Gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Përmes një njoftimi, FSK-ja ka bërë të ditur se homazhet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit, si shenjë respekti për sakrificën e atyre që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në këtë ditë, FSK-ja ka rikujtuar edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e luftës çlirimtare.
Sipas njoftimit, kjo ngjarje shënoi një kapitull të rëndësishëm të organizimit dhe rezistencës së armatosur për çlirimin e Kosovës, duke mbetur pjesë e pandashme e kujtesës historike të popullit.
“Përmes këtij nderimi, Forca e Sigurisë së Kosovës riafirmon respektin e përhershëm ndaj historisë së luftës për liri, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.