Sindroma e Besës dhe dështimet e përhershme të shqiptarëve!

Aktuale

Sindroma e Besës dhe dështimet e përhershme të shqiptarëve!

Nga: Idriz Morina Më: 15 shtator 2022 Në ora: 16:36
Besa të bëhet Kod i një rendi të ri botëror kërkonte ish-kryeministrit kanadez Stephen Harper!

Iluzioni i shqiptarëve për miqësinë e përhershme apo të përjetshme, duket se nuk është më aspak i vërtetë në politikë, veçanërisht në atë botërore.

Si duket shqiptarët, edhe pse sot, mbi 99% e tyre as nuk komunikojnë dhe as e zbatojnë në jetën e tyre, një prej kodeve më të lashta dhe më fisnike njerëzore, që për mua është më i lashtë, më i hershëm se Përmbytja e madhe (rreth 12 vjet më parë), apo mbase një nga kodet e pakta që shpëtoi bashkë me farën njerëzore, që e mbijetoi atë përmbytje, vazhdojnë të sillen nën varësi të tij, në raport me të huajt.

Kod mitik

Ky kod, që vazhdon të mbijetojë dhe më shpesh të përdoret nga mashtruesit, tregtarët e padinjitet, vazhdon të na mbajë si të përgjumur, dhe nuk po mund të sillemi të kthjellët në përputhje me realitetin.

Si duket vetëm një kod, me aq lashtësi sa mendoj unë, është në gjendje të na udhëheq reagimet tona të pavetëdijshme.

Me shumë gjasë ky kod filloi të dëmtohet dhe abuzohet nga kundërshtarët tanë që në lashtësi. Fillimisht kur ramë nën sundimin romak. Shumë nga ne si duket ia dhamë besën Romës, se do të jemi aleat besnik të saj, sipas disa kushteve që sot nuk mund t’i dimë, dhe që i shërbyem me aq nderë, sa që disa prej nesh u bën edhe perandorë. Kur perandoria u nda, ne vazhduam, shumica, të mbesim besnik me atë pjesën e madhe të Perandorisë së mbetur, të Lindjes me qendër Konstandinopojën, dhe që ishte vërtetë e fuqishme, aq sa mbijetoi mbi një mijë vjet.

Kësaj here me gjasë këtë tashmë e shihnim si pjesë tonën, dhe jo rastësisht numri i perandorëve tonë ishte rritur dukshëm! Në një mënyrë u bëmë bashkëqeverisës apo forca kryesore qeverisëse. Romakët apo latinët nuk ishin më askund. Ballkani në të katër anët ishte ilir, grekët askush më nuk i përmendte, aq të paktë në numër si duket kishin qenë. Më shumë se gjysma e Bullgarisë apo i gjithë territori që lidhte Ilirinë, Maqedoninë, Greqinë e sotme dhe Bullgarinë me Konstantinopojën banohej masivisht nga paraardhësit tanë. Shto këtu që ne kishim një bashkëjetesë shumë më të hershme me thrakasit, aq sa si në aspektin, kulturor, gjuhësor dhe psikologjik, dukej se nuk dallonim. Kështu, që ne ishim bashkësundues real në Perandorinë e dy kontinenteve. Por, neve çuditërisht nuk na kujtohet asgjë, përveç se në ndërdije si duket e kujtojmë që kemi qenë lojal!

Në ndërmjet kohë, erdhi Skënderbeu, dhe na rizgjoi për një besë të re, shqiptare, jo e panjohur, sepse ndasitë apo përplasjet pas ardhjes së një pjesë të sllavëve, bullgarëve, kishin çuar në trazimin e Ilirisë, dhe ndërkohë shqiptarët kishin krijuar shumë principata, por edhe shtetin e Arbërit!

Me perandorinë osmane do të ndodhte diçka më ndryshe, sepse ata sollën një fe krejtësisht tjetër, dhe ata që u detyruan t’i nënshtrohen më pas shumë gjatë i shërbyen me besnikëri. Shqiptarët tashmë u bën me tri fe. Por, pavarësisht këtyre tri feve në mesin e tyre ata e ruajtën, tolerancën dhe besën vëllazërore ndërmjet tyre për t’mos hyrë kurrë në konflikt për shkak të këtyre dallimeve. Kjo tolerancë deri në fund ka mbretëruar, me përjashtim të disa tendencave të shprehura viteve të fundit, kryesisht nën manipulimin jashtë shteteve tona!

Këtë lloj vështrimi të shkurtër e bëra për të dalur tek disa personalitete të huaja dhe sjelljen tonë ndaj tyre, edhe pse i ndërlikuar argumentimi, dhe meqë si rrymë shkencore nuk është aq e përparuar, e lejon një lloj mendësie, pasi bëhet fjalë kryesisht për të pavetëdijshme, dhe jo për atë që është shkruar apo mbajtur mend! Modeli i sjelljes sonë, duket se gangullëzimin e saj, e ka në këtë kryetip primordial!

Dy raste të ndryshimeve, njëri sipas interesit, tjetri sipas detyrës

Një rast më ilustrativ është ai i Toni Blerit. Hero model për shqiptarët derisa ishte kryeministër i Britanisë, shqiptarët e mbajnë mend si njëri nga tre kryeprotagonistët kryesor që vendosën ta bombardonin Serbinë, bashkë me presidentin Bill Klinton dhe sekretaren Medllin Ollbrajt.

Përveç se Bler u bë i dashur gjatë luftës dhe shqiptarët e nderonin me përulje si shpëtimtarë të tyre, ata sikur ia dhanë Besën atij se do ta nderonin gjithmonë në jetën e tyre!

Por, pas më shumë se 15 vitesh pas mbarimit të luftës, Bleri tashmë ishte një ekspert negocimi dhe sigurisht se përdorte edhe burimet e veta të ndikimit.

Ai tashmë ishte vënë në shërbim të Serbisë për ta ndihmuar pikërisht kundër Kosovës!

Një mik i yni i përjetshëm, u bë palë me armikun tonë mijëvjeçar, sllavët, dhe ata prej 2 shekujsh serbë!

Pra, Bleri kryepushtetar në Britani, ‘mik i përjetshëm’ dhe Bleri qytetar, u bë një ‘armik’ politik. Por, këtë të fundit thuajse ende askush se vë në pah, vetëm një pakicë shqiptarësh!

Së fundi jemi duke pasur probleme me këtë lloj ‘miti’, me ambasadorin amerikan në Beograd, i cili deri në këtë moment, në të gjitha çështjet që ka marrë pjesë në rrugën e Pavarësisë së Kosovës, ka qenë në anën e shqiptarëve.

Por, tashmë diskursi i tij ka ndryshuar shumë, deri tek deklarimi i fundit: “natyrisht do të ketë një lloj marrëveshjeje” dhe se të gjitha palët e përfshira e dinë se ajo duhet të arrihet në mënyrë të tillë që të gjitha palët të marrin diçka”.

Duke qenë ambasador në Beograd, edhe pse Hilli si qytetar mund të ruajë, në këtë rast në kundërshtim me rastin e Blerit, të njëjtën simpati dhe respekt për shqiptarët, por për shkak se ai është ambasador në një vend, ku ai duhet të krijojë raporte sa më të mira, SHBA-Serbi, ai duhet t’i ushqejë këto raporte edhe me marrje qëndrimesh në favor të gjërave që Serbia i konsideron si ‘interes nacional’.

‘Të gjitha palët të marrin diçka”. Këtë e kemi dëgjuar shumë shpesh edhe nga politikanë dhe analist që janë pozicionuar, nëse jo në anën e Serbisë, në dëm të Kosovës.

Sipas transmetimit në media i pyetur nëse Kosova është e gatshme të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, ai ka thënë, “natyrisht do të ketë një lloj marrëveshjeje” dhe se “të gjitha palët e përfshira e dinë se ajo duhet të arrihet në mënyrë të tillë që të gjitha palët të marrin diçka”.

Në këtë kontekst, Hill nuk duhet parë si një armik, por thjesht si një diplomat, që i kryen detyrat e tij, në rolin më të mirë të mundshëm, që e angazhon administrata e shtetit të tij, përkatësisht e SHBA-ve!

Pra, forca jonë e ndërdijes po na shtyn t’i atribuojmë vlera të përhershme individëve dhe shteteve madje, pa e pasur parasysh mundësinë se rendi i gjërave do të ndryshojë!

Pra, Besa është kodi që duhet korrigjuar në raportet apo atribuimet e jashtme, dhe duhet kthyer si konvencë e vlershme brenda jetës tonë, por edhe i kërkuar për tu bërë Kod i një rendi të ri botëror (sipas ish-kryeministrit kanadez Stephen Harper)!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat