​U mbajt mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi

Aktuale

​U mbajt mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 21:37
Foto nga komisioni

Nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi sot mbajti mbledhjen e parë.

Kurti tha se besimi i qytetarëve për ndryshime pozitive duhet të korrespondojë me vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë, për t’iu qasur sfidave me seriozitet.

Ai shtoi se qytetari në rend të parë e ka shëndetin, dhe kujdesin ndaj të njëjtit duhet ta gëzojë, pa pagesë, nga profesionistët në çdo kohë.

“Përkushtimi e koha ime nuk do të mungojnë në asnjë moment”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha secili prej anëtarëve të Komisionit ka shumë punë përpara, dhe u shpreh i bindur se së bashku do t’ia dalin mbanë.

Në këtë takim, përpos diskutimit mbi përgjegjësitë e Komisionit, u bë edhe ndarja punëve dhe përgjegjësive të anëtarëve të këtij Komisioni.

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përbëhet nga kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave, ministrja e Arsimit, zëvendësministrja dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, këshilltari i Kryeministrit për Shëndetësi, këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, zëvendësuesja e drejtores së ShSKUK dhe kryetarja e Bordit të ShSKUK-së.

Përgjegjësitë e Komisionit janë analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi; zhvillimi i sistemit informativ në shëndetësi për ta informatizuar në tërësi sistemin shëndetësor, në të gjitha nivelet (primar, sekondar, terciar) e sektorët (privat dhe publik); reformimi i ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale; zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punën universitare dhe shkencore; themelimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës dhe ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat