Konfliktet në Republikën e Afrikës Qendrore zhvendosin mbi 200 mijë njerëz

Afrika

Konfliktet në Republikën e Afrikës Qendrore zhvendosin mbi 200 mijë njerëz

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:34
Afrikë

Mes dhunës së përshkallëzuar që shpërtheu në dhjetor 2020 përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Afrikës Qendrore, Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se konflikti ka zhvendosur mbi 200 mijë njerëz brenda këtij vendi dhe në shtetet fqinje në më pak se dy muaj.

Gjatë një konference për media të premten, zëdhënësi i UNHCR-së, Boris Cheshirkov, tha se 92 mijë njerëz kanë mbërritur në Republikën Demokratike të Kongos dhe 13.240 njerëz kanë kaluar në Kamerun, Çad dhe Republikën e Kongos, që kur shpërtheu dhuna në dhjetor të vitit 2020.

“Rreth 100 mijë njerëz mbeten të zhvendosur brenda në Republikën e Afrikës Qendrore, sipas shifrave të përpiluara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare”, shtoi ai.

Cheshirkov tha se shumica e refugjatëve jetojnë në kushte të tmerrshme në zona të largëta dhe të vështira për t’u arritur dhe ata urgjentisht kanë nevojë për ushqim dhe strehim, ujë të pijshëm, sende të domosdoshme ndihme, kanalizime dhe kujdes shëndetësor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera.

“Për fat të keq, komunitetet pritëse në këto zona të largëta kanë burime jashtëzakonisht të kufizuara”, shtoi ai.

Javën e kaluar, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Republikën e Afrikës Qendrore bëri thirrje për më shumë paqeruajtës dhe pajisje mes përshkallëzimit të dhunës.

Për shumicën e sulmeve në RAQ akuzohet grupi i ashtuquajtur i armatosur Koalicioni i Patriotëve për Ndryshim, i mbështetur nga ish-presidenti Francois Bozize.

Situata ka qenë e tensionuar në vendin që nuk ka dalje në det të Afrikës Qendrore pasi kandidatura e Bozize për zgjedhjet e 27 dhjetorit 2020 u refuzua.

Gjenerali në pension mori pushtetin me anë të një grusht shteti në vitin 2003 por u përmbys pas një rebelimi në vitin 2013. Disa grupe milicie, disa të afërta me Bozize, që atëherë kanë sulmuar civilët, forcat e armatosura dhe forcat paqeruajtëse të OKB-së.

Faustin-Archange Touadera, i cili fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e muajit të fundit, ka përsëritur angazhimin e tij për paqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat