Shokon Edi Rama / Po e mbështet edhe Rusinë, jo vetëm Serbinë!

Aktuale

Shokon Edi Rama / Po e mbështet edhe Rusinë, jo vetëm Serbinë!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 14 shtator 2022 Në ora: 13:53
Edi Rama dhe minsitri i Jashtëm i Putinit, Sergej Lavrov

Edi Rama sërish ka shokuar shqiptarët e Kosovës. Askush më, sot nuk mund ta besojë se nëse vërtetë ai e meriton të njihet nga shqiptarët si kryeministër legjitim i Shqipërisë.

Fjalori i tij, intensiteti me të cilin e mbron Serbinë dhe presidentin e saj Vuçiqin, është tronditës.

Shqiptarët për më shumë se 150 vjet kanë pësuar dëmet më të mëdha në njerëz dhe territore nga Serbia, e përkrahur fuqishëm nga Rusia, për të cilat raporte po e shfajëson pikërisht Rama, edhe sot, kur i gjithë Perëndimi po ushtron trysni mbi Serbinë, për mbështetjen e Putinit.

Madje edhe lëshimet që i janë bërë Serbisë në bisedimet në Vjenë, por edhe në Bruksel, janë bërë në dëm të Kosovës, për të ‘zbutur’ apo ‘pajtuar’ Rusinë.

Dhe kur këtë ‘ndihmë’ ruse Serbisë, mund t’ia presë qasja perëndimore, Edi Rama, po mundohet t’ia mbajë gjallë!

Mbrojtja e vazhdueshme e Serbisë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, nuk është asgjë më e re në diplomacinë e Edi Ramës. Ai e ka bërë këtë punë më mirë, se sa që ka mundur ta bëjë çdo institucion serb, akademia, kisha, qeveria serbe, presidenca e të tjera.

Image
Afria e pamatshme e Ramës me Vuçiqin

A paguhet Rama për këtë punë?

Ne për këtë nuk kemi ndonjë përgjigje. Arsyet dhe motivet e tij nuk dihen rrënjësisht, por është qartësisht e dukshme, se Rama mbron në mënyrën më të mirë të mundshme Serbinë.

Për Kosovën, duket se është më shumë pengesë, pasi pikërisht në raportin më të fortë, ku ai, qeveria e Shqipërisë, diplomacia e saj, mund ta godiste, raportet me Rusinë, ajo pikërisht këtu po e mbron.

Rusia, e cila ka qenë vendimtare që qysh me paqen e Shën Stefanit të vitit 1876, të lidhur me perandorinë Osmane, i siguroi territore të paimagjinueshme Serbisë, por edhe Greqisë e Malit të Zi, në kurriz të tokave shqiptare dhe të vetë shqiptarëve, të cilët Serbia i shfarosi në pjesën më të madhe, duke i dëbuar nga Sanxhaku i Nishit dhe rrethet tjera, duke kryer masakra të papara, dhe pjesën tjetër, kryesisht atë ortodokse shqiptare, e asimiloi në serbë.

Një motiv apo detyrë e tij dihet, sepse ai ka ardhur në krye të Qeverisë, me bekimin paraprak të Athinës, dhe vite më pas, do të dekorohet edhe me Urdhrin e Kalorësit të Ortodoksisë, për të cilën qartazi Rama punon, pamëshirshëm në dëm të shqiptarëve!

Marrëzinë e fundit, po rezulton se e ka bërë në një intervistë për gazetën vjeneze “Die presse”.

Më e habitshmja është se ai njëkohësisht mundohet që pushtimin rus të Ukrainës nga Rusia, ta paraqesë edhe si kërcënim për Ballkanin. “Ai është një kërcënim potencial për rajonin tonë. Sepse në një pjesë të Ballkanit, Rusia tradicionalisht ka një ndikim të fortë. Kjo vlen veçanërisht për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën Srpska në Bosnje-Hercegovinë”, ka deklaruar ai.
Por, në shpërputhje të plotë me këto qëndrime të tij, ai i përmbys ato, duke i dalë në mbrojtje raporteve serbo-ruse.

“...nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë. Për më tepër, qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq nuk do t’i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë”, ka deklaruar Rama.

A nuk është hipokrizi kjo, të thuash, ta mbash Rusinë jashtë Ballkanit, e njëkohësisht t’i thuash Serbisë, mbaje Rusinë, ruaji ti raportet me të... A nuk po tingëllon sikur Rama e do Rusinë këtu, në mesin e tokave shqiptare?!

Konotojnë vullnetin dhe dëshirën e Ramës për Rusinë

Por, mbi të gjitha ky deklarim, është një urëzim i vetë koncepteve dhe bindjeve të tij politike, të pashprehura, por që konotojnë vullnetin dhe dëshirën e Ramës, që raportet e Serbisë me Rusinë të mbeten të paprekura!

Image
Rama, Haxhiu dhe Lavrovi në mes

Po ashtu sa i përket relacioneve të tij me Rusinë, janë të njohura takime të shpeshta me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrovin, ku ka marrë pjesë edhe ish-këshilltari i tij Baton Haxhiu.

Po ashtu ka mbetur enigmatik takimi i Thaçit me Putinin, dhe kush ishin organizatorët e tij? Ndoshta mund të dalë Rama, apo njerëzit rreth tij, apo edhe që i njëjti person të ketë negociuar afrimin me Moskën, si të Thaçit edhe të Ramës!!!

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit në një kabllogram të publikuar së fundi, thotë se Rusia ka ndikuar në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Bosnjë dhe Mal të Zi.

“Kjo është përpjekja e fundit e administratës së Bidenit për të deklasifikuar inteligjencën rreth synimeve ushtarake dhe politike të Moskës”, thuhet në raportimet e mediave ndërkombëtare, si BBC e të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat