

Tek hyrja e sallës ku po mbahej tubimi, të rinj dhe organizatorë po uronin mirëseardhje bashkëkombësve dhe gjithë atyre të cilët po bëheshin pjesë e organizmit.  Orët e pasdites veç kishin filluar, kur në sallë përballë flamurit kombëtar, po vazhdonte tryeza me studentët shqiptare në Gjenevë.

Studenti Arbnor Murati, ish asistent dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës para të pranishmëve shpalosi përvojat e tija shkencore dhe praktike duke bërë një analogji mes zhvillimeve në shtetin helvetik dhe atdheut. Po ashtu me një ekspoze prezantues u paraqit edhe udhëheqësi i Studentëve Shqiptarë të Gjenevës Arbër Hyseni...  Nga të dy diskutuesit, u prezantuan edhe forma dhe ide mbi ecurinë e gjithëmbarshme të shumë fushave dhe sfidave me të cilat po përballet vendi ynë. Nga të pranishmit nuk munguan pyetje të ndryshme, ku përgjigjet brilante u mirëpritën.  Në fund të diskursit të mbajtur studentëve si shenjë mirënjohjeje nga organizatorët,  iu dhurua nga një flamur kombëtar dhe nga një libër. 

Përkujtimi i kësaj dite, me respekt dh mirënjohje të thellë, është përkujtim i çmuar, për çdo dëshmor e atdhetar të cilët bënë të mundur mbërritjen e ditës së madhe. Me përkujtimin e këtyre ngjarjeve ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë shqiptare. Kujtojmë epopenë e madhe të familjes legjendare Jashari dhe rënien e tyre në altarin e lirisë.

Image

Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së Flamurit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti  ( Skënderbeut), Flamurit të Vlorës heroike të 1912-s, Alfabetit të gjuhës shqipe e deri tek lufta e fundit e lavdishme e UÇK-së. Dhe kur jemi tek muaji nëntor, koincidencat historike sikur edhe më tepër i shtojnë lavdinë. Data 28 nëntori është edhe ditëlindja e kolosit të madh Adem Jashari. Nëntori është dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është lavdia dhe krenaria shqiptare përcjellur ndër breza.

Derisa pjesëmarrësit, të cilët kishin ardhur për ta nderuar këtë manifestim po prisnin të fillonte tryeza e organizuar, në të cilën do të shpërfaqej historia, sfidat dhe çështja shqiptare në përgjithësi... Në sallë hynë  Lulzim Jashari, djali i kryekomandantit Adem Jashari. Duartrokitja dhe nderimi përshkojnë sallën. Prania e djalit të kryekomandantit në këtë tubim ishte si një yllësi ndriçuese që përthekonte gjitha skajet e historisë.

Vet prezenca e familjarëve të dëshmorëve dhe heronjve të kombit tonë, dëshmonte faqet e shkruara dhe gjakun e derdhur, sakrificat e pafundme dhe mundin për të mbërritur në ditët e lavdishme, kur ëndrrat po nisnin të bëheshin realitet. Kur shpresat e shqiptarëve po rrugëtonin drejt jetës.

Pas disa çasteve, drejtoresha e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës Albana Krasniqi –Malaj fton në panel të ftuarit e kësaj tryeze të cilët ishin: z. Berat Luzha, z. Ueli Leunberger, z. Bardhyl Mahmuti, Atom Krasniqi, dhe këshilltari nacional zviceran Carlo Sammaruga.

Image

Këtë tubim me një fjalë rasti e përshëndeti edhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër z. Ilir Gjoni, si dhe ish ambasadori  i Kosovës z. Naim Malaj.

Zotëri Berat Luzha ( veprimtar i penës dhe i pushkës) duke kaluar nëpër kronologjinë historike të datave të lavdisë kombëtare të cilat janë zhvilluar nëpër muajt nëntor, bëri një rezyme historike për të ardhur deri tek lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte epopeja e lavdishme shqiptare dhe kombëtare...!  Fenomeni Skënderbe tha ai, krijoi një atdhe të lirë e të ndritur, përballë një egërsie mesjetare, të një egërsie që po përhapej gjithandej dhe po gllabëronte vende e popuj...!

Ndërsa Atom Krasniqi (veteran i luftës, vëllai i heroinës Xhevë Krasniqi – Lladrovci) tha: Populli ynë kurrë nuk u pajtua me robërinë, kurrë nuk u pajtua me copëtimin, por luftoi e punoi pandërprerë për liri e pavarësi. Lufta Çlirimtare e Ushtrisë sonë të Lavdishme Çlirimtare u kurorëzua me shporrjen e trupave serbe nga Kosova.

 Zotëri Bardhyl Mahmuti, (politolog dhe ish përfaqësues i UÇK –së) duke u ndalur në propagandën serbe mbi çështjen shqiptare, u ndal tek botimet e shumta serbe propaganduese me qëllim të prezantimit të rrejshëm mbi serbët në Kosovë. Zotëri Mahmuti duke folur mbi domosdoshmërinë e zhvillimeve diplomatike u ndal edhe tek debati me Dick Marti një propaganduesi kundër shqiptar të cilit i ka kërkuar përballje publike mbi ato të cilat ai kishte pohuar mbi luftën shenjtë të UÇK –së.  

Në fjalimin e tij Ueli Leunberger një mik i madh i shqiptarëve dhe njohës i rrethanave shqiptare, duke folur rreth mërgatës sonë, ai përmend me admirim rolin dhe organizimin e saj sidomos gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu ai potencon se populli shqiptar sot meriton të jeton i lirë dhe të gëzoj besimin dhe simpatinë e botës përparimtare... Tryeza e organizuar kaloj me pyetje të shumta dhe interesim të shtuar nga të pranishmit.

Pas mbylljes së tryezës, u shtrua darka e përgatitur. Ushqime e pije të ndryshme ishin shtruar për gjithë të pranishmit...

Në orët e mbrëmjes, për ta përmbyllur sa më suksesshëm këtë manifestim, u zhvillua një program i pasur festiv, me këngë e valle shqiptare të përgatitura nga Shoqëritë Kulturore e Artistike siç ishin: “Rapsodët e Gjenevës” “Teuta” dhe “Ilirët” nga Lozana, “Xhemajl Murtishi dhe grupi nga Struga”, Rexhep Jashari dhe Fatjeta Barballushi shoqëruar nga Edmond Basha me orkestër...

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe mbajtjes së një minutë heshtjeje për gjithë dëshmorët e kombit, në skenë jehon melodia e kompozitorit të madh Çesk Zadeja “Liri a Vdekje” dhe vargjet e deklamuara në mënyrë drithëruese nga veprimtari i çështjes kombëtare Naim Shala: Krujë o qytet i bekuar, prite prite Skënderbenë ....  sikur bënin një udhëtim nëpër histori, sikur përafronin gjitha epokat dhe epopetë shqiptare ndër shekuj...

Pas disa shfaqjeve koreografike, nën prezantimin e programit artistik të Nerxhivane Ferati – Sejdiut dhe Dafina Salihaj (bijë e familjes së dëshmorëve) prezantuese dhe interpretuese në gjuhën frënge... Jehojnë fjalët artistike: Le të bien daullet...le të kumbojë zëri i brezave përmes zërave tanë... Ftohet në skenë profesori nga Universiteti i Tetovës zotëri Ilir Memedi, i cili në fjalimin e tij me këtë rast ndër të tjera do të thotë: “Nëntori solli në skenë edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ishte e rastësishme dalja e saj pikërisht në këtë ditë. Ajo po tregonte se Kosova kishte bij e bija dhe trima që do t i merrte në duar fatet e atdheut të nëpërkëmbur nga regjimi i Beogradit.  Falë luftës së UÇK- së sot ne frymojmë të lirë...”

Image

Tingujt e valles së “Shota” ata tinguj të cilët na mikluan që në fëmijërinë e secilit nga ne, ata tinguj në mënyrë të shkëlqyeshme u shfaqën në skenë nga shoqëria kulturore artistike “Ilirët” ku dhanë çaste të bukura artistike në sallë...

Lule për të rënët dhe lule për familjet e kombin në vazhdim shton udhëheqësja artistike dhe në skenë ngjitet biri i komandantit legjendar... 

Në fjalimin para të pranishmëve Lulzim Adem Jashari tha: 28 nëntori, na kujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse gjysma e territoreve dhe popullatës shqiptare të atëhershme mbeten jashtë shtetit amë. Kjo festë na e kujton Vlorën dhe çlirimin nga Lufta e Dytë Botërore gjithashtu na e kujton edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës... Në këtë muaj heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti ia ktheu Arbërisë fitoren e lirisë dhe shpresën, ku kjo shpresë dalëngadalë u bë edhe shpresë e Evropës e cila i kishte sytë tek Skënderbeu i cili duke mbrojtur Arbërinë mbronte edhe qytetërimin Evropian...tha ndër të tjera Lulzim Jashari. 

Nëntorët shqiptar rëndojnë fortë në zemrën e kombit, i japin atij oksigjen ia shtojnë rrahjet... nëntorët janë ndërgjegjja dhe krenaria jonë... çaste emocionuese por edhe lavdie... O Kushtrim Kushtrim Jashari... O Fitim Jashari... O Blerim, Fatime, Liri, Besim; Afete, Selvete, Igballe, Igball, Valdete, Hidajete... O ju të rënë Ilirë e Teuta...Ju thërret Drenica...Ju thërret Shqiptaria... Ne jemi të gjithë ju...dhe në emër të organizatorëve te këtij tubimi,  Lulzim Adem Jasharit i dhurohet flamuri... Flamuri me shkabën për të cilën derdhëm gjak ndër braza... Duartrokitje dhe të gjithë në këmbë... Kjo simbolikë spikatë fuqishëm  porosinë domethënëse se shqiptarët dhe flamuri ynë janë të pa ndarë dhe të pandashëm; Si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi...

Këtë tubim me prezencën e tyre e nderuan ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër z. Ilir Gjoni, ish  Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bern z. Naim Malaj, Konsulli i Republikës  së Kosovës në Gjenevë z. Ramadan Avdiu, Misioni Shqiptarë pranë OKB-së në Gjenevë, i ngarkuari me punë i Republikës së Maqedonisë z. Halim Hyda etj...

Pas përfundimit të fjalimeve të rastit, nën tingujt e muzikës së ëmbël shqipe të pranishmit patën rastin të ndjekin programin artistik të përgatitur ku edhe u mirëprit nga të gjithë. Në fund ky manifestim u përmbyll me moton e bashkimit dhe kujtesës që asnjëherë mos të harrojmë gjakun  e derdhur të bijve e bijave tona të udhëhequr nga ideja e "Lidhjes shqiptare te Prizrenit", institucioni UÇK- së dhe heroit të kombit Adem Jashari. Përherë të kujtojmë se këtë ditë e gëzojmë dhe festojmë falë gjakut të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve të tyre dhe gjithë atyre të cilët kontribuuan ndër shekuj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test