Analisti politik, Sadri Ramabaja, ka reaguar përmes një postimi lidhur me Jakup Krasniqin dhe procesin gjyqësor ndaj tij.
Ramabaja ka publikuar një fotografi të Krasniqit, duke shprehur dhimbjen për sprovën me të cilën po përballet ish-zëdhënësi i UÇK-së.
Ai ka theksuar se Krasniqi është pjesë e brezit që kontribuoi në luftën për lirinë e Kosovës, duke shtuar se drejtësia duhet të bëjë punën e saj, por historia nuk duhet të gjykohet jashtë kontekstit të saj.
Sipas Ramabajës, sakrifica e popullit të Kosovës duhet të trajtohet me drejtësi, dinjitet dhe respekt për të vërtetën historike.
Postimi i plotë:
JAKUP KRASNIQI – KUR HISTORIA E VË NË SPROVË NJERIUN QË I SHËRBEU LIRISË
Kjo fotografi është një shkrepje që fikson ndjesi të thella dhimbjeje - që të ndalin frymën.
Jakup Krasniqi, me dorën e ngritur dhe atë vështrim që duket sikur vjen nga thellësi e legjendave. Ajo nuk është vetëm pamja e një njeriu që po kalon një sprovë të rëndë. Është një fragment i dhimbshëm i historisë sonë, i mishëruar në fytyrën e një njeriu që ishte zëri i luftës për lirinë e Kosovës.
Dhe, pa dashur të interpretojmë atë që fotografia nuk mund ta thotë, pyetja që ajo ngjall është e pashmangshme:
Pse historia i vë kaq rëndë në sprovë njerëzit tanë? Pse ata që dhanë aq shumë për lirinë, duhet të përballen edhe me këtë kalvar të gjatë njerëzor?
Jakup Krasniqi është pjesë e një brezi që mori mbi vete barrën e një kohe dramatike. Ishte zëri i UÇK-së në ditët kur Kosova kërkonte të drejtën e saj për të jetuar e lirë. Sot, përballë një procesi të rëndë gjyqësor, ai na kujton se pas çdo emri, pas çdo aktakuze dhe pas çdo procesi, ekziston një njeri, një jetë dhe një histori.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Por historia nuk mund të gjykohet jashtë kontekstit të saj. As sakrifica e një populli nuk mund të shkëputet nga rrethanat në të cilat u zhvillua lufta për liri.
Në këtë fotografi unë shoh më shumë se një njeri të sprovuar nga historia. Shoh një pjesë të dhimbshme të kujtesës sonë kolektive.
Dhe ndiej dhimbje!
Sepse liria që e gëzojmë sot ka edhe fytyrat, jetët dhe sakrificat e njerëzve si Jakup Krasniqi.
Historia do të vazhdojë të shkruhet. Por ajo duhet të shkruhet me drejtësi, me dinjitet dhe me respekt për të vërtetën historike.